Ballina Lajme Hungaria ende në heshtje për ekstradimin e Gruevskit

Hungaria ende në heshtje për ekstradimin e Gruevskit

Institucionet hungareze akoma heshtin për kërkesën e Qeverisë së Maqedonisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili para një muaji u arratis nga Maqedonia në këtë vend anëtar të BE-së, ku më pas ka marrë azil politik.

Gruevski u largua nga Maqedonia në momentet kur duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit dyvjeçar me burg për rastin me furnizimin e mercedesit luksoz.

Derisa ekipet e gazetarëve dhe furnizuesit gjyqësorë e kërkuan adresën e tij, ish-kryeministri i Maqedonisë udhëtoi për në Hungari, përmes vendeve ballkanike fqinje, transmeton alsat -m .

“Nuk ka afat për përgjigje apo ekstradimin e personit të gjykuar”, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Por përvojat paraprake me ekstradimin e personave të gjykuar nga Hungaria siç ishte rasti në shtator, për shembull, janë zgjidhur shumë shpejtë. Megjithatë, rasti me Gruevskin është shumë specifik pasi bëhet fjalë për person, ish-kryeministër, i cili ka marrë azil politik në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian.

“Parë në aspektin juridik, specifika e këtij rasti është tek azili”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë duke theksuar se personi, kushdo qoftë, derisa ka mbrojtje ndërkombëtare nuk mund të ekstradohet në vendin amë.

Tetova News në YouTube:

Në rastin me Gruevskin, sipas procedurave për azil të Zyrës së Hungarisë për migrim çdo tre vjet përsëri shqyrtohet statusi i secilit që ka marrë azil në Hungari. Por, mbetet të shohim nëse do të pritet kaq kohë për rianalizimin e azilit dhe për ish-kryeministrin e Maqedonisë i cili ka marrëdhënie të afërta miqësore me kryeministrin aktual hungarez, Viktor Orban.

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë kërkesën për ekstradim e ka dorëzuar më 20 nëntor të këtij viti deri tek Ministria kompetente hungareze për ekstradim, por të njëjtën ditë Gruevski në një status në profilin e tij në Facebook publikoi se ka marrë azil politik në Hungari.

Ndërkohë, Gruevskit në mungesë i janë shqiptuar disa masa paraburgimi, por të paraburgosur janë bashkëpartiakët e tij për vepra për të cilat edhe ai akuzohet si Mile Janakievski, Kirill Bozhinovski…

Herën e fundit ish kryeministri i arratisur i është drejtuar opinionit në Maqedoni përmes një statusi në Facebook më 20 nëntor.

“Republika e Hungarisë, shtet anëtare e BE-së dhe NATO-s, sot është përgjigjur pozitivisht në kërkesën time paraprake për azil politik për shkak të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë. Në kërkesën për azil politik theksova se të njëjtën e kërkoj për shkak të ndjekjes politike nga qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM”, qëndron në statusin hyrës, njëherësh edhe i fundit në profilin e tij në Facebook.

Por, nuk dihet nëse ish kryeministri i Maqedonisë ende është në Budapest apo ka vazhduar rrugën.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka thënë se nuk e humb shpresën për dërgimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Maqedoni edhe përkundër qëndrimit të komisionarit për Zgjerim Johaness Hahn, i cili dyshon se kjo do të ndodhë dhe faktin se as Parlamenti Evropian nuk mund të bëjë asgjë lidhur me këtë çështje.