Presidenti amerikan Donald Trump përfundoi vizitën në Pekin dhe para disa orësh u përcoll me nderime shtetërore për në Uashington. Para largimit, Trump e ftoi presidentin kinez Xi Jinping të vizitojë Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator, gjë që tregon se bisedimet tregtare do të vazhdojnë edhe pas samitit dyditor të kësaj jave në Pekin.
Pas takimit të dy presidentëve më herët gjatë së njëjtës ditë, Xi tha se SHBA-ja dhe Kina janë pajtuar për “stabilitet strategjik” si kornizë për tre vitet e ardhshme, sipas mediave shtetërore. Dy presidentët përmbyllën një samit historik me ndikime globale. Trump tha se janë zgjidhur “shumë probleme të ndryshme”, por ende nuk janë publikuar marrëveshje thelbësore për çështjet kyçe që ndikojnë në rivalitetin mes tyre.
Trump mbërriti në Pekin me synimin për të arritur marrëveshje në sektorë si bujqësia, aviacioni dhe inteligjenca artificiale, si dhe për të kufizuar dallimet mes dy palëve në një sërë fushash të tensionuara gjeostrategjike – jo vetëm në luftën në Lindjen e Mesme.
Propozimet e Trumpit ndaj Xi-së, të cilin e përshkroi si “lider të madh” dhe “mik”, deri tani janë pritur me tone më të përmbajtura nga lideri kinez.
Megjithatë, lideri amerikan tha se nga vizita dolën “shumë gjëra të mira”. “Kemi arritur disa marrëveshje fantastike tregtare, të shkëlqyera për të dy vendet”, tha ai pas një shëtitjeje me Xi-në mes shkurreve të trëndafilave në kopshtet e Zhongnanhait, kompleksit qendror të udhëheqjes pranë Qytetit të Ndaluar në Pekin.
“Zgjidhëm shumë probleme të ndryshme që njerëz të tjerë nuk do të mund t’i zgjidhnin”, shtoi ai, pa dhënë detaje.
Xi tha se ky është një “moment kthese” dhe se të dyja palët deri tani është dashur të vendosin “një marrëdhënie të re bilaterale, që është marrëdhënie e stabilitetit strategjik konstruktiv”.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump u pajtuan të forcojnë komunikimin dhe koordinimin për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale në kushtet e luftës me Iranin, njoftoi Kina të premten.
Dy liderët zhvilluan një “shkëmbim të thelluar mendimesh” për çështjet kryesore që prekin të dy vendet dhe botën, dhe arritën një sërë “mirëkuptimesh të reja të përbashkëta”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, sipas njoftimit, ndërsa Trump realizoi vizitën e parë të një presidenti amerikan në Kinë që nga viti 2017.
Ai premtoi se do t’i dërgojë Trumpit fara për Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë.
A DO TË PËRFSHIHET DIPLOMACIA KINEZE NË KRIZËN E HORMUZIT?
Në një intervistë për Fox News pas përfundimit të ditës së parë të samitit, Trump tha se Xi ishte pajtuar me disa pika nga lista e dëshirave të SHBA-së.
Për temën e luftës në Iran, presidenti amerikan tha se Xi në mënyrë efektive e kishte siguruar homologun e tij se Kina nuk po përgatitet ushtarakisht për ta ndihmuar Teheranin, i cili në thelb ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit. “Ai tha se nuk do të japë pajisje ushtarake… e tha këtë qartë”, deklaroi Trump për Fox.
“Ai do të dëshironte ta shihte Ngushticën e Hormuzit të hapur dhe tha: ‘nëse mund të ndihmoj në çfarëdo mënyre, do të doja të ndihmoja’”, shtoi Trump.
I pyetur nëse dy liderët kishin biseduar për Iranin, Ministria e Jashtme kineze publikoi të premten një njoftim ku bëri thirrje për “armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”.
“Linjat detare duhet të hapen sa më shpejt, në përgjigje të thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar”, shtoi ajo.
Shtrëngimet e ngrohta të duarve dhe pompoziteti i së enjtes u lanë disi në hije nga paralajmërimi i hapur i Xi-së për një pikë shumë më të vjetër të nxehtë gjeopolitike: Tajvanin.
Pak pas nisjes së bisedimeve, mediat shtetërore kineze raportuan se Xi i kishte thënë Trumpit se gabimet lidhur me çështjen e ndjeshme të Tajvanit mund t’i çonin dy vendet në “konflikt”.
Intervista në Fox News nuk e trajtoi Tajvanin, ndërsa Trump nuk komentoi para gazetarëve kur u pyet për këtë çështje të enjten.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi për CNBC se presidenti do të thotë më shumë “në ditët në vijim”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të enjten për NBC se “politika e SHBA-së për çështjen e Tajvanit mbetet e pandryshuar… pas takimit”. Pekini e ngriti këtë temë, tha ai, por “ne gjithmonë e shprehim qartë qëndrimin tonë dhe kalojmë te temat e tjera”.
Tajpei reagoi të premten duke falënderuar Uashingtonin “për shprehjen e vazhdueshme të mbështetjes së tij”.
TRUMP I KËNAQUR ME MARRËVESHJET TREGTARE
Trump të premten nuk i specifikoi marrëveshjet tregtare për të cilat tha se ishin arritur me Kinën.
Megjithatë, në intervistën për Fox, Trump tha se një marrëveshje e madhe biznesi përfshinte pajtimin e Xi-së për të blerë “200 avionë të mëdhenj” Boeing.
Aksionet e gjigantit amerikan të aviacionit ranë pas komenteve të Trumpit, shenjë se tregu priste një blerje më të fuqishme nga Kina.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se Pekini kishte shprehur interes për të blerë naftë dhe sojë amerikane.
Kina, e cila është klient kyç i huaj i naftës iraniane, kishte blerë sasi të vogla nafte amerikane para se Trump të vendoste tarifa vitin e kaluar. Ajo i ngadalësoi ndjeshëm blerjet e sojës amerikane, duke u kthyer në vend të kësaj nga Brazili.
Edhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi për CNBC se Trump dhe Xi diskutuan për vendosjen e “barrierave mbrojtëse” për përdorimin e inteligjencës artificiale. Bessent tha se “dy superfuqitë botërore të inteligjencës artificiale do të fillojnë të bisedojnë”, edhe pse kontrolli i eksporteve amerikane të teknologjisë së avancuar drejt Kinës mbetet një pikë e dhimbshme në marrëdhënie.















