Ballina Argëtim Showbiz Aktori Ilir Rexhepi me një rrëfim në TVSH tregon rrugëtimin nga Prishtina...

Aktori Ilir Rexhepi me një rrëfim në TVSH tregon rrugëtimin nga Prishtina për në Netflix

Aktori kosovar, Ilir Rexhepi, i cili jeton dhe vepron në Gjermani në një intervistë për Televizionin Shqiptar (TVSh) ka folur për rrugëtimin e tij nga Prishtina si aktor i teatrit për të luajtur filma në karaktere të ndryshme në Gjermani dhe në perëndim

Në këtë intervistë për emisionin “Jetë shqiptare”, Rexhepi tregoi se si u nis nga Teatri “Dodona”, ku ishte nxënës i Enver Petrovcit dhe Faruk Begollit, për në Gjermani ku sot luan role të ndryshme atje.

“Nga fillimi në aktrim kemi tentuar që të arrim sa më shumë duke dalë jashtë dhe kështu të përvojmë për ndonjë mundësi, ndonjë shans. Kjo nuk vlen vetëm për ne shqiptarët, por për të gjithë popujt e tjerë – sidomos nga Ballkani”, ka thënë fillimisht në këtë intervistë Rexhepi.

“Unë tentova, me mund, me punë arrita që të futem deri diku me angazhime në kinematografinë gjermane, sidomos në projektet filmike dhe televizive. Dëshira e ime ishte që të angazhohem edhe në Teatër, por është më e vështirë për shkak se duke u bërë pjesë e ansamblit të një teatri ke më pak oferta për të luajtur në film dhe televizion”.

Shumë shpejt ai pritet që të shfaqet me një film në Austri ku luan rolin e Arbenit. Filmi pritet të jepet premier javën e ardhshme.

“Nga 28 nëntori pritet që të shfaqet premiera e një filmi austriak. Filmi quhet “Hades – Eine wahre Geschichte” me regji të regjisorit Andreas Kopriva”, tha aktori.

Në këtë film Iliri pritet do të luajë rolin e Arbenit, e ku ai do të paraqitet në dy – tri skena.

“Filmi është i zhanrit komedi dhe aksion e ku do të luajë rolin e një shqiptari dhe disa bandave që janë atje”.

Me Skylines, Iliri është aktori i parë shqiptar që debuton në Netflix. Ky serial pati sukses në Gjermani dhe pritej edhe sezoni i dytë, por që duket ishte pandemia ajo që bëri që ai mos të këtë më xhirime dhe ende nuk dihet se a do të këtë ky serial sezon të dytë?!

“Seriali është nominuar për disa çmime dhe është pritur mirë pasi që ka pasur një audiencë të madhe. Netflix, normalisht është interesant, por tani ka edhe platforma të tjera por që Netflix vazhdon të jetë platforma kryesore”.

Duke folur për Netflix, Rexhepi thotë se për momentin ende nuk ka marrë ndonjë ofertë të radhës. “Ndonjë projekt të ardhshëm në Netflix nuk e kam aktualisht në ofertë por shpresojmë që të kemi në të ardhmen”, tha ai.

Krejt në fund, Rexhepi foli edhe për këngëtarët dhe reperët shqiptarë që po luajnë në filma dhe ai tha se kjo ndodh edhe në filmat që ai ka luajtur.

“Pikërisht edhe në serialin Sky Line kemi pasur këngëtarë të zhanrit rep të cilët kanë luajtur aty, por normalisht kjo është bërë një trend tani”, tha ai në fund të kësaj interviste. /GazetaExpress/

@tn.lajmelokale
@tetovanews