Ballina Aktualitet Lajme Njihuni me shefin shqiptar në Qipro, që ka gatuar edhe për Rihannën!

Njihuni me shefin shqiptar në Qipro, që ka gatuar edhe për Rihannën!

Nga Enkeleda Bodini

Shpesh kemi dëgjuar emra të kuzhinerëve shqiptarë që kanë shkëlqyer në këtë profesion, edhe jashtë vendit. Një prej tyre, është edhe Ravajol Hasani, i cili është shef kuzhine në Qipro i vlerësuar me një seri çmimesh ndërkombëtare dhe që ka gatuar për shumë figura publike, përfshirë këtu edhe Rihannën. Por si arriti ky djalë që nga Memaliaj të bëhej masterchef? Lexoni historinë e tij të rrëfyer për abcnews.al.

Ravajol Hasani ka emigruar në vitin 1992 në Greqi, së bashku me familjen e tij, kur ishte vetëm 4 vjeç. Kujtimet e tij të fëmijërisë në Shqipëri, nuk i ka të ngulitura në mendje, por ato në Athinë i mban mend mirë, sepse nuk kanë qenë aq të bukura.

Si çdo familje shqiptare që ka emigruar në atë kohë, edhe familja e tij kaloi vështirësi të mëdha, së pari për të mbijetuar e më pas për të jetuar.

Vitet e para kaluan me luftën e përditshme për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Ravajoli, sapo bëri 14 vjeç, i vendosi kusht vetes të punësohej, çfarëdolloj pune që të ishte. Ai u punësua në një kafe në qendër të kryeqytetit, por më vonë e la pasi një koleg i tij i tregoi se në një restorant ofronin punë si pjatalarës dhe pastrues.

Si një njeri që ndiqte instiktin, shkoi. “Kur futa këmbën në atë kuzhinë, e ndjeva volumin e punës. Veç kësaj ndjeva dhe një pasion, diçka që më tërhiqte shumë. Sikur gjeta pjesën time të dytë aty dhe u binda se jeta ime ndodhej në kuzhinë dhe se do të punoja të arrija të bëhesha kuzhiner”, tha ai për abcnews.al.

Si shumica e shefave të mëdhenj, edhe Ravajoli nga larja e pjatave kaloi në kuzhinier e më pas u bë shef. “Në kuzhinë gjeta arsyen pse ekzistoja dhe isha gati për aventurën”, shtoi më tej Ravajoli.

Por që të jesh shef i vërtetë kuzhine, nuk mjafton vetëm talenti dhe përkushtimi, duhet dhe të marrësh arsimin e duhur që të arrish perfeksionin deri në detaj. Këtë gjë e dinte shumë mirë Ravajoli, kështu nisi studimet në Athinë, më pas masterin në Francë dhe specializmin në Danimarkë.

Kjo periudhë për të ka qenë sa e bukur aq dhe e lodhshme. “Më duhej të punoja nga mëngjesi deri në darkë. Bëja tre punë që të paguaja shkollën dhe nuk pata mundësinë të shijoja aventurat e moshës. Nuk kisha kohë për pushime apo festa. Kur të tjerët flinin, unë punoja”, u shpreh shefi shqiptar, duke shtuar se e gjithë kjo eksperincë e bukur, lodhje, sakrificë e bënë atë të jetë kush është sot.

Pas mbarimit të studimeve në Francë i edhi oferta për të punuar në Qipro dhe tani bën 12 vjet që jeton atje. Qipro është një vend që Ravajoli e do shumë sepse për të është i sigurt, i qetë, i mbushur me njerëz që ta zgjasin dorën kur ke nevojë. Ky vend i vogël i dha mundësinë që të realizonte ëndrrat e tij të mëdha.

Ravajoli është nderuar me shumë çmime, mes tyre dhe 10 çmime ndërkombëtare. Ai është vlerësuar nga Franca si ambasador për Qipron, në mesin e 150 shefave më të mirë në botë. Gjithashtu ka marrë çmime si “Kapela e Artë”, Luga e Agjendt” etj. Këto vlerësime i japin atij mundësinë të çojë, në çdo cep të botës, shijen e mirë të pjatave që përgatit.

Ravajoli, para disa vitesh ka gatuar në Kanada për njerëz të rëndësishëm të fushës muzikës, politikës, ekranit dhe biznesit. Mes tyre ka qenë dhe këngëtarja e njohur botërore Rihanna. Gjithashtu nga duart e tij ka ngrënë edhe kryeministri kanadez Justin Trudeao apo aktori i mirënjohur Hug Jackman. Këto janë vetëm disa nga lista e gjatë e personazheve të njohur, për të cilët Ravajoli ka gatuar.

“Vlerësimet që më bëjnë të jem një nga shefat më të mirë në botë, më japin fuqinë që të realizoj ëndrrat, sado sakrificë dhe lodhje ka nga pas”, thotë ai, ndërsa kuzhinerëve të rinj që ëndërrojnë të bëhen shefa të mëdhenj ju këshillon që të kurrë të mos kopjojnë të tjerët sepse kopja vetëm probleme sjell. Ju këshillon të punojnë dhe asnjëherë të mos kënaqen më atë ç’ka arrijnë.

Ravajoli ia nisi nga zero për të arritur ëndrrën e tij dhe ia doli. E gjithë historia e tij tregon se rruga drejt suksesit nuk është e lehtë, por nëse pasioni dhe dëshira janë në mes, gjithçka arrihet. Sot është masterchef, por akoma nuk është i kënaqur me veten e tij, sepse beson se gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar. Qëllimi i tij është të kalojë ideologjinë në kulinari dhe ta shërbejë gjithmonë ushqimin si art./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews