Një siluetë që fshihet pas një peme, objektivi i dronit që afrohet, një re tymi gri dhe më pas errësirë e plotë. Prej disa muajsh, këto video nga fusha e betejës në Ukrainë tregojnë një mënyrë të re për të vrarë: nga disa kilometra larg, pas një ekrani, me një pajisje të vogël fluturuese si ndërmjetëse.
Pas kësaj lufte të filmuar nga qielli qëndron një njeri: Robert Brovdi, i njohur si “Magyar”. Që prej 3 qershorit 2025, ai është komandant i Forcave të Sistemeve pa Pilot, një degë e ushtrisë ukrainase që është shndërruar në laborator teknologjik të luftës së së ardhmes.
Megjithatë, më shumë se katër vjet më parë, asgjë nuk e paracaktonte këtë njeri me pamje të rreptë dhe buzëqeshje të rrallë që të bëhej një nga figurat e luftës që po shkatërron lindjen e Evropës. Por konfliktet i përmbysin jetët dhe rrugët e njerëzve marrin drejtime të papritura. Me origjinë nga Ukraina perëndimore, Robert Brovdi, përpara pushtimit rus në shkallë të gjerë, ishte sipërmarrës në sektorin bujqësor. Pasi kishte punuar në ndërtim, ai mori drejtimin e Khlib Investbud, një kompani e specializuar në tregtinë e drithërave.
Veprimtaria profesionale e çoi të jetonte për disa vite në Kinë, Hong-Kong dhe Singapor, por edhe të kishte kontakte me qarqet e pushtetit ukrainas, veçanërisht me ato të ish-presidentit Viktor Jushçenko. Megjithatë, në këtë rrugëtim nuk mungojnë disa zona të errëta. Në vitin 2011, Kyiv Post raportoi akuza sipas të cilave Khlib Investbud kishte përfituar nga lidhje të privilegjuara dhe nga kuotat e eksportit. Brovdi i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si pjesë të një fushate denigruese.
“Zogjtë e Magyarit”
Disa javë përpara pushtimit rus, ndërsa trupat e Vladimir Putinit po grumbulloheshin në kufirin ukrainas, ai vendosi t’i bashkohej mbrojtjes territoriale. Objektivi i tij në atë kohë ishte mjaft tradicional: të mësonte të përdorte armën dhe të merrte pjesë në mbrojtjen e vendit të tij.
Por, sapo nisi konflikti, ai u përfshi shumë shpejt në vorbullën e luftimeve dhe mori pjesë në operacionet ushtarake. Ai kontribuoi në evakuimin e civilëve në Irpin dhe më pas në luftimet në Buça dhe Borodianka. Pikërisht kur njësia e tij u dërgua në frontin e Hersonit, Brovdi filloi të kërkonte një mënyrë tjetër për t’i vënë në përdorim aftësitë e tij si sipërmarrës. Në vend që të mbetej vetëm në llogoret që po hapeshin përgjatë gjithë vijës së frontit, ai iu drejtua dronëve, përdorimi i të cilëve në atë kohë ende nuk ishte i përhapur.
Në maj 2022, ai mblodhi ekipin e parë të vullnetarëve dhe krijoi një njësi të zbulimit ajror, të cilën e quajti “Magyar’s Birds” – “Zogjtë e Magyarit” – sipas nofkës së tij të luftës dhe origjinës së tij hungareze. Disa muaj më vonë, njësia eksperimentoi me dronët e saj të parë FPV dhe gradualisht kaloi nga zbulimi te goditjet.
Rritja e saj ishte e shpejtë: togë, kompani, batalion dhe më pas regjiment. Në vitin 2024, “Zogjtë e Magyarit” u shndërruan në Brigadën e 414-të të Aviacionit Sulmues pa Pilot. Motoja e saj e përmbledh këtë mënyrë të re të zhvillimit të luftës: “Sytë dhe thumbi”.
Lufta e një sipërmarrësi
Robert Brovdi nuk e shpiku dronin ushtarak, por e kuptoi shumë herët se si përdorimi i tij mund të industrializohej. Duke përfituar nga procesi i “desovjetizimit” që po zhvillohet në ushtrinë ukrainase dhe nga fleksibiliteti që ai ofron, Brovdi i transferoi reflekset e tij prej sipërmarrësi në botën ushtarake: të bësh më mirë, edhe kur mjetet janë të kufizuara.
Por këtë herë nuk bëhej më fjalë për drithëra, por për dronë. Njësia e tij funksionon si një kompani e mirëfilltë teknologjike, e përbërë nga burra dhe gra të ngarkuar me mbledhjen e fondeve, blerjen e dronëve dhe analizimin e përvojës së fituar nga përdorimi i tyre në terren.
“Detyra është të ndërtojmë një ekosistem në të cilin dronë me kosto të ulët dhe me performancë të mjaftueshme, krahas mjeteve të tjera, të mund të përdoren në mënyrë efikase”, shpjegonte ai për Wall Street Journal në shtator.
Matematika është e pranishme kudo. Ndonjëherë, me rrezikun që vdekja të zhvishet nga dimensioni njerëzor dhe të fshihet pas statistikave. Për “Magyarin”, rusët nuk konsiderohen si të tillë. “Unë nuk vras qenie njerëzore, unë vras parazitë”, deklaroi ai gjatë një takimi me Le Monde.
Sipas shifrave ukrainase, dronët tashmë do të ishin shkaktarë të pjesës dërrmuese të humbjeve ruse në fushën e betejës: në mars 2026, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ua atribuonte atyre 33.988 humbje ruse nga më shumë se 35.000 gjithsej, ose rreth 96 për qind.
Një objektiv prioritar
Nga ana e tij, Robert Brovdi vlerësonte, gjatë një interviste me agjencinë Reuters, se forcat e dronëve, të cilat përfaqësojnë vetëm 2,5 për qind të efektivit të ushtrisë ukrainase, do të ishin përgjegjëse për rreth një të tretën e humbjeve ruse gjatë 12 muajve të fundit.
Ndërsa dronët po zënë një rol gjithnjë e më të madh në teatrin e operacioneve dhe goditjet në territorin rus po shtohen, Moska e ka shndërruar “Magyarin” në një objektiv prioritar.
I dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm në mars 2026, komandanti ukrainas e kishte përqeshur atëherë një procedurë që ai e konsideronte të përshpejtuar. Disa muaj më vonë, Kremlini thuhet se vendosi një shpërblim prej 20 milionë dollarësh për kapjen ose eliminimin e tij, sipas Wall Street Journal.
Që prej atëherë, masat e sigurisë rreth shtabit të tij janë përforcuar edhe më shumë. Brovdi, ndërkaq, vazhdon të shfaqë vendosmërinë e tij.
“Lufta nuk do të përfundojë së shpejti, por unë dua të qëndroj në ushtri”, deklaroi ai për Le Monde në korrik./ L’Express















