Ballina Kronika E goditi me thikë deri në vdekje, derisa dha shpirt, thonë familjarët...

E goditi me thikë deri në vdekje, derisa dha shpirt, thonë familjarët e gruas së vrarë në Manastir dhe kërkojnë drejtësi

31-vjeçarja nga Manastiri, Ajnet Vejsel, dyshohet se është vrarë në shtëpinë e babait të saj, gjasat janë derisa ishte në gjumë, pasi mëngjesin e sotëm rreth orës 06:40 bashkëshorti i saj, me të cilin jetonin të ndarë, hyri në shtëpi dhe e goditi me thikë.

Vrasja ndodhi në rrugën “Petta” në lagjen Bair të Manastirit. Bashkëshortët jetonin të ndarë për shkak të mosmarrëveshjeve dhe kishin katër fëmijë. Pas vrasjes, 33-vjeçari A.R. është arrestuar, ndërsa në koordinim me prokurorin publik ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për vrasje.

Para shtëpisë së babait, ku u vra gruaja, sot ishin mbledhur familjarët e saj. Xhaxhai i Ajnetit, te i cili po qëndrojnë fëmijët e saj, tregoi se në mëngjes, teksa po shkonte drejt shtëpisë së mbesës, kishte hasur të dyshuarin së bashku me nënën dhe babanë e tij.

“U zgjova në mëngjes rreth orës 7, nipi më tha: ‘Shko shpejt, vajza është therur me thikë’. Para se të mbërrija këtu, i pashë ata duke shkuar përpjetë – bashkëshortin e saj, nënën dhe babanë e tij. Kur erdha këtu kishte Ndihmën e Shpejtë; desha të hyja brenda, por më thanë ‘më mirë mos hyr’”, rrëfen xhaxhai Ahmet Vejsel.

Në lagjen Bair gjatë ditës kishte prani të shtuar policore, si para shtëpisë ku u vra gruaja, ashtu edhe në lagjen ku jeton bashkëshorti i saj.

Halla e Ajnetit, Nadire Vejsel, thotë se ajo ishte goditur me thikë deri në vdekje dhe kërkon që organet kompetente ta hetojnë plotësisht rastin dhe të gjithë të përfshirët të përfundojnë pas hekurave.

“Dua që autoritetet të marrin masa që kjo të mos bëhet edhe më e rëndë, vëllai im është në shok. E goditën me thikë deri në vdekje, derisa dha shpirt, dhe vetëm atëherë thirrën Ndihmën e Shpejtë. Familja e tij e urrente shumë sepse ajo e kishte lënë dhe kishte marrë fëmijët. Vazhdimisht e kërcënonte. I thashë mbesës sime ta denonconte, por nuk e bëri për shkak të fëmijëve”, tha Nadire Vejsel, halla e viktimës.

Policia njoftoi se së bashku me Prokurorinë po punojnë në zbardhjen e rastit, ndërsa deri më tani vetëm bashkëshorti është ndaluar në stacion policor.

Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka kryer këqyrje në vendin e ngjarjes. Është lëshuar urdhër për obduksionin e viktimës, ndërsa nga shtëpia janë marrë gjurmë dhe prova materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës.

Në lagjen Bair gjatë ditës kishte prani të shtuar policore si para shtëpisë ku ndodhi vrasja, ashtu edhe në lagjen ku jeton bashkëshorti i saj./TN