Edicioni i 70-të i Festivalit Evropian të Këngës nisi në mënyrë spektakolare në Vjenë të Austrisë. Përmes prezantimit të 25 finalistëve, prezantuesit Viktoria Svarovski dhe Mihael Ostrovski i paralajmëruan finalistët të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Vjenës.
Këtë vit u këndua në 13 gjuhë, ndërsa shumica e vendeve në këngët e tyre ndërthurën gjuhën amtare me anglishten.
Finalen e hapi fituesi i vitit të kaluar, Xhej-Xhej, i cili interpretoi këngën “Mbretëresha e natës”, pas së cilës nisi gara eurovizive.
I pari performoi përfaqësuesi i Danimarkës, ndërsa pas tij vijuan performancat e Gjermanisë, Izraelit, Belgjikës, Shqipërisë, Greqisë, Ukrainës, Australisë, Serbisë, Maltës, Çekisë, Bullgarisë, Kroacisë, Britanisë së Madhe, Francës, Moldavisë, Finlandës, Polonisë, Letonisë, Suedisë, Qipros, Italisë, Norvegjisë, Rumanisë, ndërsa garën e mbylli vendi nikoqir, Austria.
Fituesi edhe këtë vit u zgjodh përmes kombinimit të votave të jurive kombëtare dhe votimit telefonik të publikut, që tradicionalisht mund ta ndryshojë plotësisht renditjen në momentin e fundit. Këtë vit ishte lejuar që nga një numër të votohej më së shumti dhjetë herë.
Me rastin e 70-vjetorit të Eurovizionit, u bë edhe një rikujtim i të gjitha 25 këngëve. Gjatë kohës që zgjaste votimi, në skenë u paraqitën përfaqësues eurovizivë që kanë performuar ndër vite: Verka Serduçka, Aleksandar Ribak, Ruslana, Måns Zelmerlöw, Erika Vikman, “Lordi” dhe Helena Paparizu, të cilët përmes një performance spektakolare rikthyen këngët e viteve të kaluara në Eurovizion – disa prej tyre fituese, e disa të shndërruara në hite të mëdha edhe pse nuk kishin fituar.
Ata së bashku interpretuan edhe këngën “Blu e ngjyrosur në blu”, më e njohur si “Volare”, e cila zyrtarisht mban rekordin si kënga e përpunuar në të gjitha gjuhët e botës, ndonëse nuk fitoi në Eurovizionin e vitit 1958, kur u interpretua nga Domenico Modugno.
Sipas bastoreve, dueti finlandez i përbërë nga violinistja Linda Lampenius dhe këngëtari Pete Parkkonen prej muajsh ishte në krye të listave si fitues i mundshëm me këngën energjike “Liekinheitin”. Bashkimi i virtuozitetit klasik me energjinë rok konsiderohej kombinim fitues.
Në vitin 2000, Unioni Evropian i Transmetuesve vendosi rregullin sipas të cilit katër vendeve me kontributin më të madh financiar në garë – Spanjës, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar – u garantohej çdo vit pjesëmarrja në finale. Kur Italia iu bashkua në vitin 2011, grupi u bë i njohur si “Pesëshja e Madhe”. Këtë vit, për herë të parë ishte vetëm “Katërshja e Madhe”, pasi Spanja u tërhoq nga pjesëmarrja për shkak të performancës së Izraelit. Përveç Spanjës, pjesëmarrjen e anuluan edhe Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda.
Pak para shpalljes së fituesit, producenti dhe DJ i njohur austriak Parov Stelar, bashkë me ish-përfaqësuesin austriak Cezar Sampson, realizuan një homazh vizual-muzikor për Vjenën.
Viktoria rikujtoi edhe momentin e vetëm në historinë e Eurovizionit, kur në vitin 1969 katër vende – Holanda, Spanja, Franca dhe Britania e Madhe – përfunduan me të njëjtin numër pikësh. Meqë votimi i jurisë kishte përfunduar, të katër këngët u shpallën fituese. Pas kësaj u vendos sistemi me 12 pikë, për të shmangur përsëritjen e një situate të tillë. Nëse megjithatë ndodh barazimi, fitues shpallet ai që ka marrë më shumë 12-she ose më shumë 10-she gjatë votimit. Shembulli i vetëm i tillë ishte Eurovizioni i vitit 1991.
E para votoi Zvicra, ndërsa 12-shen e parë e mori Ukraina. Votimi fqinjësor edhe këtë vit mbeti traditë e Eurovizionit: Mali i Zi dhe Kroacia ia dhanë 12 pikë Serbisë, ndërsa Serbia 12 pikë ia dha Greqisë. Edhe pse Finlanda ishte favorite në të gjitha tabelat, Bullgaria befasoi me numrin e votave që mori nga shumica e vendeve.
Sipas votimit të të gjitha vendeve pjesëmarrëse, Bullgaria me 204 pikë dominoi bindshëm në tabelë. Sipas votave të publikut, tri vende morën zero pikë. Pasi Izraeli doli në vendin e parë sipas votave, në sallë u dëgjuan thirrje pakënaqësie.
Në fund mbetën Australia dhe Bullgaria. Më së shumti pikë nga publiku i mori Bullgaria, me gjithsej 516 pikë, duke u shpallur fituese e edicionit të 70-të të Eurovizionit dhe nikoqire e Eurovizionit të ardhshëm.















