Nga Marc Caputo
Këshilltari i lartë i Trumpit, Ric Grenell, dyshohet se i ka paraqitur vitin e kaluar një miliarderi turk një ofertë të pazakontë për ndikim në këmbim të pagesës: qasje te «POTUS», në «aktivitete VIP» dhe te zyrtarë të administratës. Kjo del nga një mesazh që Axios e ka shqyrtuar dhe që po hetohet nga këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë.
- «Sapo paratë të mbërrijnë te kompania këtu, do ta organizoj donacionin për Kennedy Centre [sic], dhe ti do të marrësh pjesë në aktivitetet VIP e do të afrohesh me administratën, madje edhe me POTUS», thuhet në mesazhin e 3 majit 2025.
- Grenell i ka quajtur akuzat «gënjeshtra» dhe ka mohuar se e ka dërguar mesazhin.
Pse ka rëndësi: Zyrtarë të administratës thonë se mesazhi është një provë kyçe në hetimin e Shtëpisë së Bardhë — të urdhëruar nga presidenti Trump — për të përcaktuar nëse Grenell ka abuzuar me besimin e presidentit dhe ka përvetësuar një donacion të mundshëm prej disa milionë dollarësh për Qendrën Kennedy, të cilën Grenell e drejtonte në atë kohë.
- Grenell ushtronte edhe një detyrë tjetër në të cilën e kishte emëruar Trumpi: atë të të dërguarit të posaçëm për Venezuelën, ku edhe biznesmeni turk Turhan Mildon kishte kontrata.
- «Duhet të të bëjmë “fytyrën amerikane” atje poshtë në V», dyshohet se i ka shkruar Grenell Mildonit në të njëjtin mesazh të vitit 2025. Avokatët e Mildonit ia kanë dërguar mesazhin, të paktën një dokument financiar dhe korrespondenca të tjera zyrës së këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, sipas burimeve në dijeni të hetimit.
- Mildon është i martuar me një tjetër këshilltare të Trumpit: ish-prokuroren federale për Nju Xhersin, Alina Habba. Më 9 tetor, ajo hyri vrullshëm në Zyrën Ovale dhe e akuzoi Grenellin se ia kishte hedhur bashkëshortit të saj, duke e bindur të bënte një donacion për Qendrën Kennedy që nuk kishte mbërritur kurrë, siç raportoi fillimisht Axios.
Në fokus: Në qendër të skemës së dyshuar është një transaksion financiar që lidhet me softuerin e një kompanie private të mbrojtjes me seli në Hjuston dhe me Republikën Demokratike të Kongos, i kanë thënë Shtëpisë së Bardhë Habba dhe avokatët e Mildonit.
- Mildon pretendon se, sipas udhëzimeve të Grenellit, i transferoi 17,6 milionë dollarë kompanisë Texas Armament & Technology. Ai thotë se paratë duhej të ndaheshin në afërsisht dy pjesë: njëra për marrëveshjen me Kongon dhe gati 6 milionë dollarë për Qendrën Kennedy.
- Për të mbështetur pretendimet e tij, Mildon dorëzoi mesazhin e vitit 2025, ku flitej për donacionin për Qendrën Kennedy dhe për «softuerin» për Kongon. Në mesazhin drejtuar Mildonit, dërguesi thotë gjithashtu: «Të është dërguar një email, a mund t’i hedhësh një sy për mua?»
- Edhe ai email iu dorëzua Shtëpisë së Bardhë, së bashku me një dokument financiar të 29 majit 2025, që tregonte se 17,6 milionë dollarë i ishin transferuar kompanisë, e njohur me inicialet TXAT, thanë burimet.
Do të kalonin 17 muaj përpara se Mildon të mësonte se Qendra Kennedy nuk i kishte marrë kurrë paratë që ai mendonte se përfshiheshin në transfertën e kryer sipas udhëzimeve të Grenellit, i tha Habba presidentit.
Misteri: Pikërisht këtu historia bëhet misterioze dhe e paqartë. Nuk dihet qartë për çfarë shërbente kontrata me Kongon, çfarë lidhjeje kishte me Qendrën Kennedy apo cilat ishin hollësitë financiare.
- Mesazhi nuk përmend asnjë shumë, as për TXAT-in dhe as për Qendrën Kennedy. Por një burim në dijeni të çështjes tha se korrespondenca të tjera të dorëzuara në Shtëpinë e Bardhë përmbajnë hollësi financiare.
- Transferta financiare drejt TXAT-it nuk dukej se ishte kryer nga llogaria bankare e Mildonit, siç ia kishte paraqitur fillimisht Habba Trumpit.
Në fakt, 17,6 milionë dollarët iu transferuan TXAT-it nga «Ministère des Finances», Ministria e Financave e Kongos, në kryeqytetin Kinshasa, ku Mildon ka veprimtari biznesi dhe qasje në financa, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
- Një zëdhënës i Mildonit nuk pranoi të komentonte. Zëdhënësit e TXAT-it dhe të qeverisë së Kongos nuk u arritën për koment.
- «Po përpiqemi të zbulojmë se kujt i përkasin këto para», tha zyrtari.
Një ndërlikim tjetër: Shifrat e dhëna nga Habba ndryshonin vazhdimisht pasi ajo e njoftoi për herë të parë Trumpin për vjedhjen e pretenduar të parave të Qendrës Kennedy.
- Fillimisht, ajo tha se kontributi për Qendrën Kennedy ishte 17 milionë dollarë.
- Më pas, pasi foli me Mildonin, tha se bëhej fjalë për rreth 6 milionë dollarë. Shifra e saktë duket se është 5,6 milionë dollarë.
Pala tjetër: Grenell, i cili nuk pranoi të komentonte për këtë artikull, i kishte thënë më parë Axios se pretendimet kundër tij janë «absurde».
- «Nuk kam kërkuar kurrë që qoftë edhe një cent të dërgohej diku tjetër duke u shtirur se ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij», tha ai. «Kërkojini të japë prova për atë që thotë, në vend që të hedhë këto akuza absurde».
- Kur u njoh me formulimin e saktë të mesazhit, Grenell mohoi me forcë se e kishte dërguar, sepse fjala «center» ishte shkruar sipas anglishtes britanike, «centre», tha një burim i informuar për arsyetimin e tij.
- Aleatët e Grenellit kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për gjithçka: nga e kaluara e Mildonit si biznesmen te bashkëpunëtorët e tij, mosha e tij — ai është 29 vjeç, por disa të dhëna tregojnë se është 25 — dhe dasma e tij prej 10 milionë dollarësh muajin e kaluar me Habbën, 42 vjeçe, me të cilën nisi një lidhje vitin e kaluar.
Pika e përplasjes: Ndërsa The New York Times shqyrtonte veprimtarinë e Mildonit në Venezuelë, ai i prishi marrëdhëniet me Grenellin, me të cilin kishte pasur raporte miqësore që nga viti 2024.
- Mildon e njohu Habbën në vitin 2025, në Qendrën Kennedy.
Brenda takimit: Më 9 tetor, kur Habba mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, ishte «mjaft e ndezur», tha një zyrtar i administratës, dhe në një moment thirri: «Ric i vodhi paratë!»
- Problemi, megjithatë, ishte se Habba «nuk e kishte të gjithë materialin në rregull. Hyri atje e papërgatitur, pa i pasur të gjitha faktet, duke bërtitur se Grenell kishte vjedhur. Dhe faktet vazhdojnë të ndryshojnë», tha burimi. «Kjo nuk do të thotë se Ric e ka kaluar rrezikun. Kjo duket vërtet e dyshimtë».
- Pasi Habba parashtroi akuzat, Trump thirri në Zyrën Ovale këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, dhe i kërkoi t’i shqyrtonte pretendimet e saj, thanë burimet.
Trump dhe Scharf më pas i telefonuan Grenellit, i cili mohoi gjithçka dhe tha se do t’i kishte njoftuar menjëherë të gjithë për mundësinë e një kontributi prej 17 milionë dollarësh.
- «Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Kjo është çmenduri», i tha Grenell Trumpit në një moment, sipas një burimi të informuar për bisedën.
Prapa skenës: Scharf nisi të dyshonte në pretendimet e Habbës në fillim të javës së kaluar, sepse ajo dhe avokatët e Mildonit fillimisht u vonuan të dorëzonin dokumente që do ta ndihmonin shqyrtimin e tij, tha një burim. Dokumentet i dorëzuan të premten.
- Scharf po mbledh ende prova dhe planifikon të verifikojë gjurmën digjitale të mesazhit të vitit 2025, tha burimi, duke vënë në dukje se një kopje e shtypur e mesazhit ka të njëjtën fotografi të Grenellit që shfaqet në kartelën e kontaktit të tij në telefonin inteligjent.
- Edhe persona nga brenda Qendrës Kennedy kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë dhe kanë thënë se e shihnin shpesh Mildonin në aktivitete ekskluzive në atë institucion, çka linte të kuptohej se ishte një donator i madh. Këtu përfshihen edhe prani në lozhën e zëvendëspresidentit, ngjitur me atë të presidentit, tha një burim.
- «Ja ku Alina mund të jetë duke thënë të vërtetën: Mildon vërtet pati qasje. Atëherë, pse iu dha kjo qasje? A po bënte biznes në Kongo me Ric? Pse kaq shumë qasje, nëse kontributi nuk u pagua kurrë?», pyeti një nga zyrtarët e administratës.
- «Ka shumë pyetje. Dhe POTUS kërkon përgjigje». (Axios)















