Ballina Aktualitet Lajme Eco Guerilla kërkon nga Zaevi t’ia marrë kompetencat Teuta Arifit

Eco Guerilla kërkon nga Zaevi t’ia marrë kompetencat Teuta Arifit

Organizata joqeveritare Eco Guerilla i kërkon kryeministrit Zoran Zaev që t’ja marë ingerencat kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Organizata joqeveritare thekson se Qyteti i Tetovës është shndërruar në një katrahurë urbane ku mbizotëron kaosi në trafik, mungesa e pastërtisë publike, grumbuj mbeturinash në shumë pjesë të qytetit, mungesa e ujit të pijshëm për shumë lagje, mungesa e transportit publik, mungesa e vendparkimeve ose garazheve në kate.

“Në anën tjetër, inspektoratet përkatëse bashkë me policinë e trafikut kanë dështuar tërësisht për të vendosur rendin dhe ligjin, parandalimin e ndotjes së e ajrit, ujit dhe tokës si dhe çlirimin e hapësirave publike që po uzurpohen para syve tona. Tetovës përditë e më shumë i zvogëlohen edhe ato pak hapësira të gjelbërta që kanë mbetur. Shembulli i fundit, siç mund ta shihni edhe në video është shkatërrimi dhe uzurupimi i hapësirave publike të gjelbërta në qendër të qytetit, përgjatë rrugës Boris Kidriç. Deri sa parqet dhe hapësirat që janë pronë e të gjithë qytetarëve po betonohen, Komuna hesht dhe nuk ndërmerr asgjë për të parandaluar”.

Më tej theksohet se Qyteti i Tetovës aktualisht ndihet sikur shtëpi pa të zot sepse Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi edhe në mandatin e dytë të saj ka dështuar t’i përgjigjet nevojave, kërkesave dhe detyrimeve ligjore që ka për të patur një mjedis të pastër jetësor dhe një qytet funksional. Transparenca fiskale dhe llogaridhënia si detyrim ligjor ndaj qytetarëve nuk janë respektuar nga Komuna e Tetovës.

“Duke patur parasysh faktin që gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2017, Ju nga pozita e Kryeministrit i dhatë përkrahje të hapur dhe i kërkuat qytetarëve votën për Teuta Arifin, po kërkojmë nga JU që të të ndërmerrni të gjitha masat e duhura për t’i hequr Komunës së Tetovës ingerencat mbi aktivitetet ku e njëjta ka dështuar tërësisht të menaxhojë. Prokuroria publike duhet të hetojë të gjitha rastet për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare. Një nga kushtet kryesore për çeljen e negociatave me BE është reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor. Vlerësojmë dhe besojmë që për këto dështime edhe Ju si Kryetar i Qeverisë së RMV-së duhet të mbani përgjegjësi dhe të ndërhyni që gjendja sa më parë ti kthehet normalitetit bashkë me shtetin e së drejtës edhe në Tetovë”, thuhet në komunikatë. /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews