Ballina Kronika Babai i vajzave që vdiqën tragjikisht në Gjermani: U shkatërruam, zemra m’u...

Babai i vajzave që vdiqën tragjikisht në Gjermani: U shkatërruam, zemra m’u thye

Vdekja tragjike e dy motrave kosovare nga familja Zubaku, me origjinë nga fshati Topanicë i Kamenicës, ka tronditur familjarët, diasporën dhe opinionin publik.

Erza, 23 vjeç, dhe Aulona, 17 vjeç, humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku në Gjermani, duke lënë pas dhimbje të madhe te të afërmit e tyre.

Mes pikëllimit të thellë, babai i vajzave ka folur për humbjen e rëndë të dy të bijave.

“Jemi të gjithë të shkatërruar. Zemra ime është e thyer. Të dyja ishin në kulmin e jetës së tyre”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se ceremonitë e lamtumirës do të mbahen në vendlindje, raporton Klankosova.tv.

Ai ka treguar edhe për ëndrrat dhe planet që vajzat kishin për të ardhmen.

“Vajzat ishin në kulmin e rinisë dhe kishin plane e ëndrra për të ardhmen. Vajza e madhe kishte përfunduar së fundmi shkollimin e lartë profesional dhe ishte e punësuar në Olten të Zvicrës, ndërsa motra e saj më e vogël ishte në vitin e dytë të përgatitjes profesionale. Ato ishin në kulmin e jetës së tyre dhe e donin jetën. Fatkeqësisht, ishte shumë e shkurtër për to, na mungojnë shumë”, ka deklaruar ai për mediat zvicerane.

Sipas autoriteteve gjermane, aksidenti ka ndodhur më 20 qershor, pak pas orës 11:30, pranë zonës së pushimit Renchtal. Fillimisht, ka ndodhur një përplasje anësore mes dy automjeteve gjatë një manovre për ndërrimin e korsisë nga ajo e mesme në të majtën.

Për shkak të shpejtësisë së lartë, të dy drejtuesit humbën kontrollin mbi automjetet, të cilat mbetën të ndaluara në rrugë. Njëri nga të përfshirët në aksident pësoi lëndime të rënda.

Pengesat e krijuara nga ky aksident detyruan drejtuesit e automjeteve që po vinin pas të frenonin fuqishëm. Si pasojë, pranë daljes së Appenweier ndodhi një tjetër aksident i rëndë ku u përfshinë pesë automjete.

Sipas raportimit të Blick, ndërsa pasagjerët dhe drejtuesit e katër automjeteve të përfshira nuk pësuan lëndime, për dy gratë që udhëtonin në një veturë të tipit Smart nuk pati mundësi shpëtimi. Ato humbën jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të rënda.