Ballina Lajme Shkupi qytet pa letër/ Kandidatja e LSDM-së, Shukova premton dixhitalizim

Shkupi qytet pa letër/ Kandidatja e LSDM-së, Shukova premton dixhitalizim

Kandidatja e LSDM-së, për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova, thotë se vizioni i saj për Shkupin, është që kryeqyteti të funksionojë në mënyrë transparente, efikase, dhe bashkëkohore. Ajo premtoi dixhitalizim të plotë të qytetit, duke nënvizuar se përmes projektit “Qytet pa letër 2029”, ka qëllim të bëjë dixhitalizim të plotë të shërbimeve të administratës, pa pasur më nevojë aspak për letër.

“Koncepti Shkup pa letër, domethënë qytet dixhital ku çdo proces administrativ është i shpejtë, i qasshëm dhe i dukshëm. Në planin tonë, dixhitalizimi i shërbimeve publike krijon hapje të plotë të administratës së qytetit. Përmes veglës ‘Buxhet i hapur’ qytetarët kanë qasje të vazhdueshme mbi harxhimet dhe ndarjen e mjeteve publike. Prokurimet elektronike publike mundësojnë transparencë dhe përgjegjësi në çdo procedurë. Projekti “paperless city 2029 ” përfshin një platformë dixhitale që i lidh të gjitha shërbimet e Qytetit, qasje te dokumentet, pagesa dhe informacione për qytetarët dhe bizneset në një vend”, deklaroi Kaja Shukova, Kandidate e LSDM-së, për Qytetin e Shkupit. /Alsat.mk