Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) paralajmëron ndryshim të kushteve atmosferike në Maqedoninë e Veriut gjatë ditëve në vijim, me reshje shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Sot, më 20 tetor, moti do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të pakta lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi juglindor.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 20 deri në 26 gradë.
Në Shkup do të mbajë mot me diell, me erë të dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura e mëngjesit do të zbresë deri në 6 gradë, ndërsa gjatë ditës do të arrijë deri në 25 gradë.
Sipas parashikimit të DPHM-së, nga pasditja e së mërkurës, 21 tetor, dhe gjatë ditëve pasuese moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje shiu.
Të enjten, më 22 tetor, priten reshje të rrëmbyeshme dhe më të dendura shiu, të shoqëruara me bubullima të herëpashershme.
Deri të enjten, nëpër lugina dhe ultësira do të ketë kushte për mjegull në orët e mëngjesit dhe vranësira të ulëta.
Të premten, më 23 tetor, pritet të fryjë erë e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor.















