Një 25-vjeçar nga Florida, Darren Zhou, përfundoi në duart e autoriteteve pasi i tregoi ChatGPT-së se planifikonte të përdhunonte dhe vriste ish-të dashurën, si dhe të kryente vetëvrasje pas krimit. Sipas hetuesve, Zhou iu drejtua chatbot-it në muajin mars, pas ndarjes nga 21-vjeçarja me të cilën kishte qenë në lidhje për rreth gjashtë muaj. Fillimisht ai kishte folur për ndarjen dhe xhelozinë ndaj personave që rrethonin ish-partneren, por më pas bisedat morën një drejtim kërcënues, duke përfshirë edhe familjen e saj.
Sipas autoriteteve, OpenAI shqyrtoi bisedat dhe, pasi u identifikua një rrezik serioz për persona të tjerë, njoftoi FBI-në. Në muajin maj, FBI ia përcolli informacionet Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach, ku një efektiv që analizoi bisedat arriti në përfundimin se mesazhet nuk ishin thjesht shpërthime emocionale, por tregonin një model planifikimi. Ish-e dashura e Zhou deklaroi gjithashtu se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së çrregullt, xheloze dhe kontrolluese, ndërsa pas ndarjes ai dyshohet se e kishte përndjekur përmes telefonatave, mesazheve dhe kërcënimeve në rrjetet sociale.
Zhou u arrestua në maj dhe u lirua dy ditë më vonë kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh. Prokuroria e akuzoi për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular. Më 13 gusht, ai u deklarua fajtor për të tria akuzat dhe, pas marrëveshjes me prokurorinë, iu shmang burgimit. Gjykata e dënoi me tetë vjet shërbim prove dhe vendosi ndaj tij një sërë kufizimesh.













