Ballina Bota Florida padit OpenAI-n, zhvilluesin e ChatGPT-së

Florida padit OpenAI-n, zhvilluesin e ChatGPT-së

Prokurori i Përgjithshëm i Floridës ngre akuza të rënda ndaj kompanisë OpenAI. Asistenti i inteligjencës artificiale ChatGPT është problematik sidomos për adoleshentët dhe përbën kërcënim për sigurinë publike, transmeton Tetova News.

Shteti amerikan i Floridës akuzon, përmes një padie, kompaninë e inteligjencës artificiale OpenAI se po i rrezikon përdoruesit e softuerit të saj, ChatGPT. Në padinë e dorëzuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, thuhet se chatbot-i përbën kërcënim për sigurinë publike.

Në padi përmenden raste në të cilat ChatGPT dyshohet se ka rekomanduar një kombinim vdekjeprurës ilaçesh. Po ashtu, chatbot-i dyshohet se ka këshilluar autorin e një sulmi me armë zjarri në kampusin e një universiteti para se ai të kryente veprën.

“Nuk janë marrë masa”

Uthmeier kritikoi se chatbot-i është veçanërisht problematik për adoleshentët. Sipas tij, aplikacioni nuk ka verifikim moshe. “Edhe pse është publikisht e njohur se ChatGPT përdoret nga të mitur, përfshirë edhe fëmijë para moshës së pubertetit, të paditurit nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të parandaluar përdorimin e tij nga ata”, thuhet në padi.

OpenAI, në reagimin e saj, iu referua masave për mbrojtjen e përdoruesve të rinj. Këto masa përfshijnë mekanizma për përcaktimin e moshës si dhe mundësi mbikëqyrjeje nga prindërit. Një pjesë të këtyre masave OpenAI i zbatoi vetëm pas rasteve me viktima dhe kritikave publike.

ChatGPT është chatbot-i që nxiti valën aktuale të interesit për inteligjencën artificiale dhe, sipas OpenAI, numëron tashmë 900 milionë përdorues në javë. Ai është produkti kryesor i kompanisë.

Florida kishte nisur që në prill hetime lidhur me rolin e ChatGPT-së në sulmin me armë zjarri në Universitetin Shtetëror të Floridës në prill të vitit 2025. Uthmeier kishte thënë atëherë se autori i sulmit kishte kërkuar këshilla nga chatbot-i para se të kryente veprën. Sipas tij, autori nuk kishte marrë vetëm rekomandime se cilën armë të përdorte dhe çfarë municioni përshtatej me cilat armë, por edhe këshilla se ku dhe në cilën kohë do të kishte më shumë njerëz atje.

OpenAI këmbëngul se ChatGPT nuk është përgjegjës për sulmin, në të cilin u vranë dy persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë.

Akuzat ndaj chatbot-ëve të inteligjencës artificiale po shtohen

Pas nisjes së hetimeve në prill, Prokurori i Përgjithshëm Uthmeier përdori një deklaratë të fortë: “Nëse ChatGPT do të ishte person, do të akuzohej për vrasje.” Sipas tij, ligji në Florida parashikon që kushdo që ndihmon dikë në kryerjen e një vepre penale ose e nxit atë, konsiderohet bashkëpunëtor dhe mban të njëjtën përgjegjësi si autori.

Në gjithnjë e më shumë raste, familjarë të viktimave dhe autoritete hetimore pretendojnë se ChatGPT ose chatbot-ë të tjerë të inteligjencës artificiale kanë luajtur rol në dhunë ose krime. Në rastin e sulmit në Universitetin Shtetëror të Floridës, edhe familja e një viktime ka ngritur padi kundër OpenAI.

Pas një sulmi masiv në një shkollë në Kanada në shkurt, drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, kërkoi së fundmi falje që kompania nuk i kishte njoftuar autoritetet e sigurisë për biseda të dyshimta me inteligjencën artificiale të zhvilluara nga autorja e dyshuar para se të kryente sulmin./TetovaNews