Këshilltari i Trumpit, Stephen Miller, justifikon aneksimin e ishullit arktik: “Ne jemi një superfuqi”
“Na duhet Groenlanda!”: Trump rikthehet me kërcënime për të marrë ishullin arktik.
Sulmi ndaj Venezuelës dhe kapja e Nicolás Maduro-s janë vetëm fillimi i planeve të Administratës Trump në kontinentin amerikan. Groenlanda po shfaqet si objektivi i radhës. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë konfirmon se presidenti dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare po diskutojnë alternativa të ndryshme për të vënë nën kontroll territorin dhe se përdorimi i Forcave të Armatosura për ta arritur këtë “është gjithmonë një opsion”.
Këto deklarata erdhën pasi këshilltari me ndikim i politikës së brendshme të Trumpit, Stephen Miller, kishte mbrojtur aneksimin e ishullit nën sovranitetin e Danimarkës edhe nëse për këtë do të ishte e nevojshme përdorimi i forcës: “Ne jemi një superfuqi. Dhe me presidentin Trump, do të sillemi si e tillë”.
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se marrja e Groenlandës është një prioritet i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe thelbësore për të frenuar kundërshtarët tanë në rajonin arktik”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë. Dhe shtohet: “Presidenti dhe ekipi i tij po shqyrtojnë një sërë opsionesh për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm të sigurisë kombëtare dhe, sigurisht, përdorimi të ushtrisë është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura (presidentit të vendit)”.
Miller, një nga këshilltarët më të besuar të presidentit amerikan — arkitekti i politikës së tij të emigracionit — i mbështeti me tone sfiduese dëshirat e Trumpit, duke reflektuar një retorikë gjithnjë e më kërcënuese pas kapjes së Maduro-s.
“Jetojmë në një botë ku mund të flitet sa të duash për hollësi ndërkombëtare dhe gjithçka tjetër, por jetojmë në një botë reale… që drejtohet nga forca, që drejtohet nga pushteti”, paralajmëroi shefi zëvendës i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për prezantuesin e CNN, Jake Tapper. “Këto janë ligjet e hekurt të botës”, shtoi ai.
Qoftë me qëllim apo jo, Miller në këtë deklaratë pasqyroi një ide që Trump e kishte shprehur tashmë në konferencën e tij për shtyp të shtunën mbi operacionin në Venezuelë, duke treguar se deri në ç’masë drejtuesit e Shtëpisë së Bardhë mendojnë njësoj: “E ardhmja do të përcaktohet nga aftësia për të mbrojtur tregtinë, territorin dhe burimet thelbësore për sigurinë kombëtare”, deklaroi Trump. “Këto janë ligjet e hekurt që gjithmonë kanë përcaktuar fuqinë globale dhe ne do ta mbajmë kështu”, shtoi ai në atë konferencë, ku njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të qeverisin Venezuelën “derisa të ketë një tranzicion të besueshëm”.
Për të mbrojtur tezat e tij aneksioniste, Miller iu referua edhe rolit të SHBA-së në NATO. Një paradoks, duke qenë se Danimarka është anëtare e Aleancës: as Groenlanda dhe as Kopenhaga nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të Uashingtonit, i cili, në fakt, ka një bazë ushtarake në ishull, Pituffik.
“Shtetet e Bashkuara janë fuqia e NATO-s. Që SHBA-ja të sigurojë rajonin arktik, të mbrojë dhe të ruajë interesat e NATO-s, është e qartë se Groenlanda duhet të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi këshilltari në intervistë.
Suksesi i operacionit për kapjen e Maduro-s pa humbje amerikane duket se i ka dhënë hov një administrate që, që prej së shtunës, ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën për të kërkuar pa ekuivok hegjemoninë në kontinentin amerikan. “Ky është hemisferi YNË”, shkroi Departamenti i Shtetit në një postim në rrjetet sociale, shoqëruar me një foto bardh e zi të Trumpit.
Këtë të diel, Trump shtoi paralajmërime të reja. Ndër vendet që ndihen të kërcënuara janë Kolumbia — udhëheqësi i së cilës, Gustavo Petro, ka qenë një nga të parët që dënoi sulmin ndaj Venezuelës dhe për të cilin Trump ka lënë të kuptohet se mund të jetë i radhës — Meksika, për të cilën presidenti tha se “duhet bërë diçka”, sepse sipas tij vendi është “nën kontrollin e karteleve” të drogës; Kuba, për të cilën ai pretendon se “është gati të bjerë” pasi nuk do të marrë më mbështetje ekonomike nga Venezuela; dhe Groenlanda.
Javën e kaluar, Trump — i cili gjatë vitit të kaluar sulmoi Iranin dhe urdhëroi veprime ushtarake në Nigeri, Siri, Somali dhe Jemen — paralajmëroi gjithashtu se do të ndërhynte në Iran nëse qeveria e atij vendi do t’i shtypte me gjak protestat.
Por pikërisht për ishullin arktik ai është shfaqur më i prerë. “Na duhet Groenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare”, siguroi Trump të dielën, në bordin e Air Force One, gjatë udhëtimit drejt Uashingtonit.
Nuk është e qartë nëse këto kërcënime do të përkthehen në një veprim konkret për aneksimin e territorit, siç kishte kërcënuar republikani në fillim të vitit të kaluar. Por deklaratat e tij dhe ato të Millerit — ideologut të kësaj Shtëpie të Bardhë — menjëherë pas ndërhyrjes në Venezuelë, detyrojnë që ato të merren seriozisht. Qeveria e Groenlandës, ajo daneze, si dhe vendet kryesore evropiane, kanë ritheksuar me vendosmëri se nuk do të lejojnë që SHBA-ja të marrë këtë territor strategjik.
Në një deklaratë në Facebook, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, kërkoi: “Mjaft me presionet. Mjaft me insinuatat. Mjaft me fantazitë për aneksim”. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi: “Do ta bëj të qartë se nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të sulmojnë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka ndalet, përfshirë NATO-n dhe, rrjedhimisht, sigurinë e vendosur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, në një intervistë për televizionin danez TV2, ku pranoi gjithashtu se “duhet marrë seriozisht presidenti amerikan kur thotë se e dëshiron Groenlandën”.
Prania amerikane
Ishulli i madh arktik ka qenë një nga objektivat e Trumpit që para rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, gati një vit më parë. Pozicioni i tij strategjik, së bashku me pasurinë e territorit në burime natyrore si mineralet — litium, nikel, kobalt dhe bakër — si dhe tokat e rralla, e bëjnë atë një thesar në sytë e republikanit, gjithmonë i gatshëm të shfrytëzojë mundësi për përfitim ekonomik.
Në mars të vitit të kaluar, zëvendëspresidenti i SHBA-së, J. D. Vance, vizitoi bazën hapësinore të Pituffik në një udhëtim polemik, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Usha dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz. Gjatë asaj vizite, Vance u shpreh shumë ashpër ndaj menaxhimit danez të sigurisë së territorit me 56 mijë banorë: “Nuk kanë bërë një punë të mirë”, deklaroi ai.















