Ballina Aktualitet Opinione Shqiptari për shqiptarin është shqiptar

Shqiptari për shqiptarin është shqiptar

Nga Agron Shala

A e dini çka i ka thënë Skënderbeu, Muratit II, pak para se të kthehej në tokat e babës së tij? A e dini që Skënderbeu i ka rreh shuplaka djemtë e tij, kur ai jetonte në Edrene? Dhe, a e dini çka i ka shkruar Skënderbeu trashëgimtarit të Muratit II, Mehmet Fatihut, kur ky i fundit nuk e kishte asnjë plan se si ta sulmonte Kostandinopojën? Është shumë me “rëndësi” të dihen përgjigjet, paçka që janë pyetje të shkruara kot! Ato u shtruan sepse jo e vërteta, po debatet dhe komentet e “frytshme” kanë rëndësi, meqë hapin perspektiva edhe për të ardhmen – pas të kaluarës së “lavdishme” e të sotmes të “ndritshme”!? Ato e pasurojnë edhe më shumë “erudicionin masiv” ndër shqiptarë – të pjesëtarëve të popullit më të “lashtë” në univers, që e ka “arritur” nirvanën tokësore e nuk e di çka është problem!? Megjithatë, po bëhen p.sh. 20 vjet nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë dhe ende nuk ka asnjë studim të saktë e të paanshëm për atë se çfarë ka ndodhur në vitet 1997-1999. Studentët që vjet u regjistruan në Histori, të lindur në liri, nga kush mund ta mësojnë të vërtetën? Çfarë mund të thonë për Serbinë? Për vuajtjet e shqiptarëve? Për dëmet e luftës? Për gabimet e politikës dhe se si humbi shpresa? Apo, çfarë mësuan e dëgjuan të rinjtë në Shqipëri për tranzicionin e gjatë e të degjeneruar “demokratik”?

Asgjë me rëndësi! Por, një pjesë e madhe e shqiptarëve, kudo në Ballkan, “dinë” të flasin për Skënderbeun, për ilirët e pellazgët! I njohin armiqtë e lashtësisë, po jo edhe këta të sodit – shqiptarët që sundojnë dhe skllavërojnë shqiptarët; ata që e humbën shpejtë, lehtë e turpshëm momentumin e mbështetjes më të madhe të shënuar në histori në mbrojtje të një populli – të atyre që çliruan Kosovën më 1999! “Dinë” të flasin për religjionet abrahamike, e i luten dreqit; “dinë” detaje për çdo popull, po jo sa shqiptarë kanë mbetur në Kosovë, në Shqipëri… “Dinë” të deshifrojnë edhe hieroglifët, por nuk e njohin shqipen që është simboli kryesor i identitetit dhe i unitetit shqiptar; “dinë” për krizat ekonomike në botë, por jo për shpresat e tyre të thyera; “dinë” për ezoterinë, por s’e dinë ku humbi turpi; “dinë” për dëmet e gazrave serë, po jo për ndotjen morale që ka kaptuar shqiptarin; “dinë” gjithçka, por jo atë që duhet të dihet e që ka vlerë e rëndësi!

Rasti i fundit me nxënësen e mitur nga Drenasi, që ngacmohet seksualisht nga mësimdhënësi që duhet ta edukojë; që përdhunohet nga polici që duhet ta mbrojë; që neglizhohet nga Prokuroria që duhet ta vë në vend drejtësinë për të; dhe që aborton në rrethana të pasqaruara nga një mjek që si shumëkush nuk mendon për pasojat e shëndetit të pacientit, tregon se Kosova po merr fund e se kjo shoqëri po kapitullon… Këtu s’ka arsim, s’ka siguri, s’ka drejtësi, s’ka shëndetësi! Shtyllat që e mbajnë një shtet, nuk janë! Hiç më mirë puna nuk është në Shqipërinë e kronikave ultra të zeza…E kush e shkaktoi këtë kaos? Sulltan Murati apo Mehmeti? Jo, e bëri shqiptari; ai që nuk e njeh veten; që nuk do ta njohë e më së paku të luftojë për të drejtën e të vërtetën! Shqiptari që fatkeqësisht nuk po dallon nga e liga e pushtuesve të huaj.

Ka shumë gojëdhëna, fjalë të urta, fakte historike dhe reagime nga njerëzit e mençur, si Faik Konica. Për shembull, në një shkrim të vitit 1902, ai përmendte latinët që thoshin, “Homo homini lupus est”. Kjo në shqip i bie: “Njeriu për njeriun është ujk”. Por, fjala latine “homo” mund të përkthehet edhe burrë, ndaj më vonë, dikur në Mesjetë, kjo fjali zgjerohet te gjinia tjetër: “Femina feminae lupior”, që do të thotë se “gruaja për gruan është edhe më ujk(onjë)”. Në lidhje me këto, Konica ka shkruar: “Albanus Albano lupissimus” apo se “shqiptari për shqiptarin është ujk e shkuar ujkut”. Kur jemi te ujku, nuk duhet harruar kujtimet e At Zef Pllumit. Për të treguar tmerrin e komunizmit të Shqipërisë, pra të shqiptarit, ka folur për një të fshehur në male që lidhi miqësi me ujkun. Në fakt, kjo miqësi e ndihmonte të mbijetonte. Ujku ishte qenia që i besonte më së shumti. Ishte shpresa e tij. Por, kur një ditë dëgjon një krismë dhe ujku nuk kthehet, jeta e tij veç ka marrë fund… ajo krismë u ndje edhe në zemrën e tij! E pra, rasti i të miturës nga Drenasi dhe i të gjithë viktimave të realitetit morbid në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni… e revidon Konicën. Sepse, shqiptari për shqiptarin nuk është ujk, e as ujk e shkuar ujkut!? Është më keq. Është shqiptar!

Artikulli paraprakHoxha nga Kosova: 16-vjeçarja e pësoi nga veshja provokative
Artikulli tjetërKundër infeksioneve dhe të ftohtit, ja si të përgatisni vajin e hudhrës…