Ballina Bota “Sot ekzistojnë dy superfuqi të vërteta”

“Sot ekzistojnë dy superfuqi të vërteta”

Reagime të shtypit për vizitën në Kinë
“Sot ekzistojnë dy superfuqi të vërteta”

Donald Trump qëndroi për disa ditë në Kinë. Gjatë vizitës, lideri kinez i përcolli presidentit amerikan një mesazh të qartë për Tajvanin. Shtypi ndërkombëtar reagoi me komente të forta.

“El Mundo” – Spanjë:
“Xi Jinping e shfrytëzoi takimin me Donald Trumpin si demonstrim të forcës politike, diplomatike dhe simbolike, që kulmoi me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit lidhur me Tajvanin. Momenti qendror i samitit ishte mesazhi kinez për Tajvanin. Xi paralajmëroi se çdo veprim ‘i papërshtatshëm’ ndaj ishullit mund të çonte në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme.”

“La Stampa” – Itali:
“Mirë se vini, pra, në G2. I inauguruar në Pekin; ndoshta do të ketë vend edhe për Vladimir Putinin. Lamtumirë G7. Trump bëri të ditur se do të marrë pjesë me video. Edhe nëse ndryshon mendje, Mario Draghi ka të drejtë: Evropa është e vetme. Ajo duhet të sigurohet shpejt. Të tjerët nuk presin.”

“The Times” – Britani e Madhe:
“Presidenti amerikan Donald Trump, në mandatin e tij të dytë, ka bërë një kthesë në politikën ndaj Kinës. Ashtu si qasja konfrontuese e mandatit të tij të parë, edhe ky hap është rezultat i një analize të ftohtë të realitetit. Pika e kthesës erdhi verën e kaluar, kur Trump u përpoq të fitonte epërsi në një luftë tarifash me Pekinin.

Deri tani, megjithatë, Kina ende nuk i ka lënë në hije SHBA-të. Duke pasur parasysh problemet e thella strukturore të Kinës dhe dinamizmin e vazhdueshëm ekonomik të Amerikës, kjo ndoshta nuk do të ndodhë kurrë. Por ndryshimi është i dukshëm. Epoka e rendit botëror unipolar ishte jetëshkurtër. Sot ekzistojnë dy superfuqi të vërteta.”

“Trouw” – Holandë:
“Fakti që Kina, në prag të vizitës së Trumpit, shpalli se nuk i nevojitet më Amerika për zhvillimin e mëtejshëm të inteligjencës artificiale, tregon pavarësinë e saj në rritje. Kështu, në gjithnjë e më shumë pjesë të botës, Amerika shihet si një gjigant me këmbë prej balte, që endet nëpër një moçal të krijuar vetë nga ndërhyrje dhe ambicie gjeopolitike të papërfunduara. Pra, krejt e kundërta e imazhit që Trump ka për veten.”

“Neue Zürcher Zeitung” – Zvicër:
“Xi ka të drejtë kur u bën thirrje SHBA-ve që së bashku të kujdesen për të shmangur të ashtuquajturin ‘Kurth i Tukididit’. Me këtë nënkuptohet përshkrimi i historianit grek Tukidid, sipas të cilit frika e Spartës nga ngritja e Athinës çoi në mënyrë të pashmangshme në Luftën e Peloponezit, e cila shkaktoi shkatërrime të mëdha dhe në fund i çoi të dyja fuqitë në rënie kulturore.

Zyrtarisht, Xi në samitin e Pekinit me Trumpin është pajtuar për shmangien e Kurthit të Tukididit dhe për ‘realizimin e një vizioni të ri për një marrëdhënie konstruktive kino-amerikane të stabilitetit strategjik’. Kjo është për t’u përshëndetur. Diagnoza dhe qasja terapeutike janë të sakta. Por vendimtare është nëse terapia do të funksionojë dhe nëse të dyja palët do ta zbatojnë atë.”

“Les Échos” – Francë:
“Nga këndvështrimi evropian, është dramatike që këta dy krerë shtetesh marrin vendime për tema si tregtia dhe Lindja e Mesme, të cilat prekin drejtpërdrejt Evropën, pa pasur ajo të drejtë fjale. A u përmend fare Evropa në bisedimet mes dy liderëve? Kjo të kujton dyshen Trump-Putin, që negociojnë për Ukrainën mbi kokën e kontinentit të vjetër, ndonëse është Evropa ajo që paguan për mbrojtjen e Kievit.”/dpa/TetovaNews