Të bukura, elegante, inteligjente dhe misterioze dhelprat janë ndër krijesat më të nënvlerësuara të botës së egër. Shpesh janë viktima të keqtrajtimit: rriten në kafaze të ngushta për shkak të leshit të tyre dhe ato që jetojnë në natyrë shpesh gjuhen nga njerëzit, përfshirë edhe përmes karremave të helmuar.
Më poshtë gjeni disa fakte interesante që ndoshta nuk i dinit për këto krijesa kaq të veçanta ndoshta do t’ju bëjnë t’i shihni me sy tjetër.
1. Ngjajnë më shumë me macet se sa me qentë
Edhe pse biologjikisht i përkasin familjes së qenve (Canidae), dhelprat kanë shumë sjellje të ngjashme me macet. Ato janë aktive natën, kanë mustaqe të ndjeshme si macet, ecin në gishta dhe lëvizin me një elegancë të veçantë.
2. Kanë dëgjim të jashtëzakonshëm
Dhelprat e kuqe mund të dëgjojnë edhe një orë që rreh nga 40 metra larg! Ky dëgjim i mprehtë i ndihmon t’i gjejnë prenë edhe kur është e fshehur nën tokë. Po ashtu, ato dallojnë edhe thirrjet e njëra-tjetrës.
3. Janë shumë lozonjare
Dhelprat luajnë me gjithçka me njëra-tjetrën, me kafshë të tjera, madje edhe me topa. Në shumë vende, topat e golfit janë “viktima” të preferuara të tyre! Janë gjithashtu shumë kureshtare dhe eksplorojnë gjithçka që i rrethon.
4. Prodhon rreth 40 lloje tingujsh
Dhelprat nuk janë të heshtura. Ato mund të prodhojnë rreth 40 lloje tingujsh të ndryshëm – nga ulërima e deri te lehje dhe britma të çuditshme, për të komunikuar qëllime dhe emocione të ndryshme.
5. Janë krijesa vetmitare
Ndryshe nga qentë apo kojotët, dhelprat zakonisht jetojnë dhe gjuajnë vetëm. Ato nuk jetojnë në tufa dhe preferojnë të kenë hapësirën e tyre personale.
6. Prindër shumë të përkushtuar
Këlyshët lindin të verbër dhe nuk hapin sytë për 9 ditë. Në këtë kohë, qëndrojnë me nënën në strehë, ndërsa babai u sjell ushqim. Dhelprat qëndrojnë me këlyshët deri në 7 muaj, dhe nëna bën gjithçka për t’i mbrojtur — madje është raportuar një rast në Angli, kur një nënë ushqeu këlyshin e saj çdo ditë për dy javë, ndërsa ai kishte mbetur i bllokuar në një gardh.
7. Dhelpra më e vogël peshon më pak se 3 kg
Dhelpra e shkretëtirës, e njohur si dhelpra Fennec, jeton në Afrikën e Veriut dhe ka madhësinë e një maceje të vogël. Veshët e saj të mëdhenj ndihmojnë në freskimin e trupit, ndërsa këmbët e mbuluara me lesh e ndihmojnë të ecë në rërë të nxehtë. Ajo peshon vetëm 1.5–3 kg.
8. Dhelpra me 9 bishta është krijesë mitologjike
Në kulturat e Azisë Lindore, dhelpra me 9 bishta (e njohur si “Kitsune” në Japoni) është një figurë mitike që besohet se mund të marrë formën e një gruaje të bukur për të joshur burrat. Në disa tregime ajo paraqitet si e rrezikshme, në të tjera si ogur i mirë.
9. Dhelpra e kuqe e Sierra Nevadas është ndër më të rrallat në botë
Kjo dhelpër jeton në zonat malore të Kalifornisë dhe është aq e rrallë sa mendohet se ka më pak se 50 ekzemplarë të mbetur. Ajo është e vetmuar, e vështirë për t’u vëzhguar dhe shmang kontaktin me njerëzit.
10. Dhelprat arktike përballojnë temperatura ekstreme
Dhelprat e borës mund të përballojnë temperatura deri në -70°C. Gëzofi i trashë i mbron nga të ftohtit dhe i ndihmon të fshihen në dëborë. Ato janë ndër kafshët më të adaptuara për klimën ekstreme./vizionplus.tv















