Presidenti amerikan flet për një termocentral me gaz, tetë centrale bërthamore dhe një gazsjellës. Koreja e Jugut e zbut njoftimin, por një gjë është e qartë: aleatët aziatikë të Amerikës paguajnë shumë për tarifa të ulëta doganore dhe për aleancat e tyre.
Martin Kölling, Tokio
«Paketa kolosale» — kështu e quajti të mërkurën presidenti amerikan Donald Trump një projekt investimesh të Koresë së Jugut në SHBA. Përmasat e tij i njoftoi personalisht në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington: Koreja e Jugut do të financojë një termocentral gjigant me gaz për qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale në Teksas, si dhe tetë centrale bërthamore. «Dhe, më në fund, gazsjellësin për projektin e gazit natyror të lëngshëm në Alaskë», shtoi Trump. «Ky është një projekt i madh.»
Seuli reagoi menjëherë duke e kundërshtuar: deri tani ishte arritur një marrëveshje përfundimtare vetëm për termocentralin me gaz, me një kapacitet prej plot gjashtë gigavatësh, sa ai i gjashtë reaktorëve bërthamorë konvencionalë. Por, me sa duket, Trump synonte mbi të gjitha të paraqiste, pak përpara zgjedhjeve për Kongresin në nëntor, një tjetër sukses të fushatës së tij të tarifave doganore kundër importeve nga e gjithë bota. Një fushatë që Gjykata e Lartë e SHBA-së e ka shpallur në pjesën më të madhe të paligjshme.
350 miliardë dollarë për tarifa më të ulëta doganore
Pothuajse një vit më parë, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kishin rënë dakord, në kuadër të një marrëveshjeje tregtare, që aleati i Azisë Lindore të investonte 350 miliardë dollarë në SHBA, në këmbim të uljes në 15 për qind të tarifës doganore amerikane për mallrat koreanojugore. Nga kjo shumë, 150 miliardë do të shkojnë për kantieret e ndërtimit të anijeve, ndërsa pjesa tjetër për infrastrukturë dhe projekte të tjera. Edhe prodhuesit koreanojugorë të çipave të memories dhe të baterive po investojnë masivisht në SHBA.
Pas muajsh negociatash, tashmë është përcaktuar kuadri i investimeve. Ashtu si në rastin e Japonisë fqinje, e cila ka premtuar investime edhe më të mëdha, prej 550 miliardë dollarësh, as vendimi i Gjykatës së Lartë nuk e ndali zbatimin e zotimeve. Sepse të dyja vendet e ndiejnë presionin e Trumpit jo vetëm në ekonomi, por edhe në fushën e sigurisë.
Para në këmbim të mbrojtjes
Ndryshe nga shtetet europiane, dy vendet fqinje të Azisë Lindore kanë secili vetëm një fuqi që u garanton mbrojtje: SHBA-në. Prandaj janë të gatshme të bëjnë përpjekje të mëdha për t’i mbajtur aleancat e tyre tërheqëse për Trumpin. Ato duan të pozicionohen si partnerë të pazëvendësueshëm, që e mbështesin strategjinë e Trumpit për riindustrializimin me shumë para dhe teknologji.
Me sa duket, kjo gjen mbështetje te Trumpi. Paketa shënon «një hap të rëndësishëm» drejt garantimit të zinxhirit të furnizimit me energji dhe dominimit energjetik amerikan, tha presidenti i SHBA-së. Gjithashtu, sipas tij, ajo e forcon më shumë se kurrë partneritetin me Korenë e Jugut dhe rajonin e Paqësorit.
Por, ashtu si japonezët, edhe koreanojugorët negociojnë fort, që shumat e jashtëzakonshme të shkojnë, sa më shumë të jetë e mundur, për projekte ekonomikisht të qëndrueshme. Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, paraqiti në hollësi projektet e para ku do të drejtohen investimet e Koresë së Jugut.
22 miliardë dollarë për Teksasin
Sipas tij, termocentrali me gaz në Teksas do të kushtojë 22 miliardë dollarë. Zhvilluesit e projektit janë Related Companies dhe kompania energjetike NextEra Energy. Faza e parë pritet të hyjë në shfrytëzim tregtar më 2029, ndërsa i gjithë kompleksi do të përfundojë më 2032.
Lutnick e vlerësoi koston e tetë reaktorëve bërthamorë të njoftuar nga Trumpi në 120 miliardë dollarë, përfshirë një fond rezervë prej 20 miliardë dollarësh. Ata do të ndërtohen në Ohajo, Tenesi, Karolinën e Jugut dhe Kentaki.
Projektimi i tyre do të bëhet bashkërisht nga kompania amerikane e ndërtimit të centraleve Westinghouse Electric, kompania energjetike koreanojugore Korea Electric Power (Kepco), shumica e aksioneve të së cilës zotërohet nga shteti, dhe filiali i saj Korea Hydro & Nuclear Power (KHNP). Dy kompanitë koreanojugore do të blejnë gjithashtu një pjesë minoritare të aksioneve të Westinghouse.
Një projekt prestigji me rrezik të lartë në Alaskë
Projekti më i diskutueshëm është një gazsjellës rreth 1.300 kilometra i gjatë, që mund të kushtojë 50 miliardë dollarë. Ministri i Industrisë i Koresë së Jugut, Kim Jung Kwan, e kishte cilësuar vitin e kaluar si një projekt me «rrezik të lartë» ekonomik. Ky vlerësim nuk ka ndryshuar deri më sot: pavarësisht njoftimit të Trumpit, në një deklaratë të përbashkët thuhej se zbatimi varet nga «qëndrueshmëria ekonomike».
Problemi është ky: gazsjellësi do të lidhë vendburimet e gazit në veriun e Alaskës, ku qasja është e vështirë, me impiantet e lëngëzimit dhe objektet portuale në jug, për të përmbushur kërkesën e lartë për gaz natyror të lëngshëm në Azi. Por projekti tashmë ka konkurrencë në rajon, pikërisht nga Kanadaja. Ky vend kundërshton me forcë synimin e Trumpit që ai të bëhet pjesë e SHBA-së.
Konkurrenca nga Kanadaja
Më 29 shtator, grupi energjetik Shell, kompania tregtare japoneze Mitsubishi dhe partnerë të tjerë njoftuan se do të dyfishojnë prodhimin e gazit natyror të lëngshëm të ndërmarrjes së tyre të përbashkët në Kanada, LNG Canada. Për këtë duan të investojnë 14 miliardë dollarë. Përparësia e këtij projekti është se gazsjellësi drejt bregut perëndimor kanadez ekziston tashmë dhe impianti furnizon Azinë me gaz natyror të lëngshëm që nga viti 2025.
Deri në fillim të viteve 2030, impianti pritet të mund të furnizojë 28 milionë tonë në vit. Kështu do të renditej ndër projektet më të mëdha të gazit natyror të lëngshëm në botë. Prandaj, ëndrrat e Trumpit për gazin në Alaskë mund të treten ende./NZZ – Neue Zürcher Zeitung.














