Ballina Aktualitet Çlirim Haziri: Presidentja ta dekretojë ligjin për Specialen ose ta kthejë në...

Çlirim Haziri: Presidentja ta dekretojë ligjin për Specialen ose ta kthejë në Kuvend

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Çlirim Haziri, drejtues i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, në konferencën e sotme për media ka kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës veprime konkrete dhe angazhim të koordinuar shtetëror lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haziri ka rikujtuar se iniciativa, për 21 ditë e 21 net, qëndroi në sheshet e Prishtinës me kërkesën që institucionet të marrin përgjegjësinë që u takon pas vendimit të 16 shtatorit, të cilin e konsideron thellësisht të padrejtë.

Ai i ka bërë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës që ta shqyrtojë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili ndodhet në Presidencë.

“Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim. Nëse ka nevojë, të ndryshohet e të përmirësohet çfarëdo që duhet ndryshuar e përmirësuar”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka theksuar se UÇK-ja ka nevojë për një ligj kushtetues, të zbatueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane, që i qëndron kohës dhe prodhon rezultate konkrete.

Një nga pritjet kryesore të iniciativës, sipas Hazirit, është që mundësia e monitorimit të proceseve gjyqësore, përmes bashkëpunimit me institute, universitete dhe ekspertë të drejtësisë, të shndërrohet në një mekanizëm real, të pavarur dhe profesional.

Ky mekanizëm duhet të mundësojë vlerësimin e procedurave, provave dhe respektimit të të drejtave themelore të të akuzuarve, si dhe të prodhojë analiza juridike, raporte profesionale dhe vlerësime të pavarura, të cilat do t’u përcillen edhe institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.

“Ne nuk kërkojmë drejtësi të privilegjuar për UÇK-në. Ne kërkojmë drejtësi të drejtë!”, ka thënë ai.

Haziri ka përsëritur bindjen në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se askush nuk duhet të konsiderohet përfundimisht fajtor pa një vendim të formës së prerë, të mbështetur në prova dhe në një proces të drejtë gjyqësor.

Ai ka deklaruar se iniciativa konsideron që Gjykata Speciale ka bërë shkelje serioze gjatë procesit dhe se vendimi nuk është mbështetur në një vlerësim të drejtë, të paanshëm dhe të plotë të provave. Për këtë arsye, ka kërkuar që këto shkelje të shqyrtohen dhe të vlerësohen nga ekspertë të pavarur, mbi bazën e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Duke folur për të drejtat e viktimave, Haziri ka theksuar se edhe ato kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, të mbështetur në fakte dhe prova.

“Nuk mund t’u ofrohet viktimave një gënjeshtër në emër të së vërtetës dhe të quhet drejtësi! Drejtësia për të akuzuarit dhe drejtësia për viktimat nuk janë dy kauza kundërshtare. Ato takohen në një pikë të vetme: te e vërteta”, ka deklaruar ai.

Haziri ka përshëndetur krijimin e komisionit qeveritar për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke kërkuar që puna të fillojë menjëherë dhe të shoqërohet me ekspertizë profesionale, koordinim institucional, objektiva të qarta dhe afate konkrete.

Ai ka theksuar se çdo ditë që kalon është një ditë më shumë pritjeje për njerëzit që presin përfundimin e proceseve gjyqësore, për familjet e tyre dhe për viktimat që presin të vërtetën.

“Fakti që nuk jemi më çdo natë në shesh nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga kërkesat tona. Do ta ndjekim çdo vendim. Do ta vlerësojmë çdo veprim. Do të kërkojmë përgjigje për çdo zotim institucional”, ka thënë Haziri.

Ai ka paralajmëruar se iniciativa e ruan të drejtën për t’u rikthyer në protesta nëse institucionet nuk veprojnë.

“Nëse institucionet zgjedhin heshtjen në vend të përgjegjësisë, ne e ruajmë të drejtën tonë për t’u kthyer në shesh, për të protestuar dhe për të kërkuar llogari”, ka deklaruar ai.

Haziri ka kërkuar që Presidentja ta shqyrtojë ligjin dhe të vlerësojë nëse duhet ta kthejë për rishqyrtim apo ta dekretojë menjëherë, ndërsa Qeveria ta nisë pa vonesë punën për strategjinë shtetërore.

“Përgjegjësia shtetërore nuk përfundon me një deklaratë, me një votim apo me krijimin e një komisioni. Ajo dëshmohet me veprime dhe rezultate”, ka theksuar ai.

Në përmbyllje, Haziri ka deklaruar se UÇK-ja është pjesë e historisë, e identitetit dhe e themeleve të lirisë së Republikës së Kosovës.

“Për UÇK-në kërkojmë drejtësi. Për viktimat kërkojmë të vërtetën. Për institucionet kërkojmë përkushtim dhe punë.”