Ballina Bota U shkarkua pse tha të vërtetën: Andrei Klepach, ekonomisti rus që guxoi...

U shkarkua pse tha të vërtetën: Andrei Klepach, ekonomisti rus që guxoi të thoshte se Moska po e humbte luftën

Dy ditë pas zbulimeve të publikuara nga Moscow Times, vendimi erdhi. Kryeekonomisti i bankës së dytë më të madhe ruse, VEB, i cili kishte mbajtur postin për 12 vjet, u shkarkua. Sipas medias së pavarur ruse The Bell, Kremlinit duket se nuk i kishin pëlqyer komentet e tij kritike për gjendjen e ekonomisë.

Gjatë një aktiviteti të organizuar në maj nga Klubi Nikitsky i Bursës së Moskës, Andrei Klepach kishte paralajmëruar ndër të tjera se Rusia nuk do të mund të fitonte një luftë ekonomike të zgjatur kundër Ukrainës dhe se frika për një kolaps ekonomik të afërt të Ukrainës ishte e pabazë.

Kjo, me sa duket, nuk i pëlqeu Vladimir Putinit.

“Rusia po mbetet prapa”, “një krizë sociale është e pashmangshme”

As deklaratat e tjera të Klepach nuk ishin më pak kritike.

Ai kishte thënë gjithashtu se presioni që lufta ushtron mbi ekonominë ruse do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një “krizë sociale”, e cila do të shpërthente “në një moment kur askush nuk do ta priste veçanërisht”.

Klepach kishte deklaruar po ashtu se Rusia po mbetej prapa Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në aspektin teknologjik.

Këto komente përbëjnë një pranim të rrallë, nga një ekonomist rus i rangut të lartë, të vështirësive ekonomike në rritje të vendit dhe bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me diskursin e Vladimir Putinit.

Publicitet

Presidenti rus vazhdon të këmbëngulë se ekonomia ruse po u reziston me sukses presioneve të luftës dhe se rraskapitja ekonomike e Ukrainës është vetëm çështje kohe.

Kremlini po pastron radhët e veta

Prandaj shkarkimi i Klepach nuk është aspak një ngjarje e parëndësishme. Ai rikujton këmbënguljen gjithnjë e më të madhe të Kremlinit për besnikëri në nivelet më të larta të pushtetit rus dhe spastrimet që po zhvillohen në rrethin e Vladimir Putinit.

E gjithë kjo po ndodh në një moment kur ekonomia ruse po kalon periudhën më të vështirë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Putini në vitin 2022.

Ekonomia po vihet nën presion nga shpenzimet masive të luftës, sanksionet perëndimore dhe aftësia gjithnjë e më e madhe e Ukrainës për të goditur industrinë ruse të naftës dhe gazit.

“Shkarkimi i Klepach – njërit prej makroekonomistëve më të mirë rusë – nuk duhet ta vonojë krizën e afërt për të cilën ai paralajmëronte prej kohësh”, deklaroi për Guardian Alexandra Prokopenko, ish-këshilltare e Bankës Qendrore të Rusisë dhe studiuese e asociuar në Qendrën Carnegie Rusia-Eurazia.

Ekonomia ruse në buzë të greminës?

Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, deficiti buxhetor i Rusisë arriti në 5.870 miliardë rubla, duke tejkaluar ndjeshëm objektivin e qeverisë prej 3.790 miliardë rublash për të gjithë vitin.

Sipas dy burimeve të njohura me çështjen, disa nga këshilltarët më të afërt të Putinit e kanë paralajmëruar privatisht se niveli aktual i shpenzimeve për luftën po bëhet i papërballueshëm.

Megjithatë, Vladimir Putin nuk ka dhënë asnjë sinjal se është i gatshëm të zvogëlojë përpjekjet luftarake ose të frenojë shpenzimet.

Kremlini është përpjekur vetëm të rrisë të ardhurat duke shtuar taksat për bizneset e vogla dhe duke ushtruar presion mbi oligarkët që të kontribuojnë më shumë në financimin e luftës.

Lufta në Iran i solli njëfarë përfitimi Moskës gjatë tremujorit të dytë, duke nxitur rritjen e çmimeve të hidrokarbureve.

Por problemet strukturore të ekonomisë ruse vazhdojnë./L’Express.fr