Ballina Aktualitet Azizi i përgjigjet Bajram Rexhepit: Jo referendum, por llogari për 22 vite...

Azizi i përgjigjet Bajram Rexhepit: Jo referendum, por llogari për 22 vite pushtet, qytetarët nuk harrojnë premtimet e harruara dhe projektet e munguara

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj Bajram Rexhepit, duke e kritikuar për qëndrimet e tij rreth referendumit dhe duke kërkuar, siç thotë ai, llogaridhënie për 22 vitet e qeverisjes së BDI-së.

Në reagimin e tij, Azizi thotë se shqiptarët, pas luftës së vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, i dhanë BDI-së një periudhë të gjatë pushteti, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal. Sipas tij, pavarësisht posteve të shumta ministrore, pushtetit lokal, ndikimit në institucione dhe pozitës së kryeministrit teknik, rezultatet konkrete për qytetarët kanë munguar.

Ai akuzon qeverisjen e kaluar për problemet e pazgjidhura në Tetovë dhe Pollog, duke përmendur deponitë e egra, qentë endacakë, problemet me ujin e pijshëm dhe largimin e të rinjve drejt mërgimit.

Azizi ndalet edhe te fshati Sellcë, duke e akuzuar drejtpërdrejt Rexhepin se nuk ka realizuar projektet e premtuara. Sipas tij, banorët e Sellcës kanë pritur për vite me radhë investime në infrastrukturë, ndërsa projektet kanë nisur të lëvizin vetëm pas ardhjes së Bilall Kasamit në krye të Komunës së Tetovës.

Deputeti i VLEN-it thotë se para se të flitet për referendume dhe kauza të mëdha politike, duhet pyetur qytetarët e Tetovës dhe banorët e Sellcës nëse mbajnë mend ndonjë projekt konkret nga qeverisja e mëparshme.

Azizi përmend edhe rezultatet zgjedhore, duke thënë se qytetarët tashmë kanë dhënë një përgjigje në kutitë e votimit. Sipas tij, BDI ka humbur dy herë radhazi me rreth 5 mijë vota diferencë, ndërsa përgjigjja më e fuqishme, siç paralajmëron ai, do të vijë në zgjedhjet e ardhshme.

Në fund, ai thekson se qytetarët nuk i harrojnë premtimet e parealizuara, projektet e munguara dhe problemet e përditshme me të cilat janë përballur për vite me radhë.

Postimi i plotë:

Hobe Bajram, jo referendum!

Luftë bëmë në vitin 2001, Marrëveshjen e Ohrit e fituam, pastaj ju dhamë 22 vite pushtet qendror, pushtet lokal, gjysmën e qeverisë, ministra sa të duash, gjykatës e prokurorë me telefonata, madje edhe kryeministër teknik. Me pak fjalë, ju dhamë gjithçka: gjak, mund, djersë dhe rini.

Pas gjithë atyre viteve, emrat e rrugëve mbetën aty ku ishin, Tetova u mbush me deponi të egra, qen endacakë dhe probleme me ujin e pijshëm rrëzë Malit Sharr, ndërsa Pollogu u zbraz nga rinia që mori rrugën e mërgimit.

E ti, Bajram, as rrugën e Sellcës nuk e bëre. Shtyllat e shkollës u kalbën duke pritur investimet tuaja. Banorët pritën 22 vite dhe në fund u desh të vinte Bilall Kasami që të fillojnë të bëhen rrugët, shkollat dhe projektet që ju i kishit lënë vetëm në premtime.

Prandaj, para se të mbash ligjërata për referendume e kauza të mëdha, ndoshta bëj një referendum me banorët e Sellcës dhe të Tetovës: a e mbajnë mend ndonjë projekt tuajin?

Përgjigjen e parë e morët në kutitë e votimit. Dy herë radhazi humbët me rreth 5 mijë vota diferencë. Por përgjigjja më e fuqishme ende nuk ka ardhur. Ajo do të vijë në zgjedhjet e ardhshme, sepse në vend që të reflektoni, të reformoheni dhe të kërkoni falje për dështimet e 22 viteve, vazhdoni të merreni me shpifje, propagandë dhe arsyetime.

Qytetarët nuk harrojnë. Ata i mbajnë mend rrugët e pabëra, projektet e munguara dhe premtimet e harruara. Dhe kur vjen dita e votimit, japin përgjigjen e tyre më qartë se çdo referendum.