Ballina Aktualitet Opinione Berat Buzhala: Më i rrezikshëm se tërmeti, është Rama. Ai trembet nga...

Berat Buzhala: Më i rrezikshëm se tërmeti, është Rama. Ai trembet nga Bushati, Shkullaku, Lubonja, Bejtja dhe unë

Berat Buzhala, ashtu si gazetarët pranë PD-së dhe LSI-së, është mërzitur me protagonizmin e kryeministrit Edi Rama pas tërmetit.

Ai ka analizuar një intervistë të Ramës në emisionin “Open”, dhe thotë se Rama është më i rrezikshëm se tërmeti.

Pjesë nga shkrimi i Buzhalës:

Në një vend normal, në një shtet demokratik, në një shtet ku mediat janë të lira, intervista me Ramën do të duhej të përfundonte që në 30 sekondat e para, kur ai nuk po pranonte të intervistohej. Ai thjesht po abuzonte më mundësitë që kishte për ta nënshtruar një medium, e bashkë me mediumin edhe gazetarët e tij.

Nënteksti i asaj cfarë ai po thoshte, ose cfarë ai dëshironte të thoshte, ishte ky: Ju gazetarët jeni qeniet më të shpifura që ekzistojnë, ndaj jush ndiej neveri, kurse për më tepër unë bisedoj vetëm me pronarët e juaj.

Sigurisht që Topi nuk ia kishte pikën e fajit, sepse ata nuk është që po e provokonin, madje edhe pyetjet po i bënin me zë të ulët dhe të butë, por Rama kur po e shihte Muhamedin(Veliu) përpara po i dilnin Bushati, Shkullaku, Lubonja, Bejtja, e ndoshta edhe vogëlsia ime.

Rama thjesht po e përdorte atë platformë për të kërcënuar këndo që kishte guxim për t’i dalë në rrugë, derisa ai po sakrifikohej për kombin. Meqë ishte në rol, meqë ishte pjesë e stratëgjisë së PR-it, Rama kohë pas kohe e përkdhelte atë gocën e gjorë që e kishte ulur afër. Ajo duhet të këtë qënë e trembur prej Ramës po aq sa prej tërmetit.

Mirëpo në Shqipërinë e nënshtruar dhe të poshtëruar, Ramës nuk i ndërpritet intervista, nuk i ndërpritet as ulurima e tij, nuk i hiqet as mikrofoni paçka që ai po i dehumanizon kolegët e atij cungut të pagojë që i ka rënë hise, ose që është përzgjedhur nga vetë Rama që ta mbajë atë mikrofon të turpit. Ai vazhdon të flas sa të dojë vetë, të përgjigjet cfarë të dojë vetë, të shajë dhe ofendojë kënd të dojë vetë.

Shqipëria dhe shqiptarët u plagosën rëndë nga tërmeti që i goditi ata gjatë kësaj jave. U bën bashkë që të gjithë për ta kaluar këtë pikëllim. Dikush i dha 1 milion, një tjetër ndoshta vetëm 1 euro, e një tjetër ndoshta vetëm një batanie, a një palë këpuca të vjetra.

Esenca nuk është tek vlera sa është tek gatishmëria, te solidariteti. Vetëm një njeri nuk u bë bashkë me të tjerët. Ai është Edi Rama.

Tërmeti që goditi Durrësin dhe Thumanën ishte shumë i rëndë, vrau dhjetëra qytetarë, pikëlloi miliona të tjerë, mirëpo më i rrezikshëm se sa ai vazhdon të jetë tërmeti që po e godet kokën e kryeministrit Rama. Fatkeqësisht ai nuk matet me shkallë të rihterit. Ai matet me nivelin e demokracisë, me nivelin e lirisë së shprehjes, me nivelin e cilësisë së jetës në Shqipëri. Ajo në Shqipëri cdo ditë po degradon.

Si duket, duke marrë mësim nga jarani i tij, Taip Recep Erdogan, i cili pas ‘puçit’ filloi arrestimin e gazetarëve, Rama e priti tërmetin për të nisur fushatën e tij. Madje jo vetëm gazetarët, ai ka filluar edhe arrestimin e qytetarëve që guxojnë të bëjnë share lajme nga interneti.

Në emër të gjendjes emergjente. Diktatorët kudo në botë shumicën e krimeve i kanë kryer në emër të kauzave fisnike. Nuk më kujtohet të kem lexuar diku që Stalini, Kastro, Tito, Hoxha, ose kushdo tjetër, të ketë thënë “sivjet do të arrestojmë qytetarët tanë vetëm për pikë të qefit”.(TemA)

Artikulli paraprak“Binjakët u gjetën në krahët e nënës”, Durrësi në zi për tragjedinë në familjen Lala (VIDEO)
Artikulli tjetër“La Repubblica”: Marjeta, gruaja e vdekur me tre fëmijë në krah