Partia politike VLEN mbajti Kuvendin themelues, duke e cilësuar këtë moment si hap të rëndësishëm drejt konsolidimit, fuqizimit dhe shtrirjes organizative në terren. Në këtë kuvend, drejtuesit e VLEN-it theksuan se bashkimi i pesë subjekteve politike në një forcë të vetme synon artikulim më të qartë të kërkesave të qytetarëve shqiptarë, përfaqësim më efektiv në institucione dhe përqendrim më të madh në investime, zhvillim ekonomik dhe decentralizim.
Në fjalimet e tyre, bashkëkryetarët Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, si dhe nënkryetarja Mimoza Musa, e paraqitën Kuvendin themelues si vazhdimësi të procesit të bashkimit politik dhe si fillim të një etape të re për VLEN-in.
Kasami: Pesë subjekte u bashkuan në një, na pret punë në terren
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se Kuvendi themelues është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin për bashkimin dhe konsolidimin e subjektit.
“Sot po ndërmarrim një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin historik për bashkimin dhe konsolidimin e VLEN-it. Pesë subjekte u bashkuan në një dhe kjo përkthehet në artikulim më të qartë e më të mirë të kërkesave të qytetarëve tanë, në përfaqësim më të mirë të shqiptarëve dhe në më shumë punë për zhvillimin e shoqërisë sonë”, tha Kasami.
Ai theksoi se, edhe pse VLEN-i ka qenë në fazë konsolidimi dhe bashkimi, gjatë dy viteve në pushtet, sipas tij, ka lëvizur përpara çështje që kishin mbetur pezull për vite të tëra.
Kasami përmendi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave, Korridorin 8, rrugën Shkup–Bllacë, lehtësimin e procedurave kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë, investimet në spitalet e Tetovës dhe Kërçovës, kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, si dhe projektet infrastrukturore në Tetovë.
Sipas tij, me ardhjen e VLEN-it në pushtet, shqiptarët kanë hyrë në “epokën e punës, ndërtimit dhe zhvillimit”. Ai u bëri thirrje strukturave të partisë që të dalin në terren, të prezantojnë projektet e realizuara dhe të kundërshtojnë propagandën politike me fakte dhe punë konkrete.
“Nga java që vjen do të dalim në vizitë të të gjitha strukturave lokale, ku do të prezantojmë punët të cilat janë bërë dhe ato që na presin, por më e rëndësishmja është strukturimi i VLEN-it në çdo cep të komunave dhe territorit ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Kasami.
Mexhiti: Përfaqësimi i vërtetë matet me investime, jo me numër funksionesh
Bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Izet Mexhiti, e cilësoi Kuvendin themelues si hap të radhës drejt konsolidimit dhe fuqizimit të VLEN-it si subjekt politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se, 35 vite nga pavarësimi i shtetit dhe 25 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët kanë nevojë për një udhërrëfyes të ri politik, ku zhvillimi ekonomik dhe ndarja e drejtë e buxhetit të shtetit të jenë në qendër të veprimit politik.
Sipas Mexhitit, emancipimi politik dhe kulturor i një populli nuk mund të jetë i plotë pa zhvillim të mirëfilltë ekonomik. Ai theksoi se buxheti i shtetit është matësi më i drejtë i premtimeve për barazi, përfaqësim dhe zhvillim.
“Kur kemi hyrë në qeveri para dy vitesh, kemi hyrë me bindjen dhe përgjegjësinë që shqiptarët të marrin atë që u takon. Sot mund të themi me përgjegjësi të plotë se ndarja e barabartë e hisës buxhetore po ndodh në realitet”, tha Mexhiti.
Ai përmendi disa projekte që, sipas tij, dëshmojnë këtë qasje: mbi 40 milionë euro për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, rreth 20 milionë euro për fazën e fundit të sheshit “Skënderbeu”, 74 milionë euro për Spitalin e Tetovës, investime për Spitalin e Kërçovës, mbi 200 milionë euro për autostradën Shkup–Bllacë dhe afër 40 milionë euro për kolektorin e ujërave të zeza në Tetovë.
Mexhiti përmendi edhe modelin “one stop shop” në pikat kufitare, duke thënë se pas Bllacës dhe Jazhincës, po punohet edhe për Qafë Thanën dhe Bllatën, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, veçanërisht diasporës.
Ai tha se përmes projekteve të ndryshme zhvillimore po realizohen rreth 100 milionë euro investime në komunat shqiptare, në rrugë lokale, shkolla, çerdhe, ujësjellës dhe infrastrukturë bazë.
“Përfaqësimi i vërtetë nuk matet me numrin e funksioneve. Përfaqësimi i vërtetë matet me universitetet që ndërtohen, me spitalet që modernizohen, me rrugët që lidhin qytetet tona dhe me investimet që mbërrijnë në komunat tona”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi rëndësinë e decentralizimit, duke thënë se zhvillimi duhet të fillojë nga komuna, nga qyteti dhe nga vendi ku jetojnë njerëzit. Sipas tij, komunat duhet të kenë më shumë mundësi të vendosin mbi prioritetet e tyre, ndërsa buxheti duhet të shpërndahet me drejtësi.
Mexhiti tha se misioni i VLEN-it nuk është vetëm pjesëmarrja në qeveri, por që çdo qytetar shqiptar të ndjejë se shteti investon edhe tek ai.
Ai akuzoi klasën e mëparshme politike për korrupsion, kapje të shtetit dhe ruajtje privilegjesh, duke shtuar se ndryshimi politik nuk mund të kalonte pa tensione, për shkak se, sipas tij, një klasë politike e vjetër është ndier e cenuar nga humbja e pushtetit.
Në fund, Mexhiti tha se VLEN-i do të vazhdojë të punojë për një shtet inkluziv, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, jo përmes pazareve politike, por përmes institucioneve, debatit, argumenteve dhe nevojave reale të qytetarëve.
Musa: Në një kohë ndarjesh, ne zgjodhëm bashkimin
Në fjalimin e saj, nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, tha se Kuvendi themelues është moment reflektimi për rrugën që ka kaluar ky subjekt, por edhe për sfidat dhe përgjegjësitë që e presin.
Ajo theksoi se rruga drejt formimit dhe konsolidimit të VLEN-it nuk ka qenë e lehtë, duke përmendur sfida, pengesa dhe përpjekje për ta ndalur këtë projekt politik.
“Kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë. Na punuan pas shpine, na tradhtuan, por ne nuk u dorëzuam. U ngjitëm lart e më lart dhe këtë e dëshmon sot puna jonë gjatë kësaj qeverisje dyvjeçare”, tha Musa.
Ajo deklaroi se VLEN-i, në afat rekord, ka mbledhur mbi 1.300 nënshkrime për themelimin e partisë, duke e konsideruar këtë si përgjigje ndaj nevojave të votuesve dhe si dëshmi të peshës politike të subjektit.
Musa përmendi se në zgjedhjet parlamentare VLEN-i ka fituar 107 mijë vota shqiptare, ndërsa në zgjedhjet lokale ka fituar drejtimin e tetë komunave. Sipas saj, kjo e konfirmon VLEN-in si alternativë politike të konsoliduar dhe si forcë që ka ndërtuar besim në terren.
Ajo tha se më 9 maj është mbajtur Kongresi i parë, ku pesë forca politike tejkaluan dallimet dhe ndërtuan një projekt të përbashkët politik.
“VLEN sot përfaqëson një alternativë moderne, serioze, të qendrës së djathtë, të mbështetur mbi vlerat familjare, punën, meritokracinë, përfaqësimin e grave, zhvillimin ekonomik dhe përgjegjësinë në qeverisje”, tha Musa.
Ajo theksoi se në një kohë kur shumëkush investon në ndarje, VLEN-i ka zgjedhur bashkimin, ndërsa në një kohë kur politika shpesh matet me interesa të ngushta, ky subjekt ka zgjedhur interesin qytetar.
Musa tha se organizimi i fuqishëm në terren është parakusht për përfaqësim më të mirë dhe për përgjigje më të shpejtë ndaj nevojave të qytetarëve.
“Qytetarët kishin nevojë për VLEN-in dhe ne po u përgjigjemi me dashamirësi të plotë dhe me përkushtim të lartë. Ata me votë, ne me punë”, u shpreh ajo.
Ajo përmendi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, çështjen e provimit të jurisprudencës, autostradën Shkup–Bllacë, Korridorin 8, kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, spitalet e Tetovës dhe Kërçovës, si dhe investimet në infrastrukturën bazë nëpër komuna.
Sipas Musës, VLEN-i po ecën në drejtimin e duhur dhe po përmbush kërkesat e qytetarëve në afat të duhur, sepse, siç tha ajo, është dalëzotës i tyre.
Kuvendi themelues, mesazh për fazë të re politike
Nga fjalimet e drejtuesve të VLEN-it, mesazhi kryesor i Kuvendit themelues ishte konsolidimi i subjektit si parti e bashkuar, shtrirja organizative në terren dhe vazhdimi i punës në nivel qendror e lokal.
Drejtuesit e VLEN-it e vendosën theksin te investimet publike, decentralizimi, fuqizimi i komunave, përfaqësimi institucional, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.
Kuvendi themelues u paraqit si moment ku VLEN-i kërkon të kalojë nga faza e bashkimit politik në fazën e strukturimit të plotë partiak, me synimin që të jetë i pranishëm në çdo komunë dhe vendbanim ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut./TetovaNews















