Ballina Kronika Ende asnjë gjurmë e Eglant Koçit, policia vijon kërkimet edhe për autorin...

Ende asnjë gjurmë e Eglant Koçit, policia vijon kërkimet edhe për autorin e dyshuar Armand Shakaj

Edhe pse kanë kaluar 8 ditë nga zhdukja e Eglant Koçit, Policia e Tiranës ende nuk ka asnjë përgjigje për fatin e të riut.

Pa përgjigje grupi hetimor është edhe për vendndodhjen e Armand Shakajt, autori i dyshuar që fshihet pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

Deri tani hetuesit kanë në duar kamera sigurie dhe automjetin tip “Porche Cayenne” të Armand Shakajt, mjet që dyshohet se ka transportuar trupin e Eglant Koçit pas ekzekutimit.

Vrasja e 34-vjeçarit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime nga policia shprehen se ka dyshime të forta që i riu të jetë vrarë nga 41-vjeçari dhe më pas trupi të jetë zhdukur.

Brenda automjetit janë gjetur njolla gjaku, që dyshohet se janë të Eglant Koçit. Kjo makinë u zbulua nga policia në momentin që arrestoi kamarierin e autorit të dyshuar i cili ndodht ende në kërkim.

Enea Zyferi, 25-vjeç, u arrestuar nga blutë në zonën e Bulevardit ti ri teksa po lante automjetin me urdhër të Shakajt.Madje në dëshminë e tij ka ka thënë se mbrëmjen e 4 qershorit ka parë të futet në lokal Eglant Koçin, por nuk e ka parë më të dalë.

Sipas tij, pronari i ka kërkuar që të fikë dritat pasi do të nxirrte një frigorifer të madh.

Lokali i Armand Shakajt ndodhet në afërsi të gjimnazit “Ismail Qemali”, ndërsa sipër ishte një ambient i marrë me qira nga 41-vjeçari. Në këto ambiente dyshohet se është vrarë i riu. Madje disa kamera kanë filmuar Armand Shakajn duke nxjerrë qese të mëdha të zeza  te cilat i fut në makinë.

Sipas sistemit TIMS, Armand Shakaj nuk rezulton të ketë dalë jashtë Shqipërisë. Ai vuan nga sëmundje të veshkave dhe policia ka kërkuar dhe një vëmendje nga spitalet shtetërore dhe ato private nëse i kërkuari paraqitet për ndihmë mjeksore.

Sa i takon kërkimeve për trupin e Eglant Koçit ato po vijojnë në disa zona malore të Tiranës që kufizohen me Dibrën dhe Librazhdin, por deri më tani nuk  është gjetur asgje. Pista e policisë mbetet ajo e përplasjeve për shkak të shumave të mëdha të parave të përfituara nga kriptomonedhat, apo paratë me fajde.