Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maces, Claude Béata, veteriner i specializuar në sjelljen e kafshëve, shpjegon se si mund të korrigjohen sjelljet shqetësuese të maces, që nga gërvishtja e divanit deri te mjaullimat e vazhdueshme, pa e trajtuar atë me ashpërsi.
Nga Joséphine Teillet
Gazetare
Nën pamjen e tij të qetë, Baggio zbaton me përpikëri rregullat e botës së maceve. Janë zakone që pronarët mund të mësojnë t’i kanalizojnë.
Dinake, e vrullshme, ndonjëherë misterioze… nuk është gjithmonë e lehtë ta edukosh një mace. Nuk është e lehtë, por sigurisht që nuk është e pamundur! Sjellja e këtyre felinëve mund të ndryshohet, me kusht që ajo të kuptohet mirë.
Ky kompleksitet shpjegohet nga një fakt fare i thjeshtë: “macja nuk është një specie sociale”. Claude Béata, veteriner specialist evropian në mjekësinë e sjelljes dhe studiues në psikiatrinë veterinare, këmbëngul se, sapo ta kuptojmë këtë, bëhet shumë më e lehtë të kuptojmë mekanizmat që qëndrojnë pas sjelljes së kafshës sonë.
Autor i disa librave mbi psikologjinë e kafshëve shtëpiake, doktori botoi në vitin 2022 librin “La Folie des chats” (“Çmenduria e maceve”), vepër që shënoi fillimin e specializimit të tij për macet. Parimet bazë të sjelljes së maceve, teknikat e edukimit dhe gabimet që duhen shmangur: eksperti paraqet dhjetë rregulla thelbësore për të kuptuar sjelljen e maces dhe, nëse është e nevojshme, për ta ndryshuar atë.
1. Po, macet mund të mësojnë!
Ndodh që, pasi kanë provuar gjithçka, disa pronarë të demotivohen nga qëndrimi shpërfillës i kafshës së tyre. Mos u shqetësoni: macja mund të edukohet. Kjo nuk do të thotë se është një punë e lehtë…
Do të ishte kundërproduktive që metodat tona të trajnimit të qenve t’i zbatonim edhe te macet, sepse të dyja speciet janë krejtësisht të kundërta.
“Specia e maceve, sipas përkufizimit, nuk është një specie sociale dhe për këtë arsye nuk është e krijuar për të mësuar, ndryshe nga qeni, një kafshë sociale, e cila jeton me synimin për t’iu përgjigjur dëshirave të të tjerëve”, shpjegon Claude Béata.
Dhe kjo ide e parë nuk është thjesht një këshillë: është një parim themelor që ndryshon gjithçka në procesin e të mësuarit.
Ndryshe nga miku më i mirë i njeriut, macja nuk bashkëpunon dhe nuk ndien kënaqësi nga të mësuarit: “macet janë të paafta për këtë”, thotë prerë veterineri.
Ndërsa qeni imiton atë që e rrethon, macja, besnike ndaj natyrës së saj, e sheh këtë me njëfarë përbuzjeje.
Eksperti jep një shembull domethënës:
“Shpesh do të dëgjoni njerëz të thonë se një qen i rritur me një mace fillon të përvetësojë gjestet e saj; por kurrë nuk do të dëgjoni të kundërtën!”
2. Një dallim thelbësor për ta kuptuar macen tuaj: personaliteti i saj i dyfishtë
Para së gjithash, Claude Béata vë theksin mbi një veçori themelore të maces: anën e saj si “Joker”.
Ai pohon:
“Çdo mace, për nga natyra, është një mace e dyfishtë, sepse të gjitha kanë një anë preje dhe një anë grabitqari.”
Mund të ndodhë që kafsha juaj, megjithëse një çast më parë ishte krejtësisht e qetë, papritur të vihet në gjendje alarmi: sjellja e saj ndryshon menjëherë.
Ky fenomen është krejtësisht natyror dhe shpjegohet nga vetë natyra e maces, një kafshë që është njëkohësisht edhe e gjuajtur, edhe gjuetare.
Për t’i mësuar diçka, “gjithmonë duhet t’i drejtohemi anës së saj të sigurt dhe me vetëbesim: anës së grabitqarit”, thekson veterineri.
Në praktikë, çfarë do të thotë kjo?
Duhet të prisni momentin kur kafsha është në gjendjen e duhur dhe ta ndani procesin e edukimit në seanca të shkurtra, gjatë të cilave macja është e motivuar.
Ky parim përsëritet vazhdimisht:
“Është një çelës për të kuptuar dhe për të zbutur sjelljet e maces suaj.”
3. “Ndëshkimi është i ndaluar te macja”
Mos e bëni!
Ky është një rregull kategorik: te macja, ndëshkimi nuk shërben për asgjë… dhe madje mund ta shkatërrojë marrëdhënien tuaj me të.
Psikiatri veterinar këmbëngul:
“Ideja se duhet ta ndëshkoni macen që ajo të sillet mirë duhet harruar, vërtet.”
Sipas përkufizimit, ndëshkimi krijon një situatë frike, madje edhe dhune. Duke ia shkaktuar këtë maces, ekziston një rrezik real:
“Macja juaj mund të mos komunikojë më kurrë me ju; marrëdhënia mund të prishet.”
Arsyeja është e thjeshtë: meqenëse macja – dhe këtë nuk do ta përsërisim kurrë mjaftueshëm – nuk është kafshë sociale, ajo nuk e njeh fenomenin e “pajtimit”.
Pra, mund të jetë mjaft mbajtëse mëri: ndëshkojeni një herë dhe ajo mund të fillojë t’ju shmangë.
4. Një parim kyç: motivimi
Pasi ndëshkimi të jetë përjashtuar, “duhet privilegjuar të mësuarit përmes shpërblimit; duke vepruar kështu, kuptojmë se macet janë të afta të mësojnë”, dëshmon specialisti.
Macja funksionon pikërisht në këtë mënyrë: duke qenë se nuk sheh ndonjë interes të veçantë në të mësuar, procesi i të mësuarit duhet të lidhet me diçka që i sjell kënaqësi.
Jini krijues: disa mace adhurojnë salmonin, të tjera preferojnë një lojë me topin e tyre të preferuar.
Në çdo rast:
“Të mësuarit duhet të shndërrohet në një mundësi që macja të marrë diçka pozitive.”
Claude Béata shton edhe një hollësi të rëndësishme: duhet të gjeni “atë që vërtet i sjell kënaqësi maces dhe jo diçka që njeriu imagjinon se është kënaqësi për të”.
Për shembull, një përkëdhelje mund të jetë një shpërblim për macen tuaj… por rrallëherë dhjetë përkëdhelje radhazi!
5. Macja nuk nënshtrohet
Në gjuhën e maces suaj, hierarkia nuk ekziston!
Ky është një koncept që duhet harruar: macja nuk ju sheh as si eprorin e saj dhe as si zotërinë e saj.
Në fakt:
“Macja nuk bindet: ajo pranon të bëjë diçka sepse është e gatshme ta bëjë”, shpjegon eksperti.
Claude Béata thotë se këtë ide të gabuar e ndesh shpesh te njerëzit që konsultohen me të:
“Ata shpesh e kanë të vështirë të kuptojnë se macja nuk e di që ajo që po bën është e gabuar; ajo nuk e kupton parimin e rregullave të imponuara.”
Duke qeshur, ai shton:
“Edhe nëse ka një ide të vagullt për këtë, maces nuk i bëhet fare vonë.”
Rregullat, hierarkia dhe bindja janë një fjalor i padobishëm kur bëhet fjalë për ndryshimin e sjelljes së kafshës.
6. Metoda kyçe për edukimin e maces: ndërprerja
Nëse macja nuk e kupton kur bën diçka të gabuar, ajo mund të mësojë se një veprim është i ndaluar përmes një metode: ndërprerjes.
Me fjalë të tjera, ajo mëson se sa herë që e ka kryer atë veprim, nuk ka ndodhur asgjë e këndshme.
Shkurtimisht, ndërprerja e zëvendëson ndëshkimin:
“Bëhet fjalë për ndërprerjen e sjelljes së padëshiruar, duke i propozuar në vend të saj diçka pozitive.”
Për ta ndërprerë një sjellje nuk nevojitet dhunë.
Veterineri e ilustron me një rast të zakonshëm: një pronar nuk dëshiron që macja të hipë mbi tavolinë.
Nëse ajo hipën, një duartrokitje e fortë ose një spërkatje me bombol ajri të kompresuar mjafton për ta ndërprerë sjelljen.
Menjëherë pas kësaj, profesionisti këshillon t’i ofrohet një alternativë pozitive:
“Vendosja e topit të saj të preferuar në dysheme dhe nxitja që të luajë mund të jetë një ide e mirë.”
7. Përshtatuni me macen tuaj
Kur jeni pronar i një maceje, nuk mund të prisni që ajo të përshtatet me ju, aq më pak kur bëhet fjalë për të mësuar diçka.
Përkundrazi, duhet të ndiqni ritmin dhe dëshirat e shoqërueses suaj, në mënyrë që sjellja e saj të ndryshohet në kushtet më të favorshme.
Claude Béata vëren se shumë njerëz dëshirojnë t’i mësojnë maces të përkëdhelet, të pranojë më shumë kontakt fizik.
Për këtë, duhet t’i caktoni, në njëfarë mënyre, “takime”: macja është një kafshë obsesive, ajo i dallon situatat dhe është e ndjeshme ndaj orareve dhe vendeve.
“Për t’i mësuar maces suaj një tolerancë më të madhe ndaj kontaktit, gjeni një situatë në të cilën ajo vetë e kërkon atë: kjo zakonisht ndodh rregullisht, në një orar të caktuar dhe në një vend të caktuar. Për shembull, macja ime më përkëdhelet në orën 19:00, mbi divan: jo diku tjetër dhe jo në një moment tjetër.”
8. Ofroni lojëra të përshtatura me anën e saj gjuetare
Macja është kafshë gjuetare: edhe nëse ndihet shumë mirë në dhomën tuaj të ndenjjes, “grabitqaria është një nga mekanizmat e saj themelorë”, thekson psikiatri.
Kjo sjellje është shumë e dukshme edhe në zakonet e maces suaj: shumë mace kënaqen duke luajtur me këmbët që lëvizin nën batanije, duke u përpjekur të kapin një fije ose një pikë drite…
Këto janë instinkte gjuetie.
Për ta edukuar, loja mund të jetë një ide e mirë, me kusht që të zgjidhen lojëra të përshtatura me këtë “anë gjuetare”.
Disa mënyra për të gjetur lojërat e përshtatshme janë ato që vënë në pah aftësinë e maces për të vëzhguar, për të pritur në pritë dhe për të shfaqur shkathtësinë e saj.
9. Për kthetrat dhe dhëmbët: një metodë mrekullibërëse
Në fund të këshillave të tij, veterineri ndalet në dy nga sjelljet kryesore që u shkaktojnë më shumë vështirësi pronarëve.
E para lidhet me kontrollin e kthetrave dhe dhëmbëve.
Sa pronarë macesh e kanë gjetur divanin e tyre të gërvishtur, të shpuar e ndonjëherë krejtësisht të shkatërruar…
Claude Béata këmbëngul:
“Kontrolli i këtyre dy elementeve është një proces themelor i të mësuarit; nuk është normale që një kotele më e madhe se dy muaj të gërvishtë dhe të kafshojë.”
Ekziston një teknikë shumë efikase, të cilën profesionisti e quan “putra e butë”.
Është e thjeshtë: nëse gjatë lojës macja fillon të nxjerrë dhe të ngulë kthetrat, loja duhet ndërprerë!
Mund t’i thoni “putra e butë”, një tingull ose shprehje që ajo mund ta lidhë me veprimin, dhe pastaj t’i shtypni butësisht putrat në mënyrë që kthetrat të futen brenda.
Pasi ta ketë bërë këtë, loja mund të rifillojë.
Psikiatri i maceve e konsideron këtë metodë si një lloj ndëshkimi “as të dhimbshëm dhe as frikësues: thjesht i heqim diçka që i sjell kënaqësi. Në këtë mënyrë ajo mëson se, për të luajtur, duhet t’i mbajë kthetrat të futura.”
10. Për pastërtinë: disa rregulla të domosdoshme
Pika e fundit e kësaj liste ka qenë tashmë burim stresi për shumicën e pronarëve të maceve: pastërtia dhe përdorimi i kutisë së rërës.
Shpesh, macet janë tashmë të mësuara me pastërtinë në momentin kur adoptohen.
Kur nuk është kështu, mund të jetë shumë e vështirë të arrihet ndryshimi i sjelljes së tyre në këtë aspekt.
Dhe kjo ka një arsye: fillimisht, ky nuk është roli juaj.
Këtë mësim ia jep nëna koteles që nga mosha katërjavëshe: macja është një kafshë natyrshëm e pastër.
Por në disa raste – kur ka shumë kotele në të njëjtën pjellë, kur nëna është e sëmurë ose ka ngordhur – kotelja nuk arrin ta mësojë këtë.
Bëhet fjalë për “një sjellje që ua shkatërron në kuptimin e plotë të fjalës jetën njerëzve që përballen me të, sepse është një mësim i vështirë”.
Për t’ia mësuar, ekzistojnë dy rregulla të arta.
Së pari, pajisuni me durim dhe këmbëngulje.
Së dyti, pajisjet kanë rëndësi:
“Është absolutisht thelbësore të zgjidhet një kuti higjienike e cilësisë së mirë dhe e madhe, gjë që do ta lehtësojë përdorimin e saj nga macet.”
Një këshillë shtesë: macet preferojnë rërën minerale.
Pasi të jenë siguruar të gjitha këto kushte, duhet ndjekur një disiplinë pothuajse ushtarake:
“Mirëmbajtja duhet të jetë jashtëzakonisht rigoroze, duke e pastruar një herë në ditë dhe duke e ndërruar plotësisht rërën çdo pesë ditë”, përfundon veterineri i specializuar./LePoint















