Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për një “algoritëm” që, sipas tij, po favorizon përhapjen e përmbajtjeve të lidhura me protestat, kanë ngjallur debat jo vetëm politik, por edhe teknik.
I ftuar në News24, inxhinieri kibernetik Erion Demiri hodhi poshtë interpretimet politike të termit, duke argumentuar se koncepti i algoritmit po përdoret në mënyrë të shtrembëruar për të krijuar perceptimin e një force të padukshme që vepron kundër pushtetit.
Sipas tij, algoritmet nuk janë asgjë më shumë sesa mekanizma teknologjikë që ndjekin sjelljen e përdoruesve dhe reagojnë ndaj interesit që ata shfaqin në rrjetet sociale.
“Algoritmi nuk është një entitet i vetëm dhe as një armik i fshehtë. Bëhet fjalë për mijëra procese dhe instruksione kompjuterike që përcaktojnë se çfarë përmbajtjeje u shfaqet përdoruesve”, u shpreh Demiri.
Eksperti theksoi se për vite me radhë vetë partitë politike kanë ushqyer këto mekanizma përmes aktiviteteve të koordinuara në rrjetet sociale, ku stafet angazhoheshin masivisht me pëlqime, komente dhe shpërndarje për të rritur shikueshmërinë e postimeve politike.
Megjithatë, sipas tij, panorama ndryshoi pas nisjes së protestave qytetare, kur përmbajtjet filluan të shpërndaheshin në mënyrë spontane nga mijëra qytetarë.
“Që nga fundi i majit pamë një valë të madhe videosh, fotosh dhe mesazhesh nga protestuesit. Kjo përmbajtje u përhap natyrshëm sepse njerëzit e shpërndanë vetë, jo sepse dikush e kontrolloi procesin”, tha ai.
Demiri argumentoi se pikërisht ky reagim organik ka vënë në vështirësi klasën politike, e cila sipas tij ishte mësuar të dominonte komunikimin publik përmes strukturave të organizuara.
“Kur qytetarët fillojnë të prodhojnë dhe shpërndajnë masivisht përmbajtje jashtë kontrollit të partive, atëherë ndryshon e gjithë dinamika e komunikimit. Kjo është ajo që ka shqetësuar politikën”, deklaroi eksperti.
Sipas tij, frika nga ndikimi i videove të protestave nuk lidhet me ndonjë algoritëm misterioz, por me faktin se zëri i qytetarëve po arrin të depërtojë më fort se mesazhet tradicionale të propagandës politike.















