Ballina Aktualitet Flora Brovina flet për fotografinë që edhe e bëri të tërhiqej nga...

Flora Brovina flet për fotografinë që edhe e bëri të tërhiqej nga politika

Dr. Flora Brovina është një nga figurat me jetëgjatësinë më të madhe në fushën e politikës, ku pjesën më të madhe të jetës e kaloi duke punuar për çështjen e Kosovës. Ajo në emisionin Special One, rrëfen për emocionet e ditës kur e ka nënshkruar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

“Në mendjen time fluturonte gjithë sakrifica e grave dhe burrave, e fëmijëve, gjyshërve, baballarëve, të gjithëve. Po të shihen mirë fotografitë ndoshta do të dallohet për herë të parë edhe loti në faqen time. Kisha dy arsye për lotin, kisha arsyen e këtij kujtimi, të atyre që nuk janë, por edhe një emocion tjetër që më mbërtheu, dhe kush jam unë aq e vogël që ta nënshkruaj Pavarësinë e Kosovës, në emër të kujt”.

Ndër të tjera, ish-deputetja Brovina tregon pse vendosi ta lë politikën pas një kohe të gjatë.

“Ishte shumë gjatë. Besoj që figurat politike na bëhen monotone. Ishte një moment për mu edhe sfidues për shkak të një fotografie që kisha tregu në Parlament, por kisha arrit që në Parlament të votohet rezoluta për gjenocidin, ky ishte qëllimi im dhe dy mandate kisha luftu që të arrijmë deri te rezoluta për gjenocidin dhe ia arritëm. Unë mendojsha se duhet t’i dëshmoj para publikut gjitha gjërat që kanë ndodhë dhe i kisha dëshmitë, historitë e këtyre grave të dhunuara në mesin e tyre edhe këtë fotografi që e kisha mbajt qysh ndoshta 20 vjet, kisha dëshmi shumë konkrete, i kam edhe më tutje, por mu, mu tha se kjo fotografi është një ngjarje në një fshat afër Gjakovës ku ka ndodhur e njëjta gjë”.

“I çuditshëm reagimi i masës, sidomos i shoqërisë civile, grave, në krye me Presidenten si reaguan ndaj kësaj, e dishin se është e vërtetë. Fotografia mund të mos jetë e vërtetë, por këto ngjarje kishin ndodhë në Kosovë. Unë më vonë u binda te prokurorja se nuk ka qenë e vërtetë, sepse ajo më bindi se mund të jetë një kopje që ma ka çu dikush. Sot ne s’kemi asnjë akuzë kundër dhunuesve të 20.000 grave si thuhet, unë nuk kam 20.000 histori, por kam 1000 e sa histori të cilat i dëshmojë kur të doni”, ka thënë Brovina.

Dr. Flora Brovina tha se motoja e jetës së saj është “Mos pyet çka bëri atdheu për mua, por çka bëra unë për atdheun”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews