Ballina Bota Biden njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Biden njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë Dollarë për Ukrainën.

Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.

Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.

Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.

Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.

Video bonus

Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare./REL