Ballina Aktualitet Opinione Perëndi, qoften tonë të përditshme falna sot

Perëndi, qoften tonë të përditshme falna sot

Nga Enver Robelli

U nisëm për të kërkuar lirinë dhe e gjetëm. Fatkeqësisht, nuk e dinim se liria do të shndërrohet në qofte. Sot të kesh një qofte është sinonim i lirisë. Më shumë ambicie – me sa duket – nuk kemi. Nuk është aspak për t’u befasuar që shembjen e sistemit të vlerave nuk e vërejmë fare, sepse jemi të preokupuar me betejën e përditshme për një qofte, një copë bukë, pak kripë dhe një flegër të domates. Kulmi i kënaqësisë!

Raportimet pothuaj të përditshme për aferat korruptive të pushtetarëve, për pasojat e qeverisjes së keqe shumëvjeçare, për pasurimin marramendës të politikanëve, për nepotizmin, për pazaret skandaloze me resurset shetetërore, për tenderët e manipuluar – të gjitha këto lajme shërbejnë vetëm për të qeshur – herë me qejf, herë me zor – ndërsa shijojmë qoften e shumë-ëndërruar. Qeshim deri në gajasje, flemë dhe ditën tjetër vrapojmë për të futur në grusht një qofte.

Rabini Pinhas Hirschprung thoshte: «Të gjitha shakatë burojnë nga parajsa, bile edhe nënqeshja vjen nga atje, nëse vjen nga zemra e pastër». Pushteti i keq i ndot zemrat dhe varfëron njerëzit. Të varfëruar, ata së pari duan të shtrëngojnë në grusht një copë bukë me qofte para se të mendojnë për gjëra të tjera të rëndësishme.

Qeshim dhe shijojmë qoften tonë të përditshme, sepse nuk kemi fuqi të ndëshkojmë politikanin që i kalon pushimet në një hotel ku një suitë për një javë kushton rreth 25 mijë euro. (Afërsisht 60 rroga arsimtari). Qeshim dhe shijojmë qoften tonë të përditshme, sepse nuk kemi fuqi të ndëshkojmë politikanin që thotë se e ka parë të nevojshme t’ia rrisë rrogën vetes për shkak se duhet të blejë kravata. Qeshim dhe shijojmë qoften tonë të përditshme, sepse nuk kemi fuqi të zgjedhim politikanë që shërbejnë, por durojmë bajraktarë që vjedhin. Qeshim dhe shijojmë qoften tonë të përditshme, sepse nuk kemi fuqi të nxjerrim në gjyq ata që për tri dekada me radhë grabisin Shqipërinë nga Saranda në Shkodër.

Si është e mundur të durohet një pushtet që për një kilometër rrugë nga buxheti i vendit ndan mes 12 dhe 16 milionë euro? Si është e mundur t’u jepet besimi politikanëve të lidhur me oligarkë që grabisin resurset e Shqipërisë? Si është e mundur të tolerohen ministra që duan të privatizojnë çdo lumë e çdo mrekulli natyrore nga jugu në veri? Si është e mundur të ketë ambicie për pushtet një politikan që do të duhej të jetë qëmoti i dënuar për keqpërodrime masive në projekte të mëdha infrastrukturore? Si është e mundur që gati çdo ditë në mediat e huaja Shqipëria të përshkruhet si «Kolumbi e Europës» dhe askush të mos japë përgjegjësi në Tiranë?

Kjo kërshëri pothuaj fëmijërore për kusarinë politike çdo popull e veçon nga bota përparimtare. Siç i ka veçuar shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. Të përshtatesh me lirinë po del të jetë punë gati po aq e vështirë se arritja e lirisë. Perëndi, qoften tonë të përditshme falna sot. Lirinë e vërtetë – ndoshta e gjejmë ndonjëherë tjetër.

@tn.lajmelokale
@tetovanews