Ballina Kronika Dy kosovarë në paraburgim në Gjermani, dyshohen për zjarrvënie të rënda dhe...

Dy kosovarë në paraburgim në Gjermani, dyshohen për zjarrvënie të rënda dhe tentativë vrasjeje

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Dy shtetas të Kosovës, të moshës 58 dhe 37 vjeç, ndodhen në paraburgim në Gjermani, nën dyshimin e bazuar se janë përfshirë në dy raste të rënda zjarrvënieje ndaj objekteve të banimit. Në njërin prej rasteve, autoritetet gjermane po hetojnë edhe dyshimin për tentativë vrasjeje.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë së Stuttgartit dhe Policisë së Ludwigsburgut, dy burrat ndodhen në paraburgim që nga fillimi i shtatorit 2026, pas një hetimi të gjerë të policisë kriminale.

Rasti i parë ka ndodhur më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße, në Böblingen.

Hetuesit kanë bërë të ditur se gjatë hetimeve është forcuar dyshimi se 58-vjeçari nga Kosova ka qenë i përfshirë në vënien e zjarrit në këtë apartament.

Sipas të dhënave të policisë, zjarri shkaktoi edhe një shpërthim të fortë, i cili alarmoi banorët. Të gjithë personat që ndodheshin në ndërtesë arritën të dilnin pa pësuar lëndime.

Në njoftimin e mëparshëm të policisë për këtë rast thuhej se ndërtesa e prekur dhe objektet përreth ishin evakuuar, ndërsa rreth 28 persona ishin larguar nga banesat e tyre. Dëmi material ishte vlerësuar fillimisht në rreth 50 mijë euro.

Hetimet e mëtejshme çuan edhe te një 37-vjeçar, gjithashtu shtetas i Kosovës.

Video bonus

Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari e kishte angazhuar 37-vjeçarin kundrejt pagesës për t’i vënë zjarrin një shtëpie banimi në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch, më 29 mars 2026.

Në momentin e zjarrit, brenda shtëpisë ndodhej një grua. Ajo u paralajmërua nga detektori i tymit dhe arriti të largohej nga ndërtesa pa pësuar lëndime.

Për shkak të rrethanave të rastit dhe faktit se brenda objektit ndodhej një person kur shtëpia u përfshi nga zjarri, autoritetet gjermane e kanë klasifikuar këtë ngjarje edhe si tentativë vrasjeje.

Pas hetimeve të përbashkëta me Inspektoratin Rajonal të Policisë Kriminale në Kiel, hetuesit e Policisë Kriminale të Ludwigsburgut arrestuan përkohësisht të dyshuarit në fillim të shtatorit.

Me kërkesë të Prokurorisë së Stuttgartit, dy burrat u paraqitën më 3 dhe 4 shtator 2026 para një gjyqtari të Gjykatës së Qarkut në Stuttgart.

Gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj 58-vjeçarit dhe 37-vjeçarit, të dy shtetas të Kosovës, nën dyshimin e bazuar për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje.

Urdhër-arrestet u ekzekutuan dhe të dy personat u dërguan në institucione të paraburgimit.

Prokuroria dhe policia kanë njoftuar se hetimet për rrethanat e dy rasteve dhe motivin e mundshëm janë ende në vazhdim.

Autoritetet nuk kanë publikuar identitetet e të dyshuarve dhe as hollësi të tjera për motivin e mundshëm.

Të dy personat konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë./TN