Ballina Aktualitet Opinione Gojëndyrë dhe të papërgjegjshëm

Gojëndyrë dhe të papërgjegjshëm

Nga Enver Robelli

Zonja dhe zotërinj, lexuese dhe lexues: në Tiranë ka filluar loja «Ti je me serbin». Debat serioz dhe logjikë të shëndoshë nuk ka në këtë lojë. Burrat e mëdhenj të kombit të madh shqiptar duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit, korbat e kuvendit kanë nisur fluturimin. Për liderin gjigant socialist Edi Rama nuk ka dilemë se lideri gjigant demokrat Sali Berisha e ka furnizuar me armë «Kasapin e Ballkanit». Fjala është për Sllobodan Millosheviqin.

Vitet ’90 në Ballkan kanë qenë vite të kontrabandës për shkak të sanksioneve të OKB-së kundër asaj që quhej Republika Federale e Jugosllavisë (e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi). Ka raporte të besueshme se edhe nga territori i Shqipërisë janë shkelur sanksionet, me fjalë të tjera – është kontrabanduar naftë. Siç është kontrabanduar nga Maqedonia, nga Bullgaria, nga Rumania dhe nga Hungaria. Në Srebrenicë një njësi nacionalistësh grekë ka marrë pjesë madje në shfarosjen e burrave boshnjakë. Mbi rolin destruktiv të Greqisë në konfliktet ballkanike të viteve ’90 gazetari Takis Mihas ka shkruar një libër («Aleanca e pashenjtë», botuar nga shtëpia botuese «55» në vitin 2005). Por, a keni dëgjuar udhëheqës në Athinë, Sofje, Budapest, Bukuresht apo Shkup duke i akuzuar paraardhësit e tyre se kanë furnizuar «Kasapin e Ballkanit» me armë apo me naftë apo në mënyra të tjera? Jo, sepse në shtetet të tjera, sidomos në politikën e jashtme, ka diçka që quhet rezon shtetëror.

Meqë politikanëve mendjehallakatur të Tiranës nuk u intereson rezoni shtetëror, kryeministri Edi Rama në kacafytjen e tij verbale me Sali Berishën e bën Shqipërinë bashkëpërgjegjëse edhe për masakrën e Srebrenicës, sepse gjoja disa fuçi nafte të kontrabanduara i paskan vënë në lëvizje trupat e gjeneralit Ratko Mladiq për të pushtuar enklavën boshnjake në lindje të Bosnjës. Natyrisht që kjo nuk ka të bëjë asgjë me realitetin, sepse hegjemonistët serbë do ta shkatërronin Bosnjën edhe pa «naftën shqiptare».

Po aq gojëndyrë e i papërgjegjshëm sa kryeministri Edi Rama është edhe Sali Berisha. Një burrështetas i dikurshëm, një «Elder Statesman», siç e quajnë anglezët politikanin që ka braktisur skenën e madhe të politikës, por prapë gëzon respekt, nuk merret me akuza mizore. E tillë është akuza e Berishës se Hashim Thaçi na qenkësh «argat i Serbisë», asistent i Aleksandër Vuçiqit e kështu me radhë. Hashim Thaçi mund dhe duhet të kritikohet, kjo është legjitime, po ashtu është legjitime të ketë mosbesim të madh nga publiku ndaj politikave jotransparente të Thaçit, por njollosja e tij si «argat i Serbisë» nuk ka të bëjë gjë me logjikën, madje është braktisje mendore e terrenit ku debatojnë njerëzit normalë.

Si ndodhi ky eskalim (i paparanueshëm!) i gjuhës së Sali Berishë? E vërteta është kjo: në gusht të vitit të kaluar kur Berisha u deklarua kundër rrudhjes së territorit të Kosovës, Hashim Thaçi humbi kontrollin (siç i bën vaki shpesh) dhe e akuzoi Sali Berishën për të gjitha të zezat e mundshme, përfshirë edhe strehimin e Osama Bin Ladenit në Tiranë në vitet ’90? Ndonjë dëshmi për këtë presidenti gjigant i Kosovës nuk ka, andaj kur gazetari Adriatik Kelmendi e pyeti në lidhje me akuzat që ia kishte bërë Berishës, Thaçi tha se nuk kishte përmendur emra dhe pastaj ia nisi asaj këngës së tij bajate: «Shpifje, shpifje, shpifje…».

Ishte një imitim qesharak i Edi Ramës, i cili në kuadër të projektit të tij të «Rilindjes» ka arritur të rilindë së paku dy fjalë: «shpifje» dhe «kazan». Sot Rama, duke e akuzuar Berishën se e ka furnizuar me armë «Kasapin e Ballkanit», vetëm riktheu retorikën e njohur që synon ta paraqes Berishën si armik të Kosovës dhe socialistët si atdhetarë që lanë dhe lënë shpirtin për Kosovën.

Si asgjë në këtë jetë edhe ky interpretim bardh e zi i Ramës nuk është i vërtetë. Në të dy polet politike të Shqipërisë ka politikanë që kanë përkrahur Kosovën dhe në momente të rëndësishme janë treguar të përgjegjshëm. Por, njëkohësisht, në të dy krahët politikë ka edhe aventurierë të papërgjegjshëm. Në vitet ’90 kanë qenë kryesisht politikanët e majtë të Tiranës që vraponin për të takuar kolegë të tyre serbë në Beograd, duke synuar kështu t’ia bëjnë me dije bashkësisë ndërkombëtare se Berisha është «nacionalist shqiptaromadh». Analistë të afërt me Partinë Socialiste e quanin Kosovën «lëkurë leopardi», që duhet ndarë, 60 për qind t’u jepet shqiptarëve, 40 për qind serbëve. Gazeta që me pushkë e flakë përkrahnin socialistët shkruanin se Berisha i nisi tanket drejt veriut për të provokuar Jugosllavinë. Një kryeministër socialist në një intervistë për revistën gjermane «Der Spiegel» i premtonte opinionit europian se do të fliste me Ibrahim Rugovën për të bindur se pavarësia e Kosovës nuk është koncept modern. T’u themi tradhtarë të gjithë këtyre socialistëve? Apo argatë të Beogradit?

Edi Rama dhe Sali Berisha kacafyten, shahen, thumbojnë njërit-tjerin me fjalë të ndyra, sepse asnjëri nuk kanë interes të ndriçojnë disa kapituj të errët që kanë hapur plagë mes Kosovës e Shqipërisë. Për shembull: kanë qenë qeveri socialiste në pushtet kur në Shqipëri janë vrarë Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së Kosovës (në ekzil), dhe Ilir Konushevci, njëri ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vrasësit nuk janë zbuluar kurrë. Kur në rrethana të paqarta është vrarë Ali Uka, në pushtet kanë qenë demokratët. Më 1998, kur Kosova ishte përfshirë nga flakët e luftës, Berisha dhe të tijët nuk patën punë më të mençur se të bëjnë një përpjekje për grusht shteti.

Nëse nuk duan të flasin për njollat e së kaluarës, atëherë së paku do të duhej të tregoheshin tani përgjegjës përballë vështirësive të mëdha që gjendet Kosova. Edi Rama mund të zemërohet se përse njerëzit në Kosovë nuk po e përkrahin projektin e Hashim Thaçit për rrudhjen territoriale të Kosovës. Por, ka një arsye për këtë, të cilën Rama e di mirë, por s’ka guxim ta thotë publikisht: paaftësinë e Thaçit për të ndërtuar konsensus politik dhe gatishmërinë e tij për të hyrë në negociata të rrezikshme me Serbinë kokë më vete, pa dijen e spektrit politik në Kosovë dhe pa mandat nga Kuvendi. Rama do të mund të ndihmonte për të krijuar konsensus në Kosovë sikur të mos ishte bërë militant i Thaçit. Tani është vonë.

Sali Berisha, ndërkaq, nuk i ndihmon aspak Kosovës duke e eksportuar gjuhën e tij polarizuese, fyese, shpifëse nga Tirana në Kosovë. Kur Thaçi llomotiti kundër tij vitin e kaluar, Berisha duhej të tregohej burrështetas dhe t’i thoshte: «Fale, o Zot, se nuk di çfarë flet!» Në kacafytjet gjuhësore sot u përmend edhe Ibrahim Rugova. Rama tha se Rugova nuk ka pranuar ta takojë Sali Berishën. Kjo është e vërtetë, por sa e respekton Ibrahim Rugovën dhe sa e njeh historinë më të re të Kosovës Edi Rama u pa kur mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës dhe nuk e përmendi fare Ibrahim Rugovën. Ndodhi ajo që pritej: deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës braktisën sallën. Shqipëria nuk duhet të bëjë politikë partiake në Kosovë, por të flasë si shtet serioz, si anëtare e NATO-s dhe si vend që aspiron të fillojë shumë shpejt negociatat për anëtarësim në BE. Meqë këto janë detyra të zorshme për politikanët e Tiranës, ata janë hedhur në moçalin e fyerjeve, popullizmit dhe premtimeve të mëdha gjoja atdhetare. Andaj nuk mungon loja «Ti je me serbin».

@tn.lajmelokale
@tetovanews