Ballina Aktualitet Lajme Prof. Dr. Blerim Reka, kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë...

Prof. Dr. Blerim Reka, kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut ?!

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela janë parë sot në një takim të përbashkët në Shkup me Prof. Dr. Blerim Rekën, ku sipas burimeve të Tetova News është biseduar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe mundësinë e daljes së tij si kandidat presidencial i opozitës shqiptare.

Në ndërkohë, Prof.Dr. Blerim Reka, menjëherë pas këtij takimi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar:

“Shqiptari, veshtire i fiton votat per President. Maqedonasi, veshtire behet President pa fituar votat shqiptare. Zgjidhja? Vice-President Shqiptar; apo zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi?”

Gjithashtu, në margjina të Konferencës “Faktori shqiptar në rajon, mes lindjes e Perëndimit”, ku diskutoi edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela, profesori i Universitetit të Prishtinës, Arsim Sinani tha me bindje të plotë se shqiptarët do të dalin me kandidat presidencial, kjo është mëse e qartë.

“Nuk ka se pse mos të hyhet në një gare serioze dhe domethënëse. Mes dy partive maqedone LSDM dhe VMRO, opozita shqiptare do gjejë forca ta sfidojë mentalitetin e vjetër jugosllav në Maqedoninë Veriore por edhe dominimin maqedon. Secili i bën kalkulimet e veta kuptohet edhe shqiptarët.”, theksoi profesori Sinani në konferencën që u mbajt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas Kushtetutës dhe afateve të parapara, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj.
Kandidatët duhet të paraqiten deri më 21 mars ndërsa fushata zgjedhore do të fillojë më 31 mars. Mandati i presidentit aktual Gjorgje Ivanov mbaron më 12 maj. LSDM është në kërkim të aleatëve për të debutuar me një kandidat të përbashkët, ndërsa VMRO-DMPNE e ka bërë publik kandidaten e saj.

A do të jetë Blerim Reka kandidati i opozitës shqiptare për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të duhet të presim konfirmimin zyrtar.

@tn.lajmelokale
@tetovanews