Ballina Kronika Afera e ambalazhuesve të ujit, ngritet aktakuzë ndaj Naser Hafizit

Afera e ambalazhuesve të ujit, ngritet aktakuzë ndaj Naser Hafizit

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Naser Hafizi do të përballet në gjykatë me tri akuza të rënda që lidhen me korrupsionin.

Ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës akuzohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës, shpëlarje të parave dhe mosdeklarim të pasurisë.

Ai dyshohet se nxori vendime për favorizimin e disa bizneseve që operonin në sektorin e prodhimit të pijeve, raporton Paparaci.

Aktakuza kundër tij është konfirmuar nga gjykata, njoftoi sot Prokuroria Speciale në një njoftim për media.

Me aktakuzë në gjyq do të ballafaqohet edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, i ndaluar para rreth dy vitesh gjatë aksioneve për aferën e ambalazhuesve të ujit, në të cilën është i përfshirë kolegu i tij Naser Hafizi.

Bytyqi akuzohet për vetëm një vepër penale: atë të mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve.

Prokuroria tha se Hafizi dyshohet se nga 2021 deri më 2023, tejkaloi kompetencat me qëllim që operatorëve ekonomikë të caktuar, ambalazhues të ujit, t’u mundësojë përfitime pasurore të kundërligjshme, “duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën e përgjithshme prej 15.752.486,07 euro”.

Video bonus

“I pandehuri akuzohet se, nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim të Grupit punues Ministror. Ndërsa, pas pranimit të raportit nga ky grup, N.H operatorët me qëllim të favorizimit i ka selektuar në tri grupe, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin mbi bazën e raportimeve të tyre të paverifikuara”, tha Prokuroria Speciale në njoftim.

Po ashtu, Hafizi dyshohet se nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit punues, në caktimin e borxheve të operatorëve, duke i zvogëluar detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit.