Mes zërave që po e dënojnë Trumpin për kërcënimin e tij ndaj “qytetërimit” iranian dhe për sulmet ajrore të vazhdueshme amerikane, janë edhe disa nga aleatët e tij prej kohësh në Partinë Republikane.
Kongresmeni nga Xhorxhia, Austin Scott, i cili shërben si në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, ashtu edhe në komisionin e inteligjencës, i tha BBC News se komentet e Trumpit nuk do të bëjnë shumë për ta ndalur luftën.
“Komentet e presidentit janë kundërproduktive dhe unë nuk pajtohem me to”, tha Scott.
Republikani nga Teksasi, Nathaniel Moran, shkroi në X se ai kundërshton kërcënimin e Trumpit.
“Kombi ynë gjithmonë ka zhvilluar operacione ushtarake për kauza të drejta dhe përmes mjeteve të drejta e morale. Kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen; përndryshe ne humbim legjitimitetin tonë për të udhëhequr botën”, shkroi Moran.
“Pra, dua të jem i qartë: unë nuk e mbështes shkatërrimin e një ‘qytetërimi të tërë’. Kjo nuk është ajo që jemi ne dhe nuk është në përputhje me parimet që e kanë udhëhequr Amerikën prej kohësh.”
Trump është përballur gjithashtu me kritika nga zëra të njohur konservatorë në media, përfshirë Tucker Carlson, Alex Jones, Candace Owens dhe Joe Rogan.
Ish-kongresistja Marjorie Taylor Greene, e cila u nda nga Trump pasi kishte ndërtuar karrierën e saj politike si besnike e tij, e quajti kërcënimin e tij më të fundit “të çmendur” dhe kërkoi largimin e tij nga detyra.
“Nuk mund ta vrasim një qytetërim të tërë”, shkroi ajo në X. “Kjo është e keqe dhe çmenduri.”
Joe Kent, ish-drejtori i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit, i cili dha dorëheqje për shkak të vendimit të Trumpit për të sulmuar Iranin, thotë se Trump rrezikon reputacionin e Amerikës nëse vendos të shënjestrojë infrastrukturën civile.
“Trump mendon se po e kërcënon Iranin me shkatërrim, por është Amerika ajo që tani ndodhet në rrezik”, shkroi ai në X.
“Nëse ai përpiqet të zhdukë qytetërimin iranian, Shtetet e Bashkuara nuk do të shihen më si një forcë stabilizuese në botë, por si një agjent i kaosit — duke i dhënë fund në mënyrë efektive statusit tonë si superfuqia më e madhe në botë.”/BBC















