Ballina Bota Trump i dha princit saudit të kurorës mbështetjen për sulmet e rrezikshme...

Trump i dha princit saudit të kurorës mbështetjen për sulmet e rrezikshme kundër Huthëve

Presidenti Donald Trump i ka dhënë princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, i njohur si MBS, mbështetjen për një veprim ushtarak tejet të pazakontë kundër Huthëve të mbështetur nga Irani në Jemen, sipas zyrtarëve amerikanë.

Pse ka rëndësi: Sulmi saudit ndaj aeroportit të Sanasë të hënën dhe sulmet hakmarrëse me raketa të Huthëve që pasuan përbëjnë përshkallëzimin më serioz ndërkufitar që nga viti 2022. Ato mund të sinjalizojnë shembjen e armëpushimit jozyrtar, i cili ka zgjatur katër vjet ndërmjet palëve.

Rikthimi i konfliktit ushtarak ndërmjet Arabisë Saudite dhe Huthëve mund t’i përkeqësojë tensionet rajonale dhe ta zgjerojë luftën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Fakti që MBS e njoftoi paraprakisht Trumpin dhe kërkoi mbështetjen e tij tregon se sauditët janë të shqetësuar për mundësinë e një konflikti më të gjerë me Huthët, i cili do të kërkonte mbështetje ushtarake dhe diplomatike nga Shtetet e Bashkuara.

Prapaskenat: Javën e kaluar, Arabia Saudite i njoftoi Shtetet e Bashkuara se ishte e shqetësuar për situatën dhe kërkoi mbështetje për sulme të mundshme kundër Huthëve.

Të enjten, ambasadori saudit në Uashington u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Një ditë më vonë, Rubio zhvilloi një bisedë me ministrin e Jashtëm saudit, princin Faisal bin Farhan.

Pak më vonë, të premten, presidenti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me princin saudit të kurorës, sipas një zyrtari amerikan. MBS kërkoi mbështetjen e Trumpit për një veprim ushtarak kundër Huthëve dhe e mori atë, tha zyrtari.

I pyetur për një koment, Shtëpia e Bardhë iu referua deklaratës së Trumpit në një intervistë për Fox News të hënën në mëngjes, gjatë së cilës ai kritikoi ashpër Iranin.

Ambasada saudite në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Zhvillimi kryesor: Përplasja ndërmjet Arabisë Saudite dhe Huthëve filloi dhjetë ditë më parë, kur një avion i kompanisë iraniane Mahan Air u ul në qytetin e Sanasë, i cili kontrollohet nga Huthët. Avioni mori një delegacion të udhëheqësve të grupit, të cilët udhëtuan për të marrë pjesë në funeralin e ish-udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.

Kjo ishte një ngjarje e rrallë: fluturimet nga Irani drejt Sanasë nuk ishin realizuar për më shumë se një dekadë. Arabia Saudite i kishte bllokuar këto fluturime nga frika se ato mund të përdoreshin për transportimin e armëve ose të këshilltarëve ushtarakë iranianë te Huthët.

“Mahan Air është kompania ajrore e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Ajo është shpallur organizatë e sanksionuar dhe është vendosur nën masa ndëshkuese nga qeveria amerikane”, deklaroi një zyrtar amerikan.

Huthët pretenduan se avionët luftarakë sauditë u përpoqën, pa sukses, ta pengonin avionin që të ulej. Ata kërcënuan se do të sulmonin aeroportet saudite nëse një veprim i tillë do të përsëritej.

Të hënën, ndërsa avioni iranian po kthehej nga Irani me delegacionin e Huthëve, ushtria saudite bombardoi aeroportin e Sanasë. Avioni u detyrua ta ndryshonte drejtimin dhe të ulej në Al Hudaydah, në brigjet e Detit të Kuq.

Zyrtari amerikan pretendoi se avioni po transportonte armë, pjesë raketash dhe ekspertë ushtarakë për Huthët.

Më pas, Huthët lëshuan raketa balistike dhe dronë drejt aeroportit të Abhas, në jugperëndim të Arabisë Saudite. Ata gjithashtu paralajmëruan kompanitë ajrore që të mos fluturonin në hapësirën ajrore saudite derisa të hiqej bllokada ndaj aeroportit të Sanasë./Axios