Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar ndërprerje të shumta në transportin ajror në Turqi. Turkish Airlines (THY) ka njoftuar se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, janë anuluar gjithsej 61 fluturime të planifikuara për ditën e nesërme.
Sipas njoftimit zyrtar, moti i keq po ndikon veçanërisht në rajonet lindore dhe të brendshme të Turqisë. Për këtë arsye, kompania ajrore ka marrë vendimin për anulimin e fluturimeve në të dy drejtimet.
Zëdhënësi i Turkish Airlines, Yahya Üstün, deklaroi:
“Pasagjerët tanë mund të ndjekin statusin e fluturimeve dhe opsionet për biletat përmes faqes sonë zyrtare turkishairlines.com ose aplikacionit mobil. Siguria e fluturimeve është prioriteti ynë kryesor. Ju falënderojmë për mirëkuptimin.”
Paralajmërim nga Ministria e Transportit
Ndërkohë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme për shkak të reshjeve të dendura të borës që priten në ditët në vijim.
Në njoftim thuhet se, sipas parashikimeve meteorologjike, në tri ditët e ardhshme priten reshje të forta bore në rajonin e Detit të Zi Perëndimor, Anadollin Qendror, Anadollin Lindor dhe Juglindor. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore, të kontrollojnë karburantin dhe të kenë me vete zinxhirë, blloqe ndalese dhe pajisje të tjera të nevojshme për emergjenca./TetovaNews














