Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 33-vjeçari nga Manastiri, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale vrasje gjatë ushtrimit të dhunës në familje, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, ai dje në mëngjes e ka vrarë në gjumë ish-partneren e tij jashtëmartesore, me të cilën kishte katër fëmijë të mitur. Ai e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar rreth dhjetë plagë. Çifti ishte i ndarë, ndërsa gruaja jetonte në shtëpinë e babait të saj.
“Pasi është siguruar se babai i saj nuk ndodhej në shtëpi, i dyshuari ka hyrë në banesën ku jetonte gruaja derisa ajo ishte duke fjetur, i është afruar viktimës dhe i ka shkaktuar rreth dhjetë goditje me thikë në trup, nga të cilat ajo ka ndërruar jetë menjëherë. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Manastir propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pasi ekziston rreziku që ai të arratiset”, njoftoi Prokuroria.
Viktima, Ajnet Vejsel, ishte 31 vjeçe. Është dhënë urdhër për obduksionin e trupit të saj, ndërsa nga shtëpia janë marrë gjurmë dhe prova materiale, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës./TN















