Nga Baptiste Gauthey – L’Express, 5 nëntor 2026
Në një tren të nisur nga Praga, një grua e re shkruan furishëm në tastierën e laptopit të saj. Katër orë e ndajnë nga destinacioni, stacioni qendror i Vjenës, dhe, me sa duket, programi i qëndrimit të saj ende nuk është përcaktuar. Kur nuk po shfleton blogje udhëtimesh për kryeqytetin austriak, ajo kalon nga faqet e Wikipedia-s te kërkimet e njëpasnjëshme në Google apo te “vlog”-jet – video personale të publikuara në YouTube – për dhjetë adresat më të mira ku mund të shijojë një Wiener Schnitzel.
“ChatGPT ma prishi udhëtimin”
Por kjo skenë së shpejti mund t’i përkasë së kaluarës: me zhvillimin e inteligjencës artificiale gjenerative, gjithnjë e më shumë udhëtarë po i zëvendësojnë kërkimet në Google me prompt-e në ChatGPT. Megjithatë, edhe pse përdorimi i IA-së në zakonet tona të udhëtimit po rritet, entuziazmi nuk është aspak unanim në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Këtë e dëshmon edhe mënyra se si tema trajtohet në media. Në Wall Street Journal, për shembull, gazetari Jamie Waters rrëfen se si IA-ja e përdorur nga nëna e tij ua prishi pushimet familjare. Revista britanike GQ, nga ana tjetër, titullon: “Na vjen keq, por IA-ja nuk mund të organizojë pushime fantastike”. Madje edhe faqja e specializuar për teknologji 01net ka publikuar një artikull me titullin: “ChatGPT ma prishi udhëtimin: makthi i turistëve që i besojnë verbërisht IA-së”. Ndërsa Télérama shtron pyetjen: “A nuk po i çon IA-ja të gjithë në të njëjtin vend?”. Kësaj i shtohen një mori rrëfimesh udhëtarësh, të cilët gabimet e kësaj teknologjie i kanë futur në situata absurde, madje edhe të rrezikshme. I tillë ishte rasti i dy alpinisteve të reja në Pirenej, të cilat u shpëtuan nga një guidë malore pasi humbën rrugën duke ndjekur një hartë dhe një itinerar të gjeneruar nga IA-ja.
Për kritikët e inteligjencës artificiale, lista e ankesave është e gjatë: standardizimi i udhëtimeve, mungesa e spontanitetit, halucinacionet që prodhojnë përgjigje të rreme ose të sajuara… Gjithçka kjo nuk të nxit aspak ta fusësh udhërrëfyesin e vjetër Guide du Routard në një kuti në fund të papafingos. Prandaj nuk është për t’u habitur që niveli i besimit te rezultatet e gjeneruara nga IA-ja nuk kalon 20 për qind në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, ndërsa besimi ndaj agjentëve të udhëtimeve lëviz midis 33 dhe 42 për qind.
Një mosbesim që mund t’i duket i tepruar kujtdo që e ka provuar vetë se IA-ja mund ta lehtësojë ndjeshëm organizimin e pushimeve: zgjedhjen e destinacioneve, hartimin e një itinerari koherent dhe realist, identifikimin e pjatës më “tradicionale” në një meny, përkthimin e tabelave shpjeguese në muze, marrjen e informacioneve mbi kulturën lokale e kështu me radhë. Megjithatë lind një pyetje: a nuk paguhet kjo ndihmë me heqjen dorë nga vullneti ynë i lirë dhe nga ajo që i jep shije një udhëtimi të suksesshëm – rastësia dhe spontaniteti?
Më shumë liri dhe fleksibilitet?
Kur i shtrohet kjo pyetje, eksperti Paul Arseneault rrotullon sytë: “Ky është një nga klishetë më të përhapura për IA-në dhe një nga ato që më bezdis më shumë. Jo vetëm që nuk është kështu, por është krejt e kundërta! IA-ja i jep udhëtarit më shumë liri dhe fleksibilitet”, thotë ai, i cili sapo është emëruar në krye të Observatorit të ri të Inteligjencës Artificiale, të Dhënave dhe Turizmit në Universitetin e Kebekut në Montreal (UQAM).
“Fuqia e IA-së nuk qëndron në gjetjen e informacionit, por në mbledhjen e tij nga burime të ndryshme dhe vlerësimin sipas disa kritereve.”
Yoonjung Kim, doktorante në Universitetin e Surrey-t
Një përvojë e zhvilluar këtë verë nga autori i këtyre rreshtave, gjatë rrugës ndërmjet ishullit Lefkada dhe Mikenës, në Greqi, e ilustron këtë. Atë mbrëmje ishte tashmë ora 20:00 dhe gjetja e një restoranti ishte bërë sfidë. Në ndihmë u thirr ChatGPT. Kriteret: pjata nën tridhjetë euro, kuzhinë mesdhetare, tarracë buzë ujit dhe, mbi të gjitha, një lokal ku mund të arrihej pa bërë devijim të madh nga rruga. Brenda pak sekondash, IA-ja identifikoi një restorant në Aigio, me pamje të mrekullueshme mbi Gjirin e Korintit dhe me raport të pakrahasueshëm cilësi-çmim. Pa ndihmën e saj, darka me shumë gjasa do të ishte ngrënë në një pikë pushimi autostrade, për shkak të mungesës së kohës dhe njohurive për zonën.
“Kjo aftësi për të përpunuar dhe kombinuar sasi të mëdha informacioni të shpërndarë është një nga fushat ku IA-ja gjenerative mund të sjellë vlerë të vërtetë”, na shpjegon Yoonjung Kim, doktorante në Universitetin e Surrey-t dhe specialiste për rolin e IA-së gjenerative në vendimmarrjen që lidhet me udhëtimet. “Fuqia e saj nuk qëndron në gjetjen e informacionit, por në mbledhjen e tij nga burime të ndryshme dhe vlerësimin sipas disa kritereve. Në këtë mënyrë, udhëtarët mund t’i përshtatin më lehtë planet e tyre ndërsa ndryshojnë rrethanat, nevojat dhe preferencat.”
Çështje përdorimi
Për studiuesen, frika nga një “standardizim i udhëtimeve” mbetet megjithatë “legjitime”, sepse IA-ja “mund të prodhojë realisht itinerare të përgjithshme, të rekomandojë vende të njohura dhe t’i drejtojë udhëtarët drejt zgjedhjeve të ngjashme”. Por, sqaron ajo menjëherë, IA-ja e kufizon vullnetin e lirë vetëm nëse përdoruesi nuk është proaktiv në përdorimin e saj: “Nëse dikush thjesht pranon itinerarin e parë të prodhuar nga sistemi, IA-ja mund ta zvogëlojë realisht gamën e zgjedhjeve ose të inkurajojë një formë pasive të vendimmarrjes. Por, nëse udhëtari e përdor për të eksploruar mundësitë, për të krahasuar alternativat, për të kundërshtuar rekomandimet dhe për të shprehur qartë atë që dëshiron, IA-ja në fakt mund t’i japë atij më shumë kontroll.”
“Pakënaqësia ndaj inteligjencës artificiale shpesh lidhet me njohjen jo të plotë dhe përdorimin e gabuar të mjetit.”
Seunghun Shin, profesor në
Me fjalë të tjera: aftësia e kësaj teknologjie për t’iu përgjigjur nevojave tona varet para së gjithash nga mënyra se si e përdorim. Për Paul Arseneault, rezistenca jonë e mundshme tregon mbi të gjitha mungesë të njohurive bazë mbi IA-në: “Në studime, ata që deklarojnë përdorim të ulët të IA-së janë gjithashtu ata që shfaqin nivel të lartë mosbesimi ndaj kësaj teknologjie.”
Seunghun Shin, profesor në School of Hotel and Tourism Management të Universitetit Politeknik të Hong-Kongut, thotë të njëjtën gjë: “Pakënaqësia ndaj inteligjencës artificiale shpesh lidhet me njohjen jo të plotë dhe përdorimin e gabuar të mjetit. Njerëzit që janë të familjarizuar me IA-në, ndërkaq, i njohin kufizimet e saj. Sa më shumë ta përdorni, aq më shumë mësoni se kur duhet të tregoheni mosbesues dhe të verifikoni, dhe aq më të aftë bëheni për të dalluar detyrat në të cilat ajo do të jetë efikase nga ato ku do të ketë kufizime.”
Kështu, dy alpinistet në Pirenej mund t’i kishin shmangur shumë nga problemet e tyre po ta kishin ditur se hartat e gjeneruara nga IA-ja mbeten pak të besueshme, deri në atë pikë sa ndonjëherë shpikin shtete apo bashkojnë kontinente.
“Paradoksi i rutines së vrapimit”
Për Marion Carré, autore e librit Paradoxe du tapis roulant : Vaincre notre paresse intellectuelle face à l’IA (JC Lattès, 2025), rreziku qëndron para së gjithash në delegimin e verbër të vendimmarrjes te teknologjia. Influencuesja Mery Caldass e provoi këtë në gusht 2025, kur iu refuzua hipja në një fluturim për në Porto Riko: ChatGPT i kishte thënë se nuk kishte nevojë për vizë – gjë që ishte e vërtetë – pa i sqaruar se megjithatë i nevojitej një ESTA. “Problemi këtu është se IA-ja gjenerative është projektuar për të na nxitur të delegojmë. Një përdorim i mirë, përkundrazi, nënkupton ta vësh vazhdimisht në pikëpyetje, të ruash sa më shumë mendimin kritik, të reflektosh vetë…”, shpjegon bashkëthemeluesja e Ask Mona, një startup i krijuar më 2017 që zhvillon agjentë bashkëbisedues për institucionet kulturore.
Larg idesë së përhapur se IA-ja na mundëson të bëjmë më shumë duke bërë më pak, përdorimi i saj i mirë kërkon, përkundrazi, një investim real në kohë dhe energji. Për ta ilustruar këtë, Marion Carré flet për “paradoksin e rutines së vrapimit”: “Duhet shmangur përdorimi ‘shirit transportues’ i inteligjencës artificiale, që konsiston në dëshirën për të kursyer kohë dhe për të bërë sa më pak përpjekje. Pikërisht këtu rrezikojmë të zhgënjehemi më shumë dhe të përballemi me rreziqet e homogjenizimit dhe standardizimit. Përkundrazi, modelet e mëdha gjuhësore (LLM) duhen parë si një ‘rutinë vrapimi’, që të detyron të jesh proaktiv, të mendosh vetë përpara se ta pyesësh IA-në, të qëndrosh vigjilent për të dalluar gabimet e saj e kështu me radhë.”
Yoonjung Kim, nga ana e saj, flet për “rishpërndarjen e punës njohëse ndërmjet udhëtarit dhe sistemit digjital”: gjykimi dhe përgjegjësia mbeten në dorën e të parit, ndërsa i dyti ndërhyn si mbështetje në etapa të caktuara të procesit.
Një sektor turistik tashmë i transformuar
Nevoja për të ruajtur mendimin kritik bëhet veçanërisht e rëndësishme kur IA-ja merr rolin e guidës turistike. Mjeti mund ta përmirësojë ndjeshëm përvojën e vizitorëve: duke i dërguar fotografi të tabelave shpjeguese LLM-së së tij të preferuar, një udhëtar që nuk e flet gjuhën e vendit mund, për shembull, ta dëgjojë përkthimin ndërsa ecën nëpër sallat e muzeut, ose thjesht t’i kërkojë informacione të përgjithshme mbi vendin.
“Ky ChatGPT është një këshilltar i keq.”
Klára Benešovská, medievistе çeke
Megjithatë, në praktikë, sistemet e përgjithshme të IA-së – si Claude, ChatGPT apo Gemini – vazhdojnë t’i tregojnë kufizimet e tyre. Një shembull u pa gjatë një vizite në Kështjellën e Pragës dhe Katedralen e Shën Vitusit me ChatGPT, ku L’Express i kërkoi historianes së artit dhe medievistes çeke Klára Benešovská të rishikonte tërësisht shkëmbimet tona me IA-në.
Verdikti: “Ky ChatGPT është një këshilltar i keq. Vërtet, herë pas here jep informacione të përgjithshme mbi historinë e kështjellës, por gabon edhe në topografinë më elementare dhe mjaftohet me banalitetet, në vend që të japë informacione të qarta dhe të sakta. Nëse merrni çfarëdo guide të shtypur për Kështjellën e Pragës, do të gjeni shpejt dhe në mënyrë koncize informacione të sakta se ku ndodheni, çfarë po shikoni dhe cila është rëndësia e atij vendi në historinë e vendit. Nuk do t’ua rekomandoja vizitorëve.”
Nëse IA-të e përgjithshme ende nuk janë në nivelin e duhur – dhe asgjë nuk garanton se kjo nuk do të ndryshojë në muajt e ardhshëm – sektori i turizmit synon t’i shfrytëzojë mundësitë që ofron kjo teknologji duke krijuar mjetet e veta bashkëbiseduese. Marion Carré, startup-i i së cilës tregton pikërisht këtë lloj mjeti, e ka kuptuar mirë këtë: “Ndonjëherë, IA-të mund të kenë ‘halucinacione’ dhe të shpikin informacione sepse nuk kanë burimin e duhur, ndërsa për një vizitor që nuk është ekspert i fushës është shumë e vështirë të kuptojë nëse ajo që po mëson është e vërtetë apo jo. Pikërisht për këtë arsye disa muze dhe institucione duan të krijojnë IA-në e tyre, të cilën mund ta ushqejnë me informacione të certifikuara.”
Kështu, Ask Mona, në bashkëpunim me Metropolitan Museum of Art në Nju Jork, ka krijuar një sistem të lançuar këtë vit që mundëson komunikimin me zë ose me shkrim me katër skulptura mesjetare. Dhe teknologjia nuk është e rezervuar vetëm për institucionet më të mëdha kulturore. Musée départemental Arles antique iu drejtua Ask Mona-s për ekspozitën kushtuar Venusit të Arles-it, për të paraqitur një avatar të animuar të statujës, të aftë t’u përgjigjet pyetjeve të vizitorëve.
Hyrja e inteligjencës artificiale në fushën e turizmit shtron një pyetje më të gjerë dhe, ndoshta, më të vështirë për t’u zgjidhur sesa sfidat teknike: pranimin e saj nga popullsia. Sipas një sondazhi krahasues të publikuar në prill 2026, vetëm 24 për qind e evropianëve dhe amerikano-veriorëve thonë se e kanë përdorur tashmë IA-në për të përgatitur një udhëtim, krahasuar me 69 për qind të indianëve, 60 për qind të emiratasve dhe 54 për qind të malajzianëve.
“Aziatikët janë më të familjarizuar dhe më aktivë me këtë mjet sesa evropianët dhe amerikanët, sepse kanë shumë më pak dyshime për efektivitetin dhe aftësitë e tij”, shpjegon eksperti Seunghun Shin.
Një tregues se, edhe pse IA-ja po i transformon tashmë udhëtimet tona, ndoshta do t’i duhet më shumë kohë për të revolucionarizuar mentalitetet.






























