Ballina Kronika Femicid i ri në Manastir: U godit për vdekje me thikë gruaja...

Femicid i ri në Manastir: U godit për vdekje me thikë gruaja me të cilën kishte katër fëmijë

Një femicid i ri ndodhi në lagjen Bair të Manastirit. 31-vjeçarja Ajnet Vejsel, nënë e katër fëmijëve, u godit për vdekje me thikë nga bashkëshorti me të cilin ishte e ndarë. Vrasja ndodhi dje në mëngjes, në orën 06:40, në rrugën “5-ta”. Bashkëshorti, 33 vjeç, është arrestuar dhe ndaj tij është propozuar masa e paraburgimit. Motivi i femicidit lidhet me një konflikt familjar dhe mosmarrëveshje që kishin zgjatur për një periudhë më të gjatë.

Bashkëshortët ishin të ndarë, ndërsa gruaja ishte larguar për të jetuar te familja e saj, por mosmarrëveshjet kishin vazhduar. Viktima nuk e kishte denoncuar keqtrajtimin për shkak të fëmijëve.

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka lëshuar urdhër për obduksionin e viktimës, ndërsa nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë dhe prova materiale, të cilat do të jenë objekt ekspertize.

Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje kërkon hetim urgjent, të plotë dhe transparent për rastin në Manastir, përfshirë edhe verifikimin nëse më herët ka pasur denoncime për dhunë apo informacione te institucionet.

“Nëse konstatohen lëshime, kërkojmë përgjegjësi individuale dhe sanksione për çdo person zyrtar që nuk ka vepruar sipas detyrimeve ligjore. Kërkojmë edhe investime urgjente financiare në shërbime të specializuara për viktimat e dhunës në gjithë vendin, si dhe rritjen e burimeve profesionale në të gjitha institucionet, veçanërisht në MPB dhe qendrat për punë sociale, të cilat do të jenë të fokusuara në mbrojtjen nga dhuna”, thonë nga Rrjeti.