Ballina Shëndeti Tiroidja, ja 7 simptomat që nuk duhet t’i nënvlerësosh asnjëherë

Tiroidja, ja 7 simptomat që nuk duhet t’i nënvlerësosh asnjëherë

Hormonet janë mediatorët që bëjnë të mundur një status ekuilibri në trupin tonë në çdo situatë. Në raste të caktuara, sinteza dhe sekretimi i tyre shtohet ose pakësohet duke ju përshtatur edhe ndikimeve nga mjedisi i jashtëm.

Tiroidja është një gjendër endokrine e vendosur në pjesën e përparme të qafës, pak më poshtë laringut dhe ka një rëndësi shumë të madhe për mirëqenien tonë, por ndonjëherë ajo mund të bëhet subjekt i insuficiencave, apo një sërë patologjish të tjera, të cilat sjellin ulje të sekretimit të hormoneve të tiroides duke sjellë një sërë simptomash dhe shenjash në organizmin tonë. Por cilat mund të jetë sinjalet që gjendra jonë e tiroides nuk po funksionon siç duhet? Shenjë kryesore mbetet gusha, pra zmadhimi i dukshëm i gjendrës së tiroides në qafë.

Femrat kanë një avantazh për të kuptuar më mirë, nëse gjendra e tyre e tiroides po funksionon mirë apo keq : menstruacionet e tyre. Nëse menstruacionet tuaja janë normale në sasi dhe në periudhat kohore të llogaritura sipas jush, atëherë nuk keni pse të shqetësoheni. Në raste të menstruacioneve të parakohshme, apo të vona, ose në rastet e sasive të larta apo të ulëta të hemorragjisë gjatë ciklit, atëherë duhet të dyshoni për shenja të një hiper ose hipotiroidizmi.

Nxehtësia trupore është një ndjesi subjektive nga secili prej nesh. Kjo gjë mund të dallohet lehtësisht, nëse shohim se sa janë veshur njerëzit në rrugë. Dikush mund të jetë veshur shumë trashë dhe dikush tjetër pranë tij/saj mund të jetë veshur më hollë. Përgjithësisht, në rast se vuani nga hipertiroidizmi ju do të ndjeni nxehtësi gjatë pjesës më të madhe të kohës, ndërsa në hipotiroidizëm ju do ta ndjeni të nevojshme të visheni sa më trashë, për shkak të ndjesisë së të ftohtit që do të keni.

Pesha trupore është faktor tjetër që duhet ta vini re tek vetja juaj. Normalisht që për rregullimin e peshës trupore, si dhe të nevojave energjitike nuk kontribuon vetëm gjendra e tiroides, por edhe faktorë të tjerë hormonalë, nervorë dhe metabolikë. Por edhe tiroidja ka një rëndësi shumë të madhe në këtë kontroll. Ajo që vihet re më së shumti, është rënia e konsiderueshme në peshë në rastin e një personi që vuan nga hipertiroidizmi. Pra, personi në fjalë bie në peshë, edhe pse mund të konsumojë ushqim po njësoj sa më parë, apo ndoshta dhe më shumë. E kundërta ndodh me personat që vuajnë nga hipotiroidizmi. Ata shtojnë në peshë, nëse të ushqyerin e mbajnë në të njëjtën sasi sa më parë.

Flokët. Vihet re se në keqfunksionimet e gjendrës së tiroides, ka një rënie të shtuar të flokëve, për shkak të humbjes së fortësisë së rrënjës së tyre. Kjo gjë duhet t’ju shtyjë në përdorimin e produkteve të caktuara farmaceutike, apo kozmetike për ta shmangur rënien, por edhe drejt një vizite me një mjek endokrinolog.

Shenjat e tjera të disfunksionit tiroidjen përfshijnë lodhjen, dhimbjet muskulare, ankthin, stresin, apo axhitimin nervor. Këto shenja mund të jenë edhe normale në situata të caktuara, ndaj nuk duam të shqetësoheni përpara se të merrni rezultatet e analizave tuaja, apo përpara se të bëni vizitën me mjekun përkatës. Mirëpo nëse vini re disa prej këtyre shenjave, mos ngurroni të bëni një vizitë për të qenë të sigurtë lidhur me gjendjen tuaj shëndetësore, pasi problemet me gjendrën e tiroides janë të shumta dhe sjellin tepër shqetësime për organizmin. / Bota.al

Artikulli paraprakZoti do të ta sigurojë një zgjidhje, edhe kur gjithçka të duket e pamundur
Artikulli tjetërDashuria kalon në pesë stade. Shumica e njerëzve nuk kalon dot as të tretin