Julia dhe Dmitrij (emrat janë ndryshuar për arsye sigurie) udhëtuan këtë verë nga Rusia drejt Brazilit, në mënyrë që fëmija i tyre të lindte atje. “Në kufi, natyrisht, nuk thamë se isha shtatzënë”, tregon Julia për Deutsche Welle. Në atë kohë ajo ishte tashmë në javën e 32-të të shtatzënisë. Vajza e tyre lindi më vonë në një klinikë private në Santos. Tani familja po përgatit dokumentet e nevojshme që fëmija të pajiset me pasaportë braziliane. Në Brazil, në parim, kushdo që lind në territorin e vendit fiton shtetësinë.
Ruset lindin atje që fëmijët të marrin pasaportë braziliane
“Objektivin tonë minimal e kemi arritur”, thotë Dmitrij. “Me një pasaportë braziliane, vajza jonë mund të udhëtojë pa vizë në pothuajse të gjitha vendet e botës. Ajo nuk do të ketë nevojë të aplikojë për një vizë Schengen të kushtueshme dhe që kërkon shumë kohë. Ne duam që ajo të mund të vendosë vetë se ku do të studiojë, punojë apo jetojë.” Në fillim të gushtit, edhe një koleg i tij i punës kishte udhëtuar në Brazil së bashku me gruan e tij shtatzënë, që fëmija i tyre të lindte atje.
Sipas çiftit, gjatë gjashtë javëve të para ata kanë shpenzuar rreth 10.000 euro, përfshirë edhe trajtimin disaditor të vajzës së tyre në repartin e kujdesit intensiv. Për këtë udhëtim, Dmitrij dha dorëheqjen nga puna në një bankë. Pas kthimit në Moskë, ai shpreson të gjejë një punë të re. Megjithatë, çifti planifikon të kthehet vetëm pas disa muajsh, sapo të jenë përfunduar të gjitha dokumentet për vajzën. Familje të tjera ruse vendosin të qëndrojnë përgjithmonë në Brazil.

Rusët marrin pasaporta braziliane
Përfaqësues të nismave ndihmëse dhe avokatë që mbështesin shtetasit rusë në Brazil i kanë thënë DW-së se po vërehet një rritje e fluksit të migrantëve rusë drejt vendit. Brazili u bë veçanërisht i preferuar pas sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, kur vendet perëndimore vendosën kufizime të hyrjes për shtetasit rusë.
Ky trend u përforcua nga shtrëngimi i rregullave të emigracionit në Argjentinë, e cila deri atëherë kishte qenë një nga destinacionet kryesore për të ashtuquajturin turizëm të lindjeve. Që nga viti 2025, qasja në kujdesin shëndetësor falas për personat pa leje qëndrimi të përhershme është kufizuar. Gjithashtu janë shtuar kontrollet për qëllimin real të hyrjes në vend. Kush synon të marrë shtetësinë argjentinase përmes lindjes së një fëmije, tani duhet të dëshmojë se ka qëndruar ligjërisht në vend për të paktën dy vjet.
Pasojat shihen edhe në statistika: në vitin 2023, rusët shënuan një rekord me më shumë se 7.000 kërkesa për leje qëndrimi. Në mesin e vitit 2025, sipas portalit rus të lajmeve RBC, numri kishte rënë në vetëm 1.821.
Ndërkohë po rritet numri i shtetasve rusë që marrin pasaporta braziliane. Në vitin 2024 u lëshuan 477 pasaporta për rusë, ndërsa në vitin 2025 numri arriti në 613. Më shumë se gjysma e shtetasve të rinj ishin gra. Deri në fund të majit 2026, shtetasve rusë u ishin lëshuar 166 pasaporta braziliane, afro 60 për qind e tyre grave.
Pasaporta braziliane edhe për prindërit
Shumë familje kanë synime që shkojnë edhe më tej. Prindërit e një fëmije të lindur në Brazil mund të aplikojnë për leje qëndrimi dhe, në kushte të caktuara, mund ta fitojnë shtetësinë braziliane pas vetëm një viti.
Këtë rrugë ndoqën Jana (emër i ndryshuar) dhe bashkëshorti i saj në vitin 2023. “Ngjarjet e vitit 2022 patën sigurisht një rol, por ideja për të lindur jashtë vendit kishte lindur edhe më herët”, tregon ajo për DW. “Në Rusi mund të ndodhin shumë gjëra. Gjithmonë kam dashur një pasaportë të dytë dhe që fëmija im të lindte në një vend tjetër. Kur mbeta shtatzënë papritur, na duhej vetëm të vendosnim se cili vend do të ishte i përshtatshëm.”
Jana e lindi djalin e saj në një spital shtetëror në Florianópolis. Më pas, familja jetoi rreth tre vjet në Brazil. “Për ne ishte e rëndësishme të merrnim pasaporta si për veten, ashtu edhe për fëmijën. Më pëlqeu shumë jeta atje dhe mësova portugalishten”, thotë ajo. Jana dhe bashkëshorti i saj janë sipërmarrës dhe, sipas tyre, prej vitesh jetojnë si “nomadë digjitalë” në vende të ndryshme.
Sot ajo përpiqet ta ruajë lidhjen e djalit të saj me Brazilin. “Lexojmë libra në portugalisht dhe flasim shumë për Brazilin. Dua që ai të mund të udhëtojë pa viza dhe të mbetet i hapur ndaj botës.”
Florianópolis është shndërruar ndërkohë në një nga qendrat kryesore të komunitetit rus në Brazil. Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, gjithsej 119 gra ruse kërkuan këshillim për shtatzëninë atje. Gjatë gjithë vitit 2025, numri kishte qenë 136.
Autoritetet po kontrollojnë më me imtësi
Hyrja në Brazil me qëllim që të lindësh atje nuk është as shprehimisht e lejuar dhe as e ndaluar me ligj, shpjegon një avokat që dëshiron të mbetet anonim. Shumë gra shtatzëna hyjnë si turiste dhe nuk e deklarojnë në kufi arsyen e vërtetë të udhëtimit të tyre. Pavarësisht statusit të qëndrimit, ato më pas mund të përdorin falas spitalet dhe institucionet publike shëndetësore.
Rreth këtij trendi është zhvilluar tashmë edhe një treg i posaçëm shërbimesh. Shpesh janë vetë rusët që kanë emigruar vetëm kohët e fundit ata që ndërmjetësojnë për strehim, kujdes klinik ose ndihmë gjatë procedurave administrative. Çmimet variojnë nga disa mijëra dollarë për përgatitjen e dokumentacionit deri në më shumë se 10.000 dollarë për paketa të plota që përfshijnë gjetjen e banesës, organizimin e klinikës dhe shoqërimin nga përkthyese apo doula.
Megjithatë, ofruesit e këtyre shërbimeve, avokatët dhe vullnetarët raportojnë për kontrolle më të rrepta nga autoritetet braziliane, veçanërisht në qytetet me komunitete më të mëdha ruse, si Florianópolis.
“Policia tani kontrollon më me hollësi nëse njerëzit banojnë vërtet në adresat që kanë deklaruar”, thotë një jurist. Ka pasur raste kur janë dhënë adresa të rreme banimi për të marrë më shpejt leje qëndrimi. Përveç kësaj, për lejet e qëndrimit të përkohshëm dhe të përhershëm po kërkohet gjithnjë e më shumë dokumentacion.
Megjithatë, sipas hulumtimeve të DW-së, nuk ka të dhëna që rusëve t’u refuzohet në mënyrë masive hyrja në Brazil.
Debat për dëbimet e pretenduara
Në fund të korrikut, kanali rus në Telegram Baza, informacioni i të cilit u mor më pas edhe nga media të tjera, raportoi për një “dëbim” të pretenduar të grave shtatzëna ruse nga Brazili. Në raportime flitej për dhjetë raste. Policia braziliane e hodhi poshtë këtë version për DW-në.
Vendimet për refuzimin e hyrjes merren gjithmonë individualisht, shpjegoi autoriteti. Ato bazohen në rrethanat konkrete të secilit rast dhe në rregullat në fuqi. Shtatzënia nuk luan rol në këtë vendim. Në vend të kësaj kontrollohen vlefshmëria e dokumenteve të udhëtimit, qëllimi i deklaruar i udhëtimit dhe nëse personi disponon mjete të mjaftueshme financiare.
DW arriti të identifikojë vetëm një rast të dokumentuar. Një gruaje shtatzënë ruse fillimisht iu refuzua hyrja. Pas ndërhyrjes së një avokati dhe një vendimi gjyqësor, ajo përfundimisht u lejua të hynte në vend. Nga dokumentet gjyqësore rezulton se zyrtarët kufitarë kishin dyshime nëse ajo kishte mjete të mjaftueshme për të financuar qëndrimin e saj. Vetë gruaja nuk iu përgjigj kërkesave të DW-së për koment.
DW nuk gjeti prova që të mbështesin pretendimin se ka pasur një numër të madh rastesh të ngjashme./DW – Deutsche Welle













