Ballina Aktualitet Hapen konkurset për projektet kulturore të vitit 2027, Sulejmani: Përparësi cilësisë dhe...

Hapen konkurset për projektet kulturore të vitit 2027, Sulejmani: Përparësi cilësisë dhe vlerës afatgjatë

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hapur sot, më 30 shtator, konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar në fusha dhe veprimtari të ndryshme të kulturës për vitin 2027. Aplikimi bëhet vetëm në mënyrë elektronike dhe do të zgjasë deri më 30 tetor 2026, në orën 15:30.

Në konferencën për shtyp në Qeveri, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, njoftoi se sistemi për aplikim është hapur në orën 12:00. Ai theksoi se përparësi do t’u jepet projekteve serioze, të konceptuara mirë dhe të qëndrueshme, që pasurojnë ofertën kulturore, tërheqin publik të ri dhe krijojnë vlerë afatgjatë.

Sipas ministrit, konkurset synojnë të mbështesin projekte cilësore dhe novatore, të hapin hapësirë për forma të reja të shprehjes krijuese dhe të rrisin praninë e kulturës së vendit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

“Kulturën e shohim si investim strategjik në potencialin krijues dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë. Me konkurset për vitin 2027, vazhdojmë me rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, por edhe me një synim të përcaktuar qartë: të mbështesim projekte që kanë cilësi, vizion dhe potencial për të krijuar vlerë afatgjatë. Presim projekte profesionale dhe të konceptuara mirë nga artistët, shoqatat dhe organizatat tona kulturore”, deklaroi Sulejmani.

Në fokus të mbështetjes do të jenë projektet që mund të japin kontribut afatgjatë në zhvillimin kulturor përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar dhe përfshirjes së publikut të ri.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet projekteve që realizohen në zonat kufitare. Qëllimi, sipas ministrit, është që veprimtaritë kulturore të jenë të qasshme në mjedise të ndryshme dhe të ndihmojnë zhvillimin e komuniteteve lokale.

Video bonus

“Politika jonë është gjithëpërfshirëse, por edhe e përgjegjshme: mbështesim të gjithë ata që krijojnë vlerë, duke këmbëngulur njëkohësisht në profesionalizëm, përgjegjësi dhe kontribut të matshëm. Shteti qëndron fuqishëm përkrah artistëve, institucioneve dhe punonjësve të tij të kulturës”, tha Sulejmani.

Ai shtoi se konkurset vjetore, së bashku me investimet kapitale që realizohen paralelisht, synojnë të krijojnë kushte për një kulturë të qëndrueshme, të dukshme dhe me vetëbesim.

Për mënyrën e aplikimit dhe vlerësimin e projekteve, Sulejmani njoftoi se për vitin 2027 do të ruhen rregullat e vendosura në kuadër të reformave të deritanishme. Pragu minimal për mbështetje financiare mbetet 40 pikë nga gjithsej 100.

Projektet do të vlerësohen sipas një sistemi të unifikuar pikëzimi:

  • Deri në 70 pikë për cilësinë e përmbajtjes;
  • Deri në 15 pikë për burimet njerëzore;
  • Deri në 15 pikë për arsyeshmërinë financiare.

Ministri ftoi artistët, shoqatat, organizatat e pavarura kulturore dhe të gjithë aplikuesit e interesuar që t’i shqyrtojnë kushtet e konkurseve dhe t’i dorëzojnë projektet brenda afatit.

Aplikimi për të gjitha fushat bëhet vetëm përmes Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike, uslugi.gov.mk. Aplikimet në formë të shtypur ose të dërguara me postë nuk do të shqyrtohen.

Kushtet e plota të konkurseve për vitin 2027 janë publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është 30 tetor 2026, ora 15:30./Tetova News