Një ditë pune në arë është kthyer në tragjedi për një familje në fshatin Orizaj të Bashkisë së Beratit, ku 15-vjeçari Fatjon Sadushi ka humbur jetën pasi është futur në lumin Osum për t’u freskuar.
Sipas informacioneve paraprake, adoleshenti po punonte në arë së bashku me të atin. Në një moment, ai ka hyrë në lumë për t’u larë, por rrjedha e ujit e ka marrë dhe e ka tërhequr disa metra më poshtë.
Babai i 15-vjeçarit ka ndërhyrë menjëherë, duke u futur në lumë në përpjekje për ta shpëtuar të birin. Ai ka arritur ta nxjerrë adoleshentin në breg, por Fatjoni nuk ka pasur shenja jete.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë dhe ekipi i ambulancës. Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se 15-vjeçari është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në lumë.
Fatjon Sadushi sapo kishte përfunduar klasën e nëntë në Shkollën Otllak. Në mesazhin e ngushëllimit të publikuar nga shkolla, humbja e tij cilësohet si një plagë e rëndë për familjen, të afërmit, shokët, mësuesit dhe gjithë komunitetin shkollor.















