Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, Esmeralda ka rrëfyer kalvarin e dhimbshëm të familjes së saj, kur rreziku i shitjes së shtëpisë për shkak të sëmundjes së të vëllait u pasua nga arrestimi i të atit në Greqi.
Gjatë muajve që kryefamiljari vuante dënimin në burg, nënës së saj iu desh të përballej plotësisht e vetme me një goditje akoma më të rëndë.
Pas një muaji kërkimesh dëshpëruese, ajo identifikoi trupin e pajetë të motrës së saj, e cila u gjet e vrarë dhe e mbytur në lumë. Vdekja e tezes së Esmeraldës mbetet edhe sot e kësaj dite një enigmë e pazbuluar, duke lënë pas një plagë të hapur dhe një sekret të madh.
Esmeralda: Në periudhën kur vëllai i madh, Apostoli ka qenë i vogël, mami jetonte në shtëpi me dy vëllezërit e mi, kurse babi ishte duke emigruar në Greqi. Ajo ishte e ardhura jonë e shtëpisë. Në atë kohë vëllai kishte një sëmundje të quajtur, astmë. Ishte një gjë shumë e keqe për familjen tonë, sepse nuk e prisnim. Në atë kohë unë akoma nuk kisha ardhur në jetë dhe ekonominë e kishim shumë të dobët, saqë babi detyrohet që të nxjerrë shtëpinë në shitje, nga vuajtjet që mami bënte me vëllain lart e poshtë nëpër spitale. Na ndihmon dikush me para, për shërimin e vëllait dhe nuk e shitëm shtëpinë, falë atij personi. Siç e thashë babi punonte në Greqi dhe i bëjnë një kallëzim që ishte pa letra dhe futet në burg për gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe mami kishte humbur motrën e saj…
Ardit Gjebrea: Gjatë kësaj kohe që babi ishte në burg ndodh një fatkeqësi me tezen tënde, çfarë ndodhi?!
Esmeralda: Ishte e humbur dhe ishte në kërkim. Pas një muajsh kërkime tezja gjendet dhe mamit i vjen lajmi që duhet të shkonte të konfirmonte nëse është ajo apo, jo. Ishte e vrarë, e mbytur në lumë. Për mamin ishte një dhimbje shumë e madhe, sepse burrin e saj e kishte në burg prej gjashtë muajsh, kurse motrën e saj të sapo humbur, që po e kërkonin ta gjenin shëndoshë e mirë, për fat të keq jo.















