Ballina Bota Publikohen pamjet e motorit të shkatërruar të Ryanair-it: Serbi qëndroi i varur...

Publikohen pamjet e motorit të shkatërruar të Ryanair-it: Serbi qëndroi i varur jashtë dritares së avionit dhe për pak sa nuk ra (VIDEO)

Makthi në fluturimin FR1879 të kompanisë Ryanair, nga Selaniku i Greqisë drejt Memmingenit në Gjermani, nisi të premten, më 10 korrik, pak kohë pas ngritjes, kur pasagjerët dëgjuan papritur një zhurmë të fortë dhe shpuese.

Pamje të reja kanë zbuluar pasojat e frikshme të incidentit në fluturimin e Ryanair-it, gjatë të cilit një pasagjer për pak sa nuk u thith jashtë avionit nëpërmjet një dritareje të thyer.

Videoja, e shpërndarë në rrjetet sociale, tregon mbështjellësin e shkatërruar të njërit prej motorëve, të njohur si gondola e motorit, nga i cili mungon një prej fletëve të motorit. Më pas, kamera zhvendoset drejt pjesës së sipërme dhe tregon një dritare të kabinës së pasagjerëve të shkatërruar plotësisht, duke dëshmuar dramën që u zhvillua në një lartësi prej rreth 6.000 metrash.

Makthi në fluturimin FR1879, nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani, nisi të premten, më 10 korrik, pak kohë pas ngritjes, kur pasagjerët dëgjuan një zhurmë të papritur dhe të fortë.

Një prej pasagjerëve e përshkroi zhurmën për Radio Selanikun sikur “të kishte plasur goma e një automjeti”. Në të vërtetë, kishte ndodhur diçka shumë më e rrezikshme.

Një prej fletëve të motorit ishte shkëputur, kishte çarë mbështjellësin e tij gjatë një defekti të pakontrolluar të motorit dhe kishte goditur dritaren e kabinës së pasagjerëve. Dritarja ishte copëtuar, duke shkaktuar një dekompresion të menjëhershëm dhe tepër të rrezikshëm.

Britmat u përhapën nëpër avion. Në kabinë mbretëroi kaosi, ndërsa ajri po rrallohej dhe pasagjerët përpiqeshin të merrnin frymë.

“E kuptuam menjëherë se kishte ndodhur dekompresioni. Dëgjoheshin britma. Për një çast mendova se dikush kishte hapur aksidentalisht derën e emergjencës”, tregoi një prej pasagjerëve të tmerruar.

“Maskat e oksigjenit ranë dhe u ndie një erë e fortë”, vazhdoi ai, duke përshkruar skenat që pasuan.

Një pasagjer 61-vjeçar nga Serbia për pak sa nuk ra jashtë avionit. Ai ishte ulur pikërisht pranë dritares që shpërtheu. Forca e dekompresionit e tërhoqi drejt hapësirës së hapur dhe, në një moment, koka dhe shpatullat e tij ndodheshin jashtë avionit.

Sipas dëshmitarëve, atij ia shpëtoi jetën fakti se nuk e kishte hequr rripin e sigurimit. Bashkëshortja e tij dhe pasagjerët e tjerë reaguan në panik, duke e kapur nga këmbët dhe duke e mbajtur me gjithë fuqinë, që presioni i ulët të mos e thithte plotësisht jashtë avionit.

“Kishim rreth 30 deri në 40 minuta në ajër. Në një moment, dritarja u thye. Bashkëshorti im ishte ulur pranë saj. Fatmirësisht, e kishte vendosur rripin e sigurimit. Gjysma e trupit të tij doli jashtë. Bluza iu hoq nga trupi, maskat ranë, askush nuk mund të bënte asgjë dhe të gjithë qanin”, tregoi bashkëshortja e tij për televizionin grek MEGA.

Lufta e dëshpëruar zgjati disa çaste, derisa pasagjerët arritën ta tërhiqnin përsëri brenda dhe ta vendosnin në sigurinë relative të kabinës.

“Unë dhe pasagjeri që udhëtonte me mua e kapëm dhe e mbajtëm. Fatmirësisht, një zotëri nga ulësja pranë nesh erdhi dhe së bashku e mbajtëm nga krahu, ndërsa gjysma e trupit të tij ndodhej jashtë dritares”, tregoi një prej pasagjerëve.

Përpjekjen heroike të pasagjerëve e konfirmoi edhe Michalis Giannakos, presidenti i Federatës Panhelene të Punonjësve të Spitaleve Publike, i cili u përshkroi gazetarëve hollësitë tronditëse të shpëtimit.

Shtetasi serb u shtrua në spital pas uljes së avionit, por fatmirësisht kishte pësuar vetëm lëndime të lehta. Edhe tre pasagjerë të tjerë u dërguan në spital për kontrolle parandaluese, por u liruan pak kohë më vonë.

Avioni, një Boeing 737-800 rreth 18 vjet i vjetër, i operuar për Ryanair-in nga kompania Malta Air, u kthye në mënyrë të sigurt në Selanik, ku u mbajt në tokë deri në një vendim të mëtejshëm.

Meqenëse incidenti ndodhi në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut, hetimin po e zhvillon Komiteti për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Ajrore i këtij vendi.

Në hetim po ofrojnë ndihmë teknike edhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Bordin Kombëtar Amerikan të Sigurisë së Transportit, NTSB, Administratën Federale të Aviacionit, FAA, si dhe prodhuesit e avionit dhe të motorit, Boeing dhe CFM International.

Ngjarja solli menjëherë krahasime me incidentin tragjik në një fluturim të kompanisë Southwest Airlines në vitin 2018, kur një pasagjere humbi jetën pasi një defekt i pakontrolluar i motorit shkaktoi gjithashtu thyerjen e një dritareje.

Të dyja incidentet përfshinin motorin CFM56-7B, një prej motorëve më të përdorur dhe përgjithësisht më të besueshëm në aviacionin komercial. Hetimi pritet të përqendrohet te shkaku i thyerjes së fletës së ventilatorit të motorit.

Një defekt i pakontrolluar i motorit, gjatë të cilit pjesët e tij nuk mbahen brenda mbështjellësit mbrojtës, është një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë, por shumë serioze.

Ekuipazhi i fluturimit FR1879 reagoi shpejt dhe në përputhje me protokollet e sigurisë. Pas dekompresionit, pilotët realizuan një zbritje të shpejtë nga një lartësi prej rreth 4.500 metrash në rreth 1.500 metra, ku ajri është më i dendur dhe mundëson frymëmarrjen normale, përpara se të ktheheshin drejt aeroportit të Selanikut.

Ryanair organizoi një avion zëvendësues për pasagjerët e tjerë, të cilët më pas u transportuan drejt destinacionit të tyre në Gjermani./Tetova News