Një dallgë godet varkën e dy peshkatarëve dhe ata pësojnë anijethyerje. Të futur brenda një frigoriferi portativ, ata qëndrojnë pesë ditë duke pluskuar në det të hapur, derisa më në fund shpëtohen.
Në Meksikë janë shpëtuar dy peshkatarë të anijembytur, të cilët kishin kaluar pesë ditë duke pluskuar në det brenda një frigoriferi portativ. Siç njoftoi marina, burrat u gjetën gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi në Oqeanin Paqësor, rreth 240 kilometra larg brigjeve të shtetit jugor meksikan Chiapas.
Një kooperativë peshkimi kishte alarmuar autoritetet pasi nuk kishte mundur më të kontaktonte me peshkatarët, të moshës 53 dhe 35 vjeç. Të dy kishin dalë në det me anijen e peshkimit të quajtur “Camaronera” (“anije karkalecash”) – dhe më pas gjurmët e tyre ishin humbur.
“Mendova se nuk do ta shihja më familjen time”
“Një dallgë u përplas brenda varkës”, tregoi José Luis Portelas, peshkatari më i ri, në një video pas shpëtimit. Gjithçka kishte ndodhur në mes të natës, rreth orës 03:00 sipas kohës lokale, në më pak se pesë minuta.
Pas anijembytjes, ata nuk kishin pasur kohë të merrnin asgjë me vete – as ujë të pijshëm, as ushqim dhe as radion.
“E vetmja gjë që mundëm të bënim ishte ta zbraznim frigoriferin portativ dhe të futeshim brenda tij”, tha ai.
“Mendova se nuk do ta shihja më familjen time”, tha Daniel Guerrero, peshkatari tjetër. Kishte qenë shumë e vështirë. Ata nuk kishin as mjete për të kapur peshq dhe as ujë.
“Nuk binte shi. Dielli pothuajse na vrau.”
Në operacionin e kërkimit u angazhuan anije dhe avionë të marinës. Peshkatarët u dërguan në një vend të sigurt dhe iu nënshtruan kontrolleve mjekësore pasi u pikasën brenda frigoriferit portativ me ngjyrë blu.
Marina njoftoi se ata u transportuan me helikopter drejt portit Puerto Chiapas. Atje u pritën mes lotësh nga familjarët e tyre, siç tregojnë pamjet filmike.
Burimi: dpa















