Ballina Aktualitet Lajme Publikohet biseda në Viber mes dy funksionarëve të BDI-së (Video)

Publikohet biseda në Viber mes dy funksionarëve të BDI-së (Video)

Drejtori i NP Hekurudhat e Maqedonisë-infrastruktura, Irfan Asani nuk pajtohet me vendimin e Qeverisë që ai të shkarkohet nga detyra. Në mesin e 50 drejtorëve të cilët i kapi “Fshesa” është edhe Asani, por ky i fundit thotë se për të duhet të vendos Këshilli drejtues i ndërmarrjes. Sipas tij nuk ka arsye që të shkarkohet.

“Normalisht që ka edhe dy forma tjera të cilat mund të realizohen, mirëpo duhet të ketë njeri, apo një burrë, që do të kërkon prej meje që të jap dorëheqje duke e arsyetuar se pse duhet të largohem unë. Dhe normalisht jam në situatë që ta bëj. Dhe e dyta, mund të ndodh të largohem me një dëmshpërblim të dyanshëm ashtu siç parasheh marrëveshja mes dy palëve. Shkarkimi duhet të ketë dhe arsye për shkarkim. Arsyet duhet t’i definojë këshilli drejtues, të më komunikojë mua dhe të fillohet proces gjyqësor, për të parë a janë ato arsye, ekzistojnë ose nuk ekzistojnë”, deklaroi drejtori i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”, Irfan Asani.

Irfan Asani është kuadër i BDI-së, ndërsa partia e tij i ka ofruar të udhëheq me Agjencinë për Investime të huaja. Asani për ta konfirmuar këtë na tregoi edhe porositë që ka shkëmbyer me nënkryetarin e partisë, Sadulla Durakun.

Duraku i ka shkruar që të mendoj për këtë shans, kurse Asani ia ka kthyer, “Shko ti atje, unë jo”.

Asani nuk e ka pranuar këtë post, pasi nuk e sheh të arsyeshme të kalojë nga një drejtori në një drejtori tjetër nëse nuk e kryen punën si duhet.

“Nuk jam personalisht karrierist i sëmur siç janë një numër i madh i njerëzve që nuk dinë të përfundojnë me mandatet që marrin një pas një dhe është shumë e thjeshtë ajo që unë them, se nëse nuk jam i mirë për të bërë një punë, nuk mund të jem i mirë për të bërë një punë tjetër. E konsideroj se e gjithë kjo është një mashtrim edhe për ata që do të bëhen atje edhe për tjerët që pranojnë të hynë kështu në fakt në kombinime tjera”, u shpreh Irfan Asani, drejtor i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”.

Asanit mandati i skadon në nëntor të këtij viti. Vetëm atëherë ai thotë se do ta lëshojë ulësen e drejtorit të NP Hekurudhat e Maqedonisë-infrastruktura.

BDI tashmë i ka emrat e drejtorëve që pritet të emërohen së shpejti. Jozyrtarisht TV21 mëson se Arben Vila është propozuar për drejtor në Agjencinë për Investime të huaja, Faruk Ismaili në Bankën për zhvillim, Ajrulla Mustafa në Klinikën gjinekologjike, Resul Kaba dhe Elvadina Dika në NP Rrugët e Maqedonisë, ndërsa në krye të Byrosë për furnizime publike për drejtor është propozuar Armir Sadiku. Nesër pritet që në Qeveri të kalojnë edhe ndryshimet, gjegjësisht të bëhen emërimet e reja kadrovike.


@tn.lajmelokale
@tetovanews