Ballina Kultura PANAIRI I 26-TË I LIBRIT “PRISHTINA 2026” HAPET MË 17 QERSHOR NË...

PANAIRI I 26-TË I LIBRIT “PRISHTINA 2026” HAPET MË 17 QERSHOR NË PALLATIN E RINISË

Nga 17 deri më 21 qershor, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, do të mbahet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026”, një nga ngjarjet kryesore të librit shqip.

Ky edicion vjen me moton “Libri hap botën” dhe organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.

Ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet më 17 qershor, në orën 12:00, ndërsa do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i Kosovës, në vazhdën e traditës së televizionit publik për përcjelljen e kësaj ngjarjeje kulturore.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 09:00 deri në 21:00. Edicioni i sivjetshëm do të përmbyllet më 21 qershor, në orën 19:00.

Hyrja për vizitorët do të jetë pa pagesë.

Sipas organizatorëve, në këtë edicion marrin pjesë mbi 60 botues shqiptarë. Lexuesit do të kenë mundësi të njihen me rreth 2.000 tituj të rinj dhe rreth 6.000 tituj të botuar gjatë viteve të fundit.

Gjatë pesë ditëve të panairit janë paraparë mbi 40 aktivitete, përfshirë promovime librash, takime me autorë, debate, përkujtime dhe ngjarje të tjera kulturore.

I ftuar nderi i këtij edicioni do të jetë shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Organizatorët presin që panairi të vizitohet nga rreth 30 mijë persona, përfshirë studentë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, qytetarë, si dhe personalitete të jetës akademike, letrare, politike dhe intelektuale të Kosovës.

Ky edicion përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm, të cilët do të shënohen përmes aktiviteteve, përkujtimeve dhe debateve të veçanta.

Në panair do të jenë të pranishëm shkrimtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes, librarë dhe dashamirë të librit.

Panairi i Librit në Prishtinë konsiderohet kryengjarja e fushës së librit shqip, duke mbledhur çdo vit botues, autorë dhe lexues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare.

Burimi: Shoqata e Botuesve të Kosovës