Ballina Aktualitet Nesër i jepet lamtumira e fundit Komandant Xhaxhit, do të prehet në...

Nesër i jepet lamtumira e fundit Komandant Xhaxhit, do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Familja Rifati ka bërë të ditura hollësitë për lamtumirën e fundit të Enver Rifatit – Komandant Xhaxhi, i cili ndërroi jetë më 26 tetor 2026 në Gjermani. Varrimi do të bëhet të premten, më 6 nëntor 2026, ndërsa namazi i xhenazes do të falet pas namazit të Ikindisë.

Njoftimi është bërë publik nga i biri Avni Rufati, i cili ka njoftuar familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe respektuan Enver Rifatin për organizimin e ceremonisë mortore.

Sipas njoftimit, falja e namazit të xhenazes do të bëhet pas namazit të Ikindisë, në Varrezat e Qytetit.

Pas faljes së xhenazes, kortezhi mortor do të vazhdojë drejt Varrezave të Dëshmorëve, ku Enver Rifati – Komandant Xhaxhi do të përcillet në banesën e fundit.

Familjarët, në njoftimin e tyre, kanë shprehur dhimbjen për humbjen, duke theksuar se emri, vepra, sakrifica dhe kujtimi i tij do të mbeten të gjalla.

“Me dhimbje të madhe në zemër do ta përcjellim në banesën e fundit, por emri, vepra, sakrifica dhe kujtimi i tij do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona”, thuhet në njoftimin e familjes.

Enver Rifati ndërroi jetë në Gjermani

Enver Rifati, i njohur si Komandant Xhaxhi, ndërroi jetë më 26 tetor 2026 në Gjermani, ku kishte jetuar dhe punuar gjatë periudhës së fundit të jetës.

Ai ishte nga Malësia e Tetovës dhe njihej për angazhimin e tij në periudha të ndryshme të luftërave të shqiptarëve në rajon.

Sipas dëshmive dhe materialeve të publikuara pas vdekjes së tij, Rifati kishte qenë i angazhuar në luftën e Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

Ai ishte gjithashtu vëllai i dëshmorit Fadil Rifati, i cili ra gjatë luftimeve të vitit 2001 në rajonin e Tetovës.

Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, familjarë, miq, bashkëluftëtarë dhe figura publike publikuan mesazhe të shumta ngushëllimi dhe përkujtimi.

Pas vetes, Enver Rifati ka lënë bashkëshorten, një djalë, pesë vajza dhe dy vëllezër, si dhe familjarë, miq e bashkëluftëtarë të shumtë.

Tashmë, pas përfundimit të procedurave për sjelljen e tij në vendlindje, familja ka konfirmuar edhe organizimin e lamtumirës së fundit:

E premte, 6 nëntor 2026
Xhenazja: Pas namazit të Ikindisë, në Varrezat e Qytetit
Varrimi: Në Varrezat e Dëshmorëve

“Lavdi jetës dhe veprës së tij! I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, përfundon njoftimi i familjes.

Nga burgu i vitit 1994 në tri luftëra dhe emigracion: Ndahet nga jeta në Gjermani Enver Rifati – Komandant Xhaxhi, vëllai i dëshmorit Fadil Rifati